E Diel, 1 Nëntor 2026

EULEXI-i, misioni i BE-së në Kosovë

Zëvëndësimi i pritshëm prej kohësh i UNMIK-ut nga EULEX-i nuk është shfaqur si shqetësim as brenda kufijve të Kosovës dhe as nga ndërkombëtarët. U shndërrua në një shqetësim të tillë, pas deklarimit të planit 6-pikësh të Ban Ki Munit dhe përballjes së këtij plani me Planin 4-pikësh të shtetit të pavarur të Kosovës. Kjo përballje, e natyrshme, por edhe e domosdoshme vuri në pikëpyetje te shumica e qytetarëve tanë, që i përkasin etnisë shqiptare, vlefshmërinë e pavarësisë së Kosovës dhe tërësinë territoriale të shtetit tonë.

Pasiguria e qytetarëve tanë, që lindi menjëherë pas njohjes me Planin 6-pikësh, i cili u amplifikua si i "rrezikshëm" për tërësinë territoriale të shtetit të Kosovës, që u cilësua si i tillë dhe në deklarata politikanësh e shtetarësh edhe tej kufijve tanë shtetërore, dhe plani ynë zyrtar prej 4-pikësh në kundërvënie të 6-pikëshit, sensibilizuan opinionin në Kosovë dhe më gjerë. Miratimi i Planit të Ban Ki Munit nga Këshilli i Sigurimit, jo pa të drejtë, ngjalli reagime civile e demokratike në Kosovë. Vendimi i fundit i Këshillit të Sigurmit të OKB-së për misionin e BE-së në Kosovë, EULEX-it, po vazhdon të çmohet në dy opinione të kundërta.

Shumica e qytetarëve tanë, dhe nën trysninë e mediave dhe deklaratave zyrtare të bëra nga drejtues politikë apo analistë të huaj, e konsiderojnë misionin e Planit 6-pikësh si një fitore 6 me 0 për Serbinë dhe si një parapërgatitje të ndarjes faktike të Kosovës. Të tjerë opinionistë, njohës më të drejtpërdrejtë të Kosovës, të situatës aktuale në të dhe të raporteve të shtetit tonë me demokracitë më të fuqishme të botës, shprehen në të kundërt të opinoneve pesimiste të mësipërme. Sipas tyre, me shtrirjen e EULEX-it, në të gjithë territorin e Kosovës konsolidohet pavarësia e shtetit tonë më shpejt dhe pa trauma, objektivi i kahershëm i aleateve tanë të fuqishëm, që mbështetën dhe finalizuan luftën tonë çlirimtare, që nxitën shpalljen e njëanshme të pavarësisë dhe e njohën zyrtarisht shtetin tonë si sovran brenda kufijeve të tij.

Nga vendimi i Këshillit të Sigurimit për zëvëndësimin e misionit të OKB-së nga misioni i BE-së, EULEX-it, më së pari u "gëzuan" serbët e Serbisë, por edhe serbët në Kosovë. Ky akt u konsiderua dhe u shpall, madje dhe nga disa prej miqëve tanë me më emër dhe reputacion në Prishtinë, si fitore e diplomacisë aktive e të "mençur" serbe dhe të Presidentit Tadiç. Por, ende pa filluar shtrirja e EULEX-it në mbarë territorin e Kosovës, jo vetëm ra "entuziasmi" i serbëve, por filloi të shfaqet dhunshëm kundërshtimi i tyre ndaj këtij misioni. Entuziazmi i "fitores" nga politika shtetërore serbe e Beogradit, por edhe nga organizmat vepruese nacionaliste serbe edhe në Mitrovicën e Veriut u konvertua në nervozizëm pas takimit të Ministrave të NATO-s në Bruksel, më 3 dhjetor, ku u kërkua dhe u vendos shtrirja e misionit evropian të sigurisë, EUELX, në të gjithë territorin e shtetit të Kosovës.

Kundërshtia e shtetarëve të Beogradit dhe e qytetarëve serbë, që Kushtetuta e Republikës së Kosovës u sanksionon dhe u garanton statusin e barabartë të qytetarit dhe trajtimin e veçantë privilegjues në kuadër të etnive e të minoriteteve, është bërë prezente veçanërisht nga popullsia serbe në veriun e qytetit të Mitrovicës, e cila e shfaqi dhunshëm mospëlqimin e vet ndaj shtrirjes së EULEX-it mbi Ibër, por edhe nga disa politikanë serbë të Kosovës e Serbisë, të cilët u deklarua se pjesëtarët e EULEX-it në Veri të Kosovës nuk do të vendosen në pozicionet e tyre më 9 dhjetor, ashtu siç ishte paralajmëruar për zbarkimin e të gjithë misionit.

Në përballje me këto qëndrime, pozicionimi dhe deklarimet publike të personaliteteve më të larta shtetërore të Kosovës kanë qenë koherente, realiste dhe të argumentuara. Asnjëherë dhe në asnjë deklarim publik, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi i Kosovës nuk janë shprehur kundër shtirjes së misionit EULEX në mbarë territorin e Kosovës. Kjo, mesa duket, është dhe arsyeja që edhe pas vendimit të Këshillit të Sigurimit për miratimin e Planit të Ban Ki Mun, Prishtina zyrtare ruajti qetësinë, ndërkohë që i vetëshpalluri "fituesi", Beogradi zyrtar, u nervozua shumë.

Dihet që misioni i një organizmi ndërkombëtar apo kontinental, i UNMIK-ut apo EULEX-it nuk mund të jetë i ndryshëm nga synimet dhe objektivat e këtyre organizmave. OKB-ja dhe BE-ja janë kontribuesit themelorë të fitores së lirisë nga Serbia, të shpalljes së pavarësisë dhe të njohjes ndërkombëtare të Kosovës, të sovranitetit dhe të sanksionimit kushtetues të shtetit tonë. Prandaj, qëllimi i misioneve të tyre nuk mund të jetë i ndryshëm nga synimi i tyre i deklaruar: Krijimi i një shteti të pavarur, unik, sovran dhe demokratik, në mes të Ballkanit dhe në qendër të Evropës, si faktor stabiliteti e paqeje në rajon e më gjerë. Ndaj, besoj se veprimtaria e misionit EULEX do të vihet tërësisht në realizim të këtij synimi.

Prania disavjeçare civile dhe ushtarake e UMINK-ut dhe KFOR-it në vëndin tonë nuk kanë qenë kurrë kundër shtetit serb; ato i kanë shërbyer vetëm garantimit të lirisë, ecurisë së proceseve demokratike, konsolidimit të institucioneve shtetërore, shpalljes dhe ligjërimit kushtetues të pavarësisë së shtetit tonë, tashmë të njohur botërisht. BE-ja, me praninë aktuale të misionit të vet, do t‘i kontribuojë përmbylljes së rrugës së nisur prej nesh qysh më 1999-n. EULEX-i do të jetë misioni i fundit i ndërkombëtarëve, i pranishëm në territorin e Kosovës, në mbështetje të sundimit të ligjit në mbarë vëndin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›