E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikën Shuster, Reali zgjedh Huande Ramos

Përfundon aventura e Bernd Shuster në stolin e Realit të Madridit. Në një konferencë për shtyp në "Santiago Bernabeu", drejtori sportiv i kampionëve të Spanjës, Predrag Mijatoviç, zyrtarizoi shkarkimin nga detyra të trajnerit gjerman. Vendimi i klubit ka ardhur vetëm katër ditë përpara "klasikes" së La Ligas: ndeshjes përballë Barcelonës kryesuese në "Kamp Nou". Shuster u largua me konsensus dypalësh. Nuk është dhënë asnjë detaj ekonomik i "divorcit", edhe sepse kontrata (me vlerë 2.5 milionë euro në sezon) përfundonte pas një viti e gjysmë. Gjithsesi, klubi madrilen nuk humbi kohë dhe menjëherë konfirmoi emrin e trajnerit të ri: Serxho Ramos, që më 26 nëntor u largua nga detyra si trajner i Totenhemit në Premiership. Ai u prezantua në orën 14:30, i shoqëruar nga Mijatoviç dhe Migel Angel Arrojo dhe ka nënshkruar kontratë 6-mujore. Për Ramos, ky është një rikthim në Gadishullin Iberik, afro një vit pas "lamtumirës" nga Sevilja. Me këtë skuadër, ai fitoi dy Kupa UEFA, një Superkupë Evrope, një Kupë të Mbretit dhe një Superkupë të Spanjës në diçka më shumë se dy sezone. Gjithsesi, aventura angleze nuk ishte edhe aq entuziazmuese. Në shkurt të vitit 2008, ai arriti të fitonte Kupën e Ligës (Carling Cup), por më pas koleksionoi një seri zhgënjimesh në "Uajt Hart Lain": rezultatet negative detyruan krerët e skuadrës londineze që ta largonin afro një muaj e gjysmë më parë.

Në anën tjetër, Shuster largohet nga Reali i Madridit me një titull kampion në xhep. Megjithatë, ky fillim sezoni ishte një dështim total. Humbja e parë me Juventusin dhe eliminimi nga Kupa e Mbretit gjatë muajit tetor me modestët e Real Union ishin sinjalet e para të "nëntorit të zi". Humbja në takimin e kthimit në "Bernabeu" me Juventusin u shoqërua nga zhgënjimet me Vajadolidin, Gedafen dhe Seviljan. Këto rezultate ndikuan në diferencën me -9 pikë nga Barcelona e Pep Gardiolës. "Në mëngjesin e sotëm (djeshëm) biseduam me Shusterin rreth vështirësive që ka kaluar skuadra në muajt e fundit", deklaroi Mijatoviç. "Ramë dakord rreth faktit se ndryshimi i stafit drejtues ishte i nevojshëm. Reagoi mjaft mirë ndaj vendimit dhe duhet falënderuar për punën që ka bërë te Reali, duke fituar një titull kampion dhe një Superkupë spanjolle". Ndërkohë, në sondazhet e para, vetëm 51 për qind e tifozëve janë shprehur "pro" shkarkimit të Shuster, ndërsa 57 për qind e votuesve mendojnë se Huande Ramos është njeriu i duhur për të rikthyer skuadrën në garën për titull. "Drejtuesit e Realit më telefonuan në mëngjes dhe arritëm menjëherë marrëveshjen, shpjegoi trajneri i ri. Të gjithë ëndërrojnë të punojnë me këtë skuadër. Shpresoj të mos e zhgënjej tifozerinë dhe të fitoj sa më shumë tituj që të jetë e mundur". Në orën 17:00, Ramos zhvilloi stërvitjen e parë me skuadrën dhe pritet të debutojë që prej sfidës së sotme me Zenit St. Petersburg. Gjithsesi, kontrata e tij deri në fund të sezonit i ka lënë vend spekulimeve se gjatë verës te Reali i Madridit mund të afrohet Rafa Benitez.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›