E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Ministria, e njëanshme në skandal"

Skandalet në sportin shqiptar vazhdojnë të shkaktojnë debate edhe në politikë. Partia Socialiste, nëpërmjet një deklarate për shtyp të sekretarit Organizativ, Blendi Klosi, ka dënuar qëndrimin e njëanshëm të Ministrisë së Sporteve rreth incidentit të turpshëm në Asamblenë Zgjedhore të KOKSH-it. Përpara mediave, Klosi deklaroi: "Ne jemi të skandalizuar jo vetëm me dhunën e ushtruar në procesin e votimit në zgjedhjet për presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar, por edhe me deklaratën krejt formale të Ministrisë përkatëse në dënimin e kësaj dhune". Tonet kundër MTKRS-së dhe drejtuesit të saj, Ylli Pango, janë bërë edhe më të ashpra: "Pasi e kemi ndjekur me shumë vëmendje këtë zhvillim negativ, që ka skandalizuar të gjithë opinionin publik shqiptar për nga brutaliteti dhe mungesa ekstreme e kulturës demokratike, ne sot themi me plot gojën se MTKRS, jo vetëm që nuk ka bërë detyrën e saj, po përkundrazi, ka marrë anën e dhunuesit Esat Ademi, vazhdoi më tej Klosi në fjalën e tij. Deklarata formale e ministrit për dënimin e dhunës nga njëra anë, dhe nga ana tjetër fakti se është ndaluar në polici jo dhunuesi po një njeri i denoncuar prej dhunuesit, tregojnë qartë se dhunuesi Esat Ademi ka vepruar i mbështetur nga pushteti". Nëpërmjet përfaqësuesit të saj, partia më e madhe opozitare në vend ka sulmuar qeverinë aktuale për sulmet e vazhdueshme ndaj institucioneve të pavarura sportive, duke rikujtuar konfliktin me FSHF-në. Për shkak të tentativave për ndërhyrje të shtetit në "qeverinë" e futbollit, Shqipëria u pezullua për 47 ditë nga arena ndërkombëtare. "Kjo situatë e krijuar në KOKSH dhe qëndrimi komprometues i qeverisë tregojnë edhe një herë se ky pushtet i politikës së vjetër me mendësi komuniste, nuk bashkëjeton dot me institucionet e pavarura qoftë edhe në sport, ku primitivizmi i pushtetarëve tanë doli përsëri në pah edhe në marrëdhënie me KOKSH-in pas skandaleve të njëpasnjëshme me Federatën Shqiptare të Futbollit. Qeveria duhet të distancohet urgjentisht, duke mos lejuar që sporti të kthehet në një fushë të minuar nga interesat politike të ditës", përfundonte deklarata.

Prokuroria

Dhuna në Asamblenë e KOKSH do të shqyrtohet edhe nga Prokuroria e Tiranës dhe nga Gjykata e Shkallës së Parë. Këto institucione do të zhvillojnë hetime paralele me atë që është premtuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Kallëzimi penal u bë nga kryetari i Komisionit Zgjedhor të KOKSH, Myftar Fana. Brenda kësaj jave, në Tiranë, pritet të mbërrijë delegacioni i posaçëm i CIO-s, që do të përcaktojë edhe datën për zhvillimin e Asamblesë dhe rishikimin e kandidaturës së Esat Ademit, që rrezikon të përjashtohet për problemet e shkaktuara.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›