E Diel, 1 Nëntor 2026

Galiani: “Milani nuk erdhi në Shqipëri për të fituar para”



Nga hotel “Sheraton”
Dash Frashëri

“Nuk kemi ardhur në Shqipëri për të mbushur sadopak bilancin e borxheve, por për të zhvilluar një ndeshje bamirësie për të mirën e fëmijëve shqiptarë. Milani për fat të mirë ka mbështetjen e fuqishme të kryeministrit Silvio Berluskoni, por edhe sikur të kishim borxhe, nuk do të mbushnim arkën me këto para”. Kjo ishte përgjigjja e dhënë nga administratori i Milanit, Adriano Galiani pas pyetjes së një gazetari shqiptar në konferencën e shtypit.

“KURTHI”
Hyrja e Kakasë e Bekamit në sallën e konference në hotel “Sheraton” ishte e tëra një “kurth” për pjesëmarrësit, pasi ndryshe nga Presidenti i “Taçi Oil”, Rezart Taçi e zonjës Liri Berisha, presidente e fondacionit të fëmijëve shqiptarë “Domenico Scaglione”, të cilët hynë nga dera kryesore, ylli brazilian e ai anglez hynë nga një “derë e fshehtë” përmes një labirinthi nga ana e pasme e sallës, çka krijoi në fakt edhe pak rrëmujë të “bukur”.
VLERAT
Presidenti i “Taçi Oil”, Rezart Taçi: “Kam kënaqësinë të falënderoj Galiani, yjet e mëdha të futbollit si Kaka e Bekam, të cilët kanë ardhur në Tiranë për të na falur emocione të mëdha, për të shijuar edhe mikpritjen shqiptare dhe miqësinë midis dy popujve. Trofeu është bërë një traditë, një traditë miqësore midis dy popujve, për të promovuar vlerat e dy popujve tanë. Promotori është Galiani, që solli Milanin e tij pa asnjë mungesë. Bashkëpunimi më Milanin nuk përfundon me këtë ndeshje, por vazhdon me ‘Milan Camp Junior’ e ‘Milan Camp”.
MIQËSIA
Ambasadori i Italisë në Shqipëri, Saba D Elia: “Sporti është instrumenti më i mirë i dialogimit midis popujve. Është një ngjarje e madhe. Është një dialog midis dy shoqërive të ndryshme. Ky aktivitet lidh më shumë miqësinë midis dy popujve tanë. Është një iniciativë e madhe. Nuk është hera e parë e një bashkëpunimi midis Milanit e Taçit dhe nuk do të jetë e fundit”.
MODEL
Presidentja e fondacionit të fëmijëve shqiptarë “Domenico Scaglione” Liri Berisha theksoi: “Ardhja për herë të dytë e një skuadre si Milani, kaq të dashur në gjithë botën. Misioni për të ndihmuar për fëmijët në nevojë për të gjithë ata që janë në nevojë. Modelet që janë idhuj në të gjithë botën merr një përmasë. Jemi me fat që mbështetemi nga një skuadër si Milani”
LIBRAT
Detelf Palm, përfaqësues i UNICEF-it: “Shqipëria është një mundësi e madh për biznes, por ka dhe probleme me edukimin e fëmijëve. Jo të gjithë fëmijët kanë mundësi të lexojnë. Shumë familje e prindër nuk kanë mundësi të bljenë libra. Qëllimi është të pajisen shkollat me 220 mijë tekste të reja”.
ULTRAS
Administratori i Milanit, Adriano Galiani: “Në emër të Milanit dua të konfirmojë gëzimin tonë në këtë manifestim të solidaritetit. Dëshiroj t’i them zonjës Berisha dhe zotit Palm, përfaqësues të UNICEF-it, mikut të madh Rezart Taçit. Babai i tij është një ultras si unë. Kur shikojmë Milanin ai entuziazmohet dhe vuan dhe ai në bazë të zhvillimit të ndeshjeve të Milanit. Pa këta të dy nuk e dija se kur Milanit do t’i vinte koha të vinte në Shqipëri. Në fundjavë, në 16 e 17 në sheshin Nënë Tereza, do sjellim edhe parkun argëtues të Milanit. Të gjitha shpenzimet do të mbulohen nga “Taçi Oil”. 350 fëmijë do të marrin në Milan Camp Junior dhe pesë më të mirët do të vinë në “San Siro”
MIQËSIA
“Dua të theksoj edhe miqësinë e presidentit tonë Silvio Berlusjini me kryeministrin tuaj, Sali Berisha. Në fund dua të falënderoj trajnerin Karlo Anceloti si dhe dy futbollistët Devid Bekam e KAKA, që morën pjesë në këtë aktivitet. Të gjithë lojtarët janë të lumtur që të jenë këtu dhe e kanë bërë këtë më dëshirë të madhe. Milani do të vijë në shumë turne. Tifozët treguan shumë entuziazëm në rrugët e Tiranës për pritjen. Fola në telefon Barezin dhe ai do të jetë në Tiranë për të qenë i pranishëm në ‘Milan Park”, - tha Galiani.
ANÇELOTI
Një gazetar italian i “Mediasat”, Karlo Pelegati, i grupit mediatik në pronësi të kryeministrit italian Silvio Berluskoni pyeti nëse në vjeshtën e ardhshme Milani do të luajë një ndeshje të tretë në Shqipëri, Galiani ia la me diplomaci përgjigjen Rezart Taçi, ky i fundit u përgjigj se Milani është gjithmonë i mirëpritur në Shqipëri. Gazeta italiane “La Repubblica” kishte publikuar lajmin në lidhje me një shkarkim të mundshëm të Ançelotit, por Galiani ripërsëriti nga Tirana, se nuk kishte asgjë të vërtetë. “Nuk do t’u bëj asnjë koment fjalëve të Berluskonit. Ançeloti është një miku im. Lajmi është publikuar nga një gazetë politike e jo sportive. Nuk mund ta marrë si të mirëqenë”.

Bekam: “I lumtur që kthehem në Shqipëri”

Për herë të parë Devid Bekam erdhi në Shqipëri si kapiteni i Anglisë, ndërsa dje ai ishte pjesë e Milanit, por që fatkeqëisht “Spice boy” nuk luajti asnjë minutë për shkak të një dëmtimi në kavilje në ndeshjen me Juventusin. “Jam shumë i lumtur të vij sërish në Shqipëri. Herën e parë kam ardhur me Kombëtaren angleze dhe mbaj mend se Shqipëria kishte një ekip të mirë dhe me lojtarë cilësorë”

Kaka: “Shqipëria, një vend i bukur”

Riki Kaka është simboli i Milanit modern, por dhe një ndër më të kërkuarit në merkato, ku gjigantë të tillë si Mançester Junaitid e Real Madridi e kërkojnë prej kohësh. “Unë e kam deklaruar shpesh se Milani është një skuadër historike. Besoj në të ardhmen e kësaj skuadre dhe shpresoj që kjo e ardhme të jetë përkrah Ançelotit”, - tha brazialini. Galiani shtoi me të qeshur: “Dua të theksoj se Kaka ka një kontratë deri në vitin 2013 dhe do të jetë lidhur me ne, ndërsa Bekam shpresoj të jetë deri në vitin 2010”. Kaka, i cili mungoi në ndeshjen e parë, tha se shokët e ekipit i kishin folur shumë mirë për pritjen që u kishte rezervuar Shqipëria. “Miqtë e mi folën shumë ngrohtë për atë që kishin përjetuar këtu te ju. Më thanë se kishit një popull të ri, njerëz të rinj e entuziastë. Njoh disa shqiptarë në Itali dhe më janë dukur shumë simpatikë”

Barezi, trajneri i Kombëtares?

Media shqiptare përmendi së fundi në shtyp edhe kandidaturën e Franko Barezit, si trajneri i Kombëtares shqiptare. I pyetur në lidhje me këtë fakt, administratori i Milanit, Adriano Galiani, tha: “Nuk kam dijeni për këtë. Franko Barezi është një nga legjendat e Milanit. Ai është ambasadori i klubit tonë nëpër botë për një seri iniciativash me karakter të ndryshëm. Barezi është i lumtur me detyrën e tij, por nuk i dihet se ç’plane mund të ketë ai për të ardhmen. Në fundjave me rastin e ‘Milan Park’, Barezi do të vijë vetë në Shqipëri”.

Ultrasit: “Kaka, të lutem një foto”

Yjet e Milanit u pritën u pritën në mënyrë madhështore në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” nga qindra ultras shqiptarë, tifozë të thekur të kuqezinjve italianë. Braziliani Kaka, anglezi Bekam, italiani Gatuzo ishin edhe më të preferuarit e tifozëve, të cilët thirrën shpesh herë në kor emrin e tyre. Gjithsesi, të gjithë lojtarët milanistë u treguan dashamirës me tifozët, duke i përshendetur ata më gjeste miqësore. Tifozët mbanin në duar flamuj e shaje të Milanit dhe prisnin në Rinas prej më shumë se një ore, pavarësisht se skuadra italiane mbërriti në orën 11:45 e procedurat e tyre të kalimit të kufirit vazhduan për më shumë se tridhjetë minuta. Gjatë rrugës drejt hotel “Sheratonit”, skuadra e Milanit (e hipur në një autobus të kompanisë “Joy Travel”) u shoqërua në masa ekstreme sigurie nga policia e kryeqytetit, por dhe nga disa dhjetra automjete të tifozëve shqiptare. Në rrugë e sipër Milani realizoi edhe një foto zyrtare në një nga pikat e karburanteve të kompanisë “Taçi Oil International”, që mundësoi për herë të dytë ardhjen e Milanit në Shqipëri në harkun kohor të shtatë muajve, nga vizita e parë, më 14 tetor 2008. Edhe në çastin e mbërritjes së skuadrës në hotel “Sheraton”, u ndje entuziazmi i tifozëve, të cilët qëndruan për disa orë në hollin e hotelit luksoz, duke bërë foto me lojtarët, ku më i kërkuari pa dyshim ishte braziliani simpatik Kaka.

Galiani: “E gjithë bota kërkon Milanin”

Shi kërkesash dhe ftesash për miqësore ndërkombëtare për Milanin. Ky është thelbi i një shkrimi të botuar në faqen zyrtare të kuqezinjve italianë, acmilan.com. Administratori i deleguar i klubit të Silvio Berluskonit, Adriano Galiani, duke folur përpara nisjes për në Tiranë tha: “Është e jashtëzakonshme ndjesia me të cilën kënaqet Milani, duke bërë xhiron e botës. Mund të luajmë në çdo qytet të botës, edhe çdo dy ditë, në bazë të kërkesave dhe ftesave që marrim. Kjo ndodh falë sukseseve evropiane e botërore të Milanit, dhe famës së pabesueshme që kanë lojtarët tanë. Në të gjitha kontratat që ne bëjmë për miqësore ndërkombëtare, e kemi për detyrim të marrim me vete të gjithë yjet tona. Na kërkojnë në të gjithë botën, kemi kërkesa deri në fund të muajit maj. Milani pritet me entuziazëm të madh në të gjithë botën”.
Galiani foli edhe për të ardhmen e trajnerit Karlo Ançeloti. “Nuk flas deri në 31 maj, ose më mirë nuk flas deri sa të sigurojmë një vend direkt në Ligën e Kampioneve”. Zëvendëspresidenti i Milanit flet edhe për aktivimin e mundshëm të Xhenaro Gatuzos në Shqipëri. “Për Gatuzon, them vetëm se ai është luftëtari i jashtëzakonshëm. Pas operacionit ai është rikthyer në fushë. Vendos Karlo Ançeloti, por në Shqipëri mund të luajë e të vijë në gjendje të mirë për ndeshjen kundër Udinezez, kjo nisur edhe nga skualifikimi i Bekamit.

Berluskoni sulmon Ançelotin

Padroni i Milanit, Silvio Berluskoni, sulmoi ashpër trajnerin Karlo Ançeloti, madje duke e konsideruar atë si fajtor për mosfitimin e titullit kampion në Itali. Deklaratat e kryeministrit italian u lëshuan nga Egjipti ku ndodhet për një vizitë zyrtare dhe u publikuan në gazetën “Repubblica”. “Mund ta mbanim ne kreun më mirë se Interi. Shumë herë kemi gabuar taktikisht. Ne kemi shumë lojtarë të zotë në përdorimin e topit, janë nga dribluesit më të mirët dhe duhet të bazoheshim tek ata. Ndërsa përkundrazi bëmë të kundërtën. Shumë herë kemi pësuar gol në fazën finale të ndeshjes”. Administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani (edhe ky ndodhet në Tiranë së bashku me skuadrën) nuk bëri asnjë koment në lidhje me deklaratat e presidentit të Milanit, Silvio Berluskoni. Holandezi i famshëm Johan Krujf i ka rekomanduar Milanit, Marko van Bastenin si trajnerin e duhur kuqezi.

13 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›