Veliaj: “Berisha ka frikë nga arbitrimi i drejtë i ndërkombëtarëve”
Kreu i G99-s, Erion Veliaj, e cilësoi misionin e OSBE-ODIHR-it me rolin e arbitrit. Veliaj deklaroi pas takimit me drejtuesen Glover, se kryeministri Berisha ka frikë nga arbitrimi i drejtë. “Kemi zbritur në fushë, ka zbritur dhe arbitri, mungon ekipi tjetër. Ekipi tjetër nuk do të vijë nëse ata nuk vendosin dot arbitrin që duan ata”,- tha Veliaj. Kreu i G99-s u shpreh se të djathtët nuk e kanë problemin me “arbitrin”. Ai u shpreh se të djathtët e kane problemin me lojën, sepse, sipas tij, është një lojë që e kanë humbur. Veliaj u shpreh se ata do të gjejnë çdo lloj mënyre për të mos zbritur në fushë. Veliaj shprehu gatishmërinë e së majtës për t’u përballur në zgjedhjet parlamentare. “Sot ne kemi zbritur në fushë, duke filluar nga dita e djeshme koalicioni ynë ka zbritur në fushë dhe është gati të përballet me ofertën e keqe të Sali Berishës”, - tha kreu i G99-s.
Veliaj u shpreh se znj. Glover, me punën e saj në zgjedhjet e SHBA-ve, ka treguar që është e aftë. “Puna e saj e fundit ishte vëzhgimi dhe kryesimi i misionit të ODHIR-it në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku sigurisht Obama dhe McCain nuk ishin qaramanë si Sali Berisha, të ankoheshin për misionin, por ishin aq të fokusuar që gara të ishte e drejtë dhe e ndershme, saqë arbitri i drejtë ishte i pranueshëm”, - deklaroi kryetari i G99-s. Veliaj i bëri apel kryeministrit Berisha që të respektojë standardet europiane për zgjedhjet e 28 qershorit. Ai u shpreh se një vend europian nuk mund të zbatojë standardet e Bjellorusisë, Rusisë. “Krejt papritur, kur sapo morëm flamurin e NATO-s, kemi një kryeministër që sillet çdo ditë e më shumë si Lukashenko, sot Sali Lukashenko është në krye të punëve të Shqipërisë dhe kërkon të gjitha standardet si në Minsk të aplikohen dhe në Tiranë”, - tha Veliaj.
14 Maj 2009