E Diel, 1 Nëntor 2026

Galiani i trembet Juventusit, jo Interit

Adriano Galiani, zv/presidenti i Milanit, nuk beson se kushërinjtë-rivalë të Interit do të fitojnë titullin kampion edhe në këtë sezon. Ai i paralajmëroi zikaltrit se "Djalli" do të jetë si Roma e sezonit të kaluar, duke luftuar deri në javën e fundit, por ndryshe nga skuadra e Luçiano Spaletit, në fund ata do të ngrenë trofeun. Kuqezinjtë barazuan 2-2 në fushën e Torinos, duke humbur disi terren nga "armata" e drejtuar prej Hoze Murinjos (tashmë ndodhet -3 pikë). Pas ndeshjeve të fundjavës së kaluar, edhe "bookmakers"-at ndryshuan koeficientët për skuadrën që do të triumfojë në Serinë A, ku shanset më të mëdha për titull i jepen Interit. Pavarësisht kësaj, Galiani ka dalë në mbrojtje të Milanit dhe "shigjetoi" kryesuesit, duke u shprehur se ata nuk duhet të mendojnë që edhe në këtë sezon do të fitojnë pa vështirësi. "Interi filloi arratisjen? Nuk flas për këtë temë, pasi është ende shpejt për të dalë në përfundime të tilla. Mjafton t‘i hidhni një sy sezonit të kaluar, kur Roma ishte 11 pikë mbrapa Interit në klasifikim, por ata rikuperuan terren dhe kishin shansin që të fitonin ‘Scudetton‘ në javën e fundit të kampionatit", tha numri 2 i Milanit. "Deri më tani, Seria A ka qenë mjaft e ekuilibruar. Ne jemi ende në garë, ashtu siç është edhe Juventusi. Madje, për të qenë i sinqertë, bardhezinjtë më trembin". Administratori i deleguar ka folur edhe për merkaton e janarit dhe spekulimet se Andrij Shevçenko mund të largohet sërish nga skuadra. "Sheva drejt largimit? Nuk e besoj. Ai nuk mendon të largohet. Në repartin e sulmit jemi të kompletuar dhe askush nuk do të largohet apo të afrohet", përfundoi Galiani.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›