Inter nuk harron Drogbanë, të hënën takim në Londër
Një mbledhje katërshe në një restorant të Fulhemit e afron Didier Drogbanë tek Interi. Të hënën në mbrëmje janë takuar Jorge Mendes, menaxheri i Hoze Murinjos, sulmuesi i Çelsit, Didier Drogba bashkë me një shoqërues dhe drejtori teknik i Interit, Marko Branka. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë ka qenë gjithmonë një nga beniaminët e Murinjos, i cili e ka stërvitur te Çelsi dhe do të dëshironte ta kishte edhe tek Interi. Edhe Drogba, që në Londër po përjeton një sezon të vështirë mes dëmtimeve dhe kualifikimeve, pasi gjuajti me një monedhë në drejtim të tifozëve gjatë ndeshjes së Kupës së Ligës, do të pëlqente të rikthehej nën urdhrat e Hoze Murinjos. Në prag të ndeshjes së Champions League ndaj Panathinaikosit, Interi duhet të mendojë edhe për misionin e Brankës në Londër për Drogbanë. Menjëherë pas përhapjes së lajmit se Interi po zhvillon tratativa për t‘i sjellë Murinjos ish-lojtarin e tij të preferuar kur drejtonte skuadrën londineze të Roman Abramoviç, shtypi interesohet te trajneri portugez. "Nuk e di se ku ka qenë të hënën në mbrëmje, ka thënë dje Murinjo në një konferencë për shtyp, por nëse Drogba është takuar me agjentin tim, mendoj se do të jetë për faktin se ai dëshiron të dijë nëse edhe unë dëshiroj të shkoj te Marseja (vetë Drogba ka deklaruar pak kohë më parë, se do të dëshironte një ditë të rikthehej në këtë ekip). Atë natë kam qenë te një restorant i Çernobios së bashku me Rui Faria dhe as nuk e kam idenë se ku mund të ketë qenë Marko. Nuk e njoh historinë e Drogbasë, por ai është pjesë e skuadrës së Çelsit. Nga jashtë, situata e tij duket si ajo e një lojtari, që është i Çelsit dhe do të jetë i kësaj skuadre edhe në të ardhmen. Herën e fundit që kam lexuar diçka për të në shtypin anglez, thoshte se do dëshironte të qëndronte deri në fund atje. Prandaj e shikoj si shumë të lidhur me skuadrën londineze dhe nëse më pyesni se çfarë do të uroja unë për të, mund të them se për mua do të ishte kënaqësi ta shikoja të përfundonte karrierën te Çelsi". Lajmi shton dyshimet mbi të ardhmen e zikaltrit Adriano, i cili do të mbetej pa shumë hapësirë, në rast të ardhjes së sulmuesit afrikan. Por zikaltrit tashmë e kanë mendjen edhe te një sulmues tjetër, pikërisht Karim Benzema i Lionit, i cili është edhe një nga të vëzhguarit specialë të Masimo Moratit. Sulmuesi, 21 vjeç në dhjetor, është në krye të dëshirave të zikaltërve. Çmimi i kartonit të francezit nuk është ai që ka dalë nga goja e presidenti të Lionit Aulas, i cili dëshiron 100 milionë euro për ta lënë të lirë. Vlera e tij nuk e kalon as gjysmën e kësaj shifre dhe ajo që do të bëjë diferencën do të jetë edhe shkëmbimi teknik i ofruar nga skuadra italiane. Interi e ka "As"-in nën mëngë: ai është Adriano, i cili mund të largohet nga Milano dhe te zikaltrit të vijë Benzema.
Benzema-Adriano
Sulmuesi i talentuar francez, Karim Benzema, pëlqehet nga Interi, i cili e ka në majë të objektivave të tij: Kostoja e tij mund të jetë te 45-50 milionë eurot. Por Adriano mund të përdoret si një shkëmbim teknik i pjesshëm i kësaj tratative për të bindur Lionin
Benzema-Adriano
Sulmuesi i talentuar francez, Karim Benzema, pëlqehet nga Interi, i cili e ka në majë të objektivave të tij: Kostoja e tij mund të jetë te 45-50 milionë eurot. Por Adriano mund të përdoret si një shkëmbim teknik i pjesshëm i kësaj tratative për të bindur Lionin