E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gallach: EULEX-i në Kosovë, operativ në dhjetor

Dialogu mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian për vendosjen e misionit EULEX në Kosovë po përparon dhe në Bruksel nuk ka dyshime se ky mision do të jetë operativ në muajin dhjetor të këtij viti. Kështu është shprehur Christina Gallach, zëdhënëse e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Javier Solana.

"Ekzistojnë bisedimet mes Beogradit dhe Brukselit, të cilat ne i quajmë dialog i përhershëm. Dialogu mes Serbisë dhe BE-së po zhvillohet për të gjitha çështjet bilaterale, përfshirë këtu edhe EULEX-in. Në fillim të kësaj jave, Javier Solana ka pohuar zhvillimin e bisedimeve mes BE-së dhe Beogradit për vendosjen e misionit”, ka deklaruar Gallach për gazetën “Veçernje Novosti”.

Ajo ka thënë po ashtu se në këto bisedime ka përparim dhe ka rikujtuar deklaratën e Solanës se pret që EULEX-it të vendoset në muajin dhjetor. "Misioni i EULEX-it bazohet në dokumentin ‘Aksioni i përbashkët’ nga shkurti i këtij viti. Ky dokument qartas shpjegon se misioni bazohet në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së. Kjo është baza e vendosjes dhe kështu do të vazhdohet”, ka thënë Gallach.

Gallach ka precizuar se dialogu për vendosjen e EULEX-it ka filluar para disa javësh dhe se diplomatët nga Brukseli, po ashtu, rregullisht bisedojmë me diplomatët dhe ekspertët nga Beogradi. “Presim që Beogradi të kuptojë rëndësinë e vendosjes së EULEX-it. Ky do të ishte zhvillim pozitiv si për banorët e Kosovës, ashtu edhe për Serbinë dhe rajonin”, ka thënë ajo. /Telegrafi/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›