Shqipërisë i duhen "dy palë këpucë" për Botërorin
Rezultati pozitiv që arriti Shqipëria me Portugalinë, përveçse ka nxitur komentet e mediave europiane, gjithashtu ka bërë efektin e vet edhe në faqen zyrtare të FIFA-s, organizmit më të lartë të futbollit. Duke pasur parasysh rifutjen e Shqipërisë në "Top 100" e renditjes botërore, pas rezultateve të mira që ka arritur në këto eliminatore, FIFA.com flet për këtë hap pozitiv, duke marrë edhe mendimin e trajnerit Ari Han, si dhe mesfushorit Ervin Skela.
"Trajnerët e futbollit holandez janë të kudondodhur, duke filluar nga Gus Hiding në Rusi, e deri te Ari Han në Shqipëri,"- niste komenti i FIFA-s. - Ata njihen për lojën sulmuese, dhe si rezultat i kësaj Shqipëria preferoi të zgjidhte Hanin. Pas një nisjeje të mirë të eliminatoreve për botërorin 2010, ku kuqezinjtë barazuan me Suedinë dhe fituan me Maltën, erdhi një humbje e dhimbshme ndaj Hungarisë (2-0). Por barazimi pa gola me Portugalinë në transfertë, e bëri edhe më të fortë kombëtaren e drejtuar nga holandezi Han. Tashmë, mesazhi është i qartë: Ekipet me epitetin të vogla kanë filluar të shkunden dhe Shqipëria ka një imazh të patundur." Ndërkohë, vetë trajneri kuqezi është optimist për të ardhmen.
"Ky është thjesht vetëm fillimi, por besoj se do të ngrihemi edhe më shumë,"ka thënë trajneri i kombëtares Ari Han, që beson tek kjo vazhdimësi pozitive të kuqezinjve, në grupin 1. Edhe renditja e FIFA s, e muajit tetor, i jep të drejt holandezit, pasi Shqipëria ka përmirësuar 19 vende dhe tani pozicionohet e 83 ta në botë. Madje, kombëtarja kuqezi është afër një skuadre si Togo, që ka qenë pjesëmarrëse në botërorin e 2006-s. Shqipëria ishte e suksesshme në muajin shtator, sepse fitoi 64 pikë dhe hyri në "Top 100", duke u rikthyer aty, ku për herë të fundit ishte në muajin korrik. Për arritjen e sukseseve me skuadra të dorës së dytë, trajnerët holandezë janë mjeshtra, dhe nëse këtë e bën Ari Han, nuk do të ishte një rastësi.
Të qenit jo i favorizuar, një faktor i mirë
Për Shqipërinë, kualifikimi në një turne të madh është thjesht një e ardhme në distancë. Truri i mesfushës kuqezi, Ervin Skela, ka folur për këtë mundësi, e cila është një ëndërr për të gjithë shqiptarët. "Normalisht, kemi një eksperiencë të paktë dhe gjithashtu kualitete. Për të marrë pjesë në një kompeticion të madh, mendoj se na duhen "dy palë këpucë". Në ekipin tonë nuk ka shumë lojtarë që luajnë me klube të mëdha. Megjithatë, ne po mundohemi të bëjmë më të mirën, por ka vend për t'u përmirësuar më shumë. Duhet të jemi realistë, sepse për të marrë pjesë në botëror duhen kualitete të mëdha,"- pohon Skela. Sipas 31-vjeçarit, që aktualisht aktivizohet me sukses te Energia Kotbus në Bundesligë, të qenit jo i favorizuar ka qenë një faktor i mirë për Shqipërinë.
"Ne jemi një ekip i ashtuquajtur i vogël, por megjithatë ndihemi mirë edhe në këtë rol." Në fund, Skela ka folur edhe për trajnerin Ari Han. "Ai është gjithnjë i njëjti dhe beson shumë në vetvete, gjë të cilën na i transmeton edhe ne. Nuk i dihet, ne ndoshta mund të bëjmë surpriza të tjera në këto eliminatore, me trajnerin Ari Han në krye."
Trajneri kuqezi mbërrin nesër në kryeqytet për të rakorduar planet me FSHF-në për miqësoren e 19 nëntorit
Holandezi, vëzhgim kandidatëve të kombëtares
Ari Han do të jetë të shtunën në Tiranë, për një vizitë që ka si qëllim kryesor vëzhgimin e ndeshjeve të kampionatit shqiptar. Disa lojtarë që janë në planet e tij, holandezi do t'i shikojë për herë të fundit, dhe më pas do të vendosë për t'i thirrur në ndeshjen më të afërt, që është miqësorja me Azerbajxhanin, më 19 nëntor. Hani mbërrin të shtunën në kryeqytetin shqiptar, teksa fillimisht do të rakordojë planet me FSHF-në, në kuadër të miqësores, e më pas pritet të ndjekë përballjen Partizani-Shkumbini, ku nga të kuqtë, pjesë e kombëtares është Elis Bakaj. Ndërkohë, sipas burimeve zyrtare në FSHF, objektivi kryesor i vizitës së trajnerit është ndjekja e ndeshjes Tirana-Besa, që luhet të dielën. Në këto dy skuadra ka më shumë elementë, të cilët mund t'i shërbejnë kombëtares në të ardhmen. Pikërisht, miqësorja me Azerbajxhanin është një mundësi e mirë për të provuar lojtarët e rinj. Hani pritet të ftojë disa prej tyre, ndërkohë që emri më i lakuar mbetet ai i mesfushorit të Tiranës, Gjergji Muzaka.