E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaceli midis Parisit dhe Tiranës

Sipërmarrja për të shkruar një monografi, për të hulumtuar dhe për të gërmuar në skutat më të thella të një problemi të zgjedhur, për të intervistuar dhe për të seleksionuar të dhënat e përftuara, është gjithsesi dhe kurdoherë një sfidë sa e vështirë aq dhe komplekse. Veçanërisht kur objekti i studimit është një autor dhe sidomos i kalibrit të mjeshtrit Sadik Kaceli, puna bëhet edhe më e ndërlikuar, por edhe më me përgjegjësi.

Libri që kemi në dorë është një punim i ndërtuar me mjaft dashuri dhe përgjegjësi profesionale. Autorja ka ndërtuar një strukturë të një monografie klasike për autorë të veçantë, sidomos të fushës së artit. I ndarë në dy pjesë me nga shtatë kapituj mjaft të dendur në pikëpamje të informacionit që sjell, libri nuk lë shteg për inkoherenca apo për përsëritje dosido, qoftë edhe për kritika intolerante.

Në pjesën e parë, autorja sjell në mënyrë progresive lindjen, formimin, arsimimin dhe kompleksin ndikues mbi të. Me një gjuhë të zhdërvjellët e plot figuracione, por edhe me një kolorit spikatës, Eli Xoxa, në këtë pjesë ndërthur vështrimin prej një biografi, me sendërtimin selektiv të materialit që ka në dispozicion, duke e pasuruar “tregimin” e saj tërësisht shkencor me një lumë të përzgjedhur referencash mbi autorin. Në këtë kapitull të madh apo në këtë pjesë të parë, autorja tregon kryesisht për jetën e Kacelit, duke diferencuar me finesë pjesën e bibliografit me atë të biografit apo shkencëtarit. Kjo na bën të mundur ta përthithim me lehtësi librin në këtë pjesë të parë. Në shumë momente autorja, si në një vizatim të shkathët, por konstruktiv dhe me thekse, prek herë-herë mbi elemente tipike të jetës së Kacelit në Tiranë dhe në Paris duke dhënë kështu deduksione interesante mbi tipin, temperamentin dhe karakterin e piktorit. Në pikëpamje të portretit të Kacelit, që në këtë pjesë na bëhet krejtësisht i njohur dhe i prekshëm, na hapet udhë për ta kuptuar më mirë dhe më qartë artin e tij, filozofinë e tij si dhe nocionet bazë të krijimtarisë së tij.

Pjesa e dytë nis me një ngjeshje edhe më të madhe materiali referencial, duke formuar një tension të dukshëm tek lexuesi, por edhe duke tu imponuar njerëzishëm për një kujdes mbi sensin e analizës dhe të sintezës. Krahasimisht me pjesën e parë ndarja mes jetës dhe veprës nuk bëhet si me thikë, e kjo e ka bërë studimin më të shkrifët dhe produktiv. Sidomos këtu, shkallë- shkallë, autorja vjen e plotësohet me shprehjet në “tregimin” e saj, duke mos qenë në asnjë moment hermetike. Thjeshtësia e të thënit të saj, rrjedh nga të kuptuarit nga ana e saj e thelbit kreativ të Kacelit. Ky element ndoshta është më përcaktuesi në mbarëvajtjen e librit të Eli Xoxës. Pavarësisht se zgjidhet një autor i dashur, pikërisht për këtë efekt, në shumë raste analoge autori i monografisë ka rënë rëndom në glorifikime apo panegjerizma bajate. Në rastin e Xoxes janë shumë të pakta rastet kur ajo del nga linjat e paanshme që paraqet gjatë gjithë librit. Madje edhe kur për efekt të nxjerrjes në pah të madhështisë së figurës së Kacelit ose të vlerës së veprës së tij, autorja përdor me hijeshi dhe delikatesë thënie të njerëzve të afërt me Kacelin, apo në lidhje me veprën ajo përdor sekuenca nga studiues të ndryshëm të artit. Praktikisht kjo e ka bërë librin më të besueshëm, të lexueshëm rrjedhshëm. Në këtë aspekt, pavarësisht se ai nuk është libri i parë për artin në Shqiperi, mund të konsiderohet seriozisht si një ndër më profesionalët.

Në përfundim të pjesës së dytë mbi veprë e Kacelit, autorja e lehtëson strukturën e librit me tri pjesë të vogla, përkatësisht me mendime të të tjerëve për Kacelin dhe veprën e tij, me një pjesë mbi kronologjinë e veprës së tij dhe së fundi me pjesën e bibliografisë mbi piktorin. Vështrimi i autorës me këto shtojca bëhet edhe më i qartë për lexuesin.

Autorja ka patur në dispozicion rreth 25 vite për të realizuar këtë studim dhe për këtë, ajo ka patur sigurisht kohën e duhur për të shoshitur mirë materialin faktik burimor, për ta përdorur me efikasitet atë në favor të cilësisë së librit.

Gjithsesi libri, të cilin unë do ta quaja vepër, ka në favor një përparësi të madhe, një material të bollshëm pamor-dokumentar, fotografik, por mbi të gjitha një sasi tepër të madhe veprash të autorit, madje edhe nga ato që nuk ekzistojnë sot. I gjithë ky material është faqosur me shumë shije dhe është selektuar me kujdes sipas përmbajtjes së faqes në të cilën ato imazhe janë vendosur. Do të kisha dëshirë që disa prej veprave të Kacelit të mund të ishin më të mëdha dhe ndoshta ndonjë prej tyre e shoqëruar edhe me detaje, për të kuptuar më mirë nivelin teknik të këtyre veprave. Kjo do ta bënte librin edhe më profesional në këndvështrimin e mirëfilltë të një libri arti.

Për lehtësi të leximit të rrjedhshëm e komod dhe të kuptimit adekuat, mendoj se përmbledhja e treguesve të referencave apo të bibliografisë korrente do të ishte më mirë të jepeshin në çdo fund faqeje, nëse ka çdo faqe. Kjo do të çmundësonte efektin “ndërprerje leximi” në çdo faqe për të shikuar se e cilit autor apo në cilin libër gjendet referenca. Fakti që, pothuaj në të gjitha faqet gjenden referenca, e bën disi të lodhshëm kërkimin e treguesve në fund.

Megjithatë, gjatë librit dhe sidomos kur e përfundon atë, ndjen se ke kaluar një sasi tepër të madhe referencash. Kjo në të vërtetë tregon për një përkujdesje të mirë të autores për të qëmtuar autorë dhe studiues, vepra e të cilëve apo thënie të veçanta të tyre, kanë lidhje me objektin e saj.

Mendoj se ky libër do t’i bëj nder çdo biblioteke shqiptare, edhe për objektin që trajton, edhe për mënyrën si e trajton. Këtij libri nuk i mungon as këndvështrimi realist, as prirja për të zbuluar një figurë dhe të gjithë krijimtarinë e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›