Saki: Milan-Napoli tani është tjetër gjë!
Dashuria e parë nuk harrohet asnjëherë." Edhe pse kanë kaluar 20 vjet, fotot janë vjetëruar dhe, për ato ditë, për të parë nuk ka mbetur asgjë." Bëhet fjalë për ndeshjen e parë Milan-Napoli të 3 janarit 1988, një ndeshje "luksi" dikur. Sfida mes dy epokave futbollistike. "Mes një futbolli që shpenzonte dhe çante përpara dhe një që duhej t'i bënte llogaritë me krizën ekonomike." Nuk ka rëndësi, nëse në mes ka pasur gjithçka; e gjithë karriera e Paolo Maldinit si triumf, deliri dhe fama e Diego Armando Maradonës. Milan-Napoli i mjafton Arrigo Sakit për të qëndruar një moment për të kujtuar. "Ishte një ndeshje e pabesueshme, sepse atë ditë e kuptuam se ishim të fortë dhe mund të ndërtonim diçka të rëndësishme, - thotë ish-trajneri i Milanit në atë periudhë dhe i kombëtares italiane. - Të luaje kundër Maradonës, e përsëris shpesh, ishte sikur ta kishe "Shpatën e Demokleut" të varur mbi kokë. Nëse gaboje, Diego të ndëshkonte. Kujtoj që atë ditë, për shembull Milani e nisi fort dhe luajti dhjetë minuta në nivel të lartë. Por, papritur Diego shmang disa kundërshtarë në mesfushë dhe i shërben Karekës, një tjetër lojtar i shkëlqyer, i cili shënon golin e parë për ata. Mbeta i befasuar në stol dhe nisa të mendoj se kështu nuk vlen. Por skuadra nuk u trondit, vazhdoi të luajë mirë, fitoi Milani 4-1 dhe nisëm sprintin tonë për titull." Atëherë, ashtu si sot, Milani ishte në ndjekje të kreut. Edhe këtë herë mund të jetë një ndeshje vendimtare: "Jo, nuk e besoj, - thekson Saki. - Është një ndeshje e rëndësishme, sepse përballen dy nga tri skuadrat që po kryesojnë në këto momente, por nuk do të jetë vendimtare. Në krahasim me atë ndeshje, kanë ndryshuar shumë gjëra..." Mes gjërave të paimagjinueshme, është edhe rilindja e Milanit, pas nisjes shkatërruese të sezonit. Saki përfundon: "Ançeloti është fenomen. Me kampionët që ka, problemi ishte t'i jepte ekuilibër skuadrës, t'i bindte të gjithë të sakrifikoheshin. Gjeti trajektoren e duhur pas një fillimi të tmerrshëm, si dhe vazhdimësinë e rezultateve. Pastaj, estetikisht, Milani në këto momente s'është maksimumi. Por rimotivimi i lojtarëve ishte për momentin i mjaftueshëm të arrihej deri këtu..."