E Diel, 1 Nëntor 2026

Gallup: Kriza po prek rëndë vendinNga Tema Sondazhi i sivjetëm i Gallup Ballkan Monitor ishte fokusuar kryesisht në çështjen e liberalizimit të vizave dhe tendencën e rajonit për të emigruar. Shqiptarët, si në Kosovë, ashtu dhe në Shqipër

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Gallup: Kriza po prek rëndë vendinNga Tema

Sondazhi i sivjetëm i Gallup Ballkan Monitor ishte fokusuar kryesisht në çështjen e liberalizimit të vizave dhe tendencën e rajonit për të emigruar.

Shqiptarët, si në Kosovë, ashtu dhe në Shqipëri, kryesojnë listën e atyre që duan të largohen nga vendet e tyre. 73% e kosovarëve dhe 62% e shqiptarëve mendojnë se ka mundësi më të mëdha jashtë vendit. Kjo për shkak të standardeve të jetesës. Numri i të pakënaqurve me standardet e jetesës në vendin tonë është shtuar në krahasim me vitin 2006.

Sërish ka më shumë të pakënaqur (53%) se të kënaqur (44%) me standardet e jetesës.

Shqipëria kryeson vendet e rajonit me numrin më të madh të personave që duan të emigrojnë, gati një e treta, ndërsa shqetësuese është se shumë prej shqiptarëve të pyetur janë gati të emigrojnë brenda një viti.

Vendi mund të futet në një krizë të thellë ekonomike, sugjeron Gallup, për shkak se mbahet në një masë shumë të madhe nga remitancat e emigrantëve.

Kur flitet për Ballkanin, në mendje të vjen emigrimi

Sa herë flitet për liberalizim vizash e për zgjerim të Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor, çështja e emigrimit të del përpara. Arsyeja është potenciali i supozuar i emigrimit në masë nga rajoni dhe frika nga politikëbërësit dhe akademikët se kjo do të ndalojë qytetarët e BE që të mbështesin zgjerimin e mëtejshëm.

Madje dhe avokatët që mbështesin bashkimin e vendeve të Ballkanit me BE, e përdorin kërcënimin e emigrantëve - ish ministri i Jashtëm çek, Karel Schwarzenberg, para disa kohësh tha se, nëse vendet e Ballkanit do të përjashtohen nga BE, problemet do të mbeten dhe kjo do të çojë në një valë të re emigrimit që askush nuk do jetë në gjendje ta ndalojë. Ajo çka e shton natyrën polemike të këtij debati është mungesa e të dhënave të besueshme për fluksin e njerëzve dhe çka është më e rëndësishme, për remitancat. Kjo e bën të vështirë vlerësimin e ndikimit të çdo lehtësimi të regjimit strikt të vizave për në BE.

Banorët e rajonit, të pakënaqur e pesimistë

Njerëzit e rajonit kanë një vlerësim të errët në lidhje me situatën ekonomike në rajon e kjo i bën ata që të shohin ose të kërkojnë mundësi më të mira jashtë kufijve të vendit të tyre. Kur ata pyeten për të hedhur një vështrim mbi situatën e tyre dhe standardet e jetesës, shumë të intervistuar shprehin pakënaqësi: shumica e të pyeturve në të gjitha vendet - përjashto këtu Kosovën dhe Kroacinë - janë të pakënaqur me standardet e tyre të jetesës.

Një vlerësim i ngjashëm ishte dhe në vitin 2006 e është përkeqësuar në mënyrë të ndjeshme në vitin 2008 në Bosnjë dhe Hercegovinë e në Kroaci.

Të pyetur nëse standardet e tyre të jetesës do të përmirësohen, njerëzit e pyetur japin përgjigje pesimiste, me më shumë njerëz që ndjejnë se gjërat do të shkojnë më keq sesa më mirë, me përjashtim të shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri që bëjnë përjashtim nga ky rregull. Intervistat janë kryer përpara se kriza ekonomike të shpërthente e duket se niveli i pakënaqësisë do të jetë më i madh sot.

Shqiptarët, më të eturit për të emigruar

Të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor kanë pasur një ulje të dëshirës së banorëve të tyre për t’u larguar nga vendi. Kjo duket më shumë në vendet që kanë shpallur së fundmi pavarësinë, Mal të Zi dhe në Kosovë.

Në këto vende, përqindja e njerëzve që duan të largohen është pothuajse përgjysmuar.

Në shumicën e vendeve, mes 15% dhe 25% e rezidentëve kanë shprehur dëshirë për të lëvizur jashtë vendit.

Në Shqipëri ky numër është më i madh dhe përfshin një të tretën e të pyeturve (31%).

Kroacia megjithatë ka për momentin numrin më të vogël të banorëve që duan të emigrojnë: vetëm 7% duan të largohen në një vend tjetër, ndërsa 88% duan të vazhdojnë të jetojnë në Kroaci.

Duam të emigrojmë sa më shpejt

Kur personat që duan të emigrojnë u pyetën në lidhje me synimet e tyre për t’u larguar brenda vitit që po vjen, ata në Kosovë dhe në Shqipëri ishin më konkretë në lidhje me planet e tyre të emigrimit: 27% dhe 21%, respektivisht, mendonin se ata me shumë mundësi nuk do të jetonin në vendin e tyre brenda një viti.

Ballkani nuk ka tendencë për emigrim masiv

Në përgjithësi nuk mund të flitet për emigrim masiv nga Ballkani. Nisur nga fakti se 24.7 milionë banorë jetojnë në Ballkanin Perëndimor, 21% e banorëve të rajonit në moshën 15 vjeç ose më të vjetër duan të largohen nga vendi, çka nënkupton pak a shumë një maksimum prej 4.34 milionë emigrantësh. Nga këta emigrantë potencialë, vetëm 17% janë shprehur se ata mund të largohen nga vendi vitin që vjen. Kjo është rreth 720 mijë banorë që kanë plane afatshkurtra emigrimi, nga të cilët vetëm 120 mijë ishin të sigurt se do largoheshin.

Nisur nga fakti se 27 vendet e BE përjetojnë çdo vit një nivel emigrimi prej 3.5 milionë personash, emigrimi potencial nga Ballkani Perëndimor drejt BE mund të cilësohet domethënëse, por nuk ka shenja të emigrimit masiv.

Emigrim vetëm për disa vite

Rezultatet e sondazhit sugjerojnë se emigrimi nga Ballkani Perëndimor nuk ka një natyrë të përhershme: nga të pyeturit që përmendën dëshirën për të emigruar, 60% theksojnë se ata synojnë të kthehen pas disa vitesh e shumta.

Të rinjtë më të prirur për të emigruar

Një analizë e të dhënave sipas nëngrupeve demografike tregon se sa më të rinj personat e pyetur, aq më e madhe dëshira për të emigruar: 37% e moshës 15-24 vjeç duan të largohen nga vendi, në krahasim me 11% të moshës 55 vjeç e sipër. Kjo preferencë ishte veçanërisht e dukshme në Shqipëri (51% e moshës 15-24 vjeç), Serbi (42%) dhe Bosnjë (38%).

Nga ana tjetër, faktorët demografikë kanë shumë pak influencë në planet e banorëve për emigrim: nuk ka diferenca mes burrave e grave, mes banorëve të zonave rurale e urbane, në dëshirat e tyre për të emigruar.

Nuk ka të dhëna se duan të largohen më të shkolluarit

Ky vëzhgim gjithashtu trajton dhe efektin e brain-drain (largimit të trurit), së cilit i druhen shumë në rajon, kur diskutohet në lidhje me emigracionin. Niveli i ulët i të diplomuarve që dëshirojnë të emigrojnë, sugjeron mungesën e një rreziku të tillë. Megjithatë, kjo mund të jetë dhe pasojë e faktit që shumë njerëz të miredukuar me origjinë nga Ballkani, janë larguar tashmë nga rajoni.

Kush ka një të afërm jashtë, synon të largohet

Personat që kanë anëtarë të familjeve të tyre jashtë vendit, janë më të prirur për t’i pasuar në rrugën drejt emigrimit. Ky fenomen, të cilit i referohen shpesh studiuesit, gjen mbështetje te të dhënat e këtij sondazhi: ndërsa në të gjithë rajonin, 17% e të pyeturve pa familje jashtë vendit, shprehën dëshirën për t’u larguar, të dhënat tregojnë një rritje në 25% mes atyre, familja e të cilëve ka bërë tashmë një hap matanë kufijve.

44% e shqiptarëve e kanë një familjar jashtë

Edhe pse është tashmë e pranueshme se ka probleme që lidhen me personat që lënë familjen e vendin e tyre pas, banorët e Ballkanit Perëndimor janë mbështetës të emigrimit dhe e konsiderojnë kontributin e tyre një ndihmë të madhe. Mbështetja është veçanërisht e madhe mes shqiptarëve etnikë që jetojnë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, ku rreth një e treta janë të bindur se emigrimi ndihmon në zhvillimin e rajonit.

Gjithashtu mes këtyre grupeve emigrimi është më i përhapur. Në Kosovë dhe në Shqipëri për shembull, 38% e 44%, respektivisht, thonë se anëtarë të familjeve të tyre janë larguar nga vendi, numri më i lartë në gjithë rajonin.

Serbët, në Serbi e në Bosnjë, dhe maqedonasit raportojnë një nivel shumë më të ulët të emigrimit të familjeve: vetëm një e gjashta e të pyeturve thonë se kanë anëtarë të familjeve jashtë vendit.

Shqiptarët marrin më shumë ndihmë ekonomike nga jashtë

Nga personat me emigrantë nga familja, shqiptarët etnikë janë grupi që merr më shumë ndihmë financiare nga jashtë vendit: mes tre të katërtave (shqiptarët e Maqedonisë) dhe tetë nga dhjetë të pyetur (shqiptarët e Kosovës) theksuan se anëtarët e familjeve që punojnë ose studiojnë jashtë vendit, i ndihmojnë ata financiarisht.

Fluksi i remitancave është më i ulëti në Serbi, ku rreth katër në dhjetë të pyetur, që kanë anëtarë të familjeve jashtë vendit, thonë se marrin ndihmë financiare nga emigrantët.

Kriza ekonomike mund të dëmtojë rëndë remitancat drejt Shqipërisë

Nisur dhe nga rëndësia e madhe e remitancave për komunitetet shqiptare, çështja e punës së emigrantëve shqiptarë nën dritën e krizës financiare aktuale është dramatike.

Të dhënat e Gallup identifikojnë Italinë, Greqinë dhe Gjermanisë si vendet kryesore ku ndodhen emigrantët shqiptarë - dhe këto vende janë goditur rëndë nga kriza, me punëtorë në punishte e në agrikulturë që po humbin vendet e tyre të punës.

Ka pasur raporte për punonjës sezonalë shqiptarë që nuk janë në gjendje të gjejnë punë në Greqi. Ministri shqiptar i Ekonomisë, Genc Ruli, citohet të ketë thënë në fund të vitit se ai pret që kriza financiare të prekë eksportet dhe remitancat shqiptare - një deklaratë kjo që mbështetet nga të dhënat e sondazhit të Gallup.

Kemi më shumë emigrantë, por na sjellin më pak pará

Shumat që sjellin emigrantët e Ballkanit Perëndimor janë domethënëse: mesatarja mujore e dërguar në Shqipëria është 160 euro, 170 euro në Bosnjë, 240 euro në Maqedoni dhe 300 euro në Kosovë.

Në Kosovë, një në katër shtëpi merr gjysmën e parave të tyre për nevojat mujore nga të afërmit që jetojnë jashtë vendit.

Shqiptarët dhe boshnjakët, më të eturit për të lëvizur pa viza

Rëndësia e madhe që ka lëvizja e lirë për banorët e Ballkanit Perëndimor reflektohet dhe në këtë sondazh: të pyetur se cila do të ishte e vetmja ndihmë e madhe që mund të jepte komuniteti ndërkombëtar për vendin e tyre, mbi një e treta e të pyeturve në shumicën e vendeve thonë se është liberalizimi i vizave.

Njerëzit në Bosnjë dhe në Shqipëri janë dhe më të paduruarit për të përfituar nga regjimi i udhëtimit pa viza. Nevoja për të lehtësuar udhëtimin nuk është dhe aq e kërkuar në Serbi (vetëm një çerek duan që ato të hiqen). Në Kroaci, ku dhe udhëtimi pa viza është një realitet, vetëm një e gjashta e të pyeturve insistojnë në lehtësimin e aksesit për dokumentet e udhëtimit.

Ballkanasit: Të ardhmen e rajonit e ndihmon së pari zhdukja e korrupsionit

Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, njerëzit janë të bindur se qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave do të ndihmojë rajonin të ketë një të ardhme të paqtë e të zhvilluar. Të pyetur se çfarë kërkohet për paqe e zhvillim, lëvizja e lirë e njerëzve e tregtia e lirë vijnë të dytat, pasi njerëzit kërkojnë më së shumti t’i jepet fund korrupsionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›