E Hënë, 2 Nëntor 2026

Problemi verior i Ramës Nga Eduard Zaloshnja Në qoftë se 140 mandatet e Kuvendit do të përcaktoheshin vetëm nga votat e zgjedhësve të 8 qarqeve të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, koalicioni i udhëhequr nga Rama do të kishte siguruar 72 mandate nga

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Problemi verior i Ramës Nga Eduard Zaloshnja

Në qoftë se 140 mandatet e Kuvendit do të përcaktoheshin vetëm nga votat e zgjedhësve të 8 qarqeve të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut, koalicioni i udhëhequr nga Rama do të kishte siguruar 72 mandate nga votimi i 28 qershorit, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga Berisha do të kishte marrë vetëm 63 mandate. Por kjo epërsi e ndjeshme e koalicionit Rama në Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut u eklipsua plotësisht në 4 qarqet veriore, e madje u tejkalua. Dhe meqenëse Kushtetuta nuk i përjashton zgjedhësit e këtyre qarqeve nga e drejta për t’iu llogaritur vota, koalicioni Berisha siguroi 70 mandate, ndërkohë që koalicioni Rama mbeti në kuotën 66.

Këto shifra tregojnë se strategjia e Ramës për fitimin e zgjedhjeve dështoi në 4 qarqet veriore. Se ç’pjesë e strategjisë së tij nuk funksionoi në veri, ndoshta nuk do ta mësojmë dot kurrë, por gjasat janë se ajo çaloi, jo vetëm në drejtim të mbrojtjes së votës, por edhe në drejtim të marrjes së saj.

Kështu, është e vërtetë se rezultatet 300 me 0 në disa qendra votimi të qarkut të Shkodrës janë një indicie e qartë se procesi i votimit është manipuluar në atë qark, por sidoqoftë është vështirë të mendosh se manipulimet i kanë gëlltitur më shumë se 1 mandat PS. E njëjta gjë mund të thuhet ndoshta edhe për qarkun e Dibrës, ndërkohë që në qarkun e Lezhës dhe të Kukësit shpërndarja e mandateve me gjasa të forta do të mbetej e njëjtë, edhe po të eliminoheshin manipulimet e përfolura.

Në fakt, e majta e ka pasur në vite një problem verior. Kështu, nga një sondazh i kryer në prill të 2008-ës, rezultonte se vetëm 27% e të anketuarve kishin votuar rregullisht për të majtën në 4 qarqet veriore, ndërkohë që për të djathtën kishin votuar rregullisht 57% e tyre. Dhe rezultatet e 28 qershorit treguan se e majta (koalicioni Rama + koalicioni Meta) u ngrit ndjeshëm mbi nivelin e votuesve të rregullt të saj - arriti kuotën 38% - por sidoqoftë mbeti shumë më prapa se e djathta (koalicioni Berisha + koalicioni Meksi), e cila mori 62%.

Duke pasur parasysh se Meta tani është në koalicion me Berishën, problemi verior i PS bëhet edhe më i mprehtë. Kjo sepse 4 përqindëshi që mori partia e Metës në qarqet veriore nuk ka gjasa të rrudhet ndjeshëm në zgjedhjet e ardhshme. Përkrahësit veriorë të Metës nuk mund të jenë aq të lidhur tradicionalisht me të majtën, siç janë ata jugorë. Si rezultat, për arsye pragmatiste, ata mund ta aprovojnë martesën e Metës me Berishën edhe për një mandat të dytë qeverisës.

Në këto kushte, Ramës i mbetet të fillojë që tani të mendojë për një strategji më të mençur për veriun. Është e vërtetë se ai rezultoi udhëheqësi më i suksesshëm i PS në elektoratin verior, por gjithashtu rezultoi se suksesi i tij nuk ishte i mjaftueshëm për t’i dhënë një mandat qeverisës.

Rama e bazoi fushatën e tij në veri kryesisht te simpatia që elektorati i lëkundur presupozohej të kishte për të si një figurë që ishte shfaqur fillimisht në skenën publike si një antikomunist i zjarrtë - fjalimet gjatë fushatës elektorale në Shkodër e gjetkë janë një ilustrim i qartë i kësaj strategjie. Dhe fakti që koalicioni i tij, edhe në kushtet e manipulimeve të mundshme, siguroi 34% të votave në 4 qarqet veriore (pra, 7% më shumë se niveli i votuesve të rregullt të gjithë së majtës të marrë së bashku), tregon se të lëkundurit kanë shkuar në masë drejt koalicionit të tij. Por që rezultatet në të ardhmen të jenë më të larta, duhet që të lëkundurit të konsolidohen rreth PS, ndërkohë që komisionarët të jenë më besnikë ndaj saj.

Që ky objektiv të realizohet, nuk mjafton vetëm të luhet karta e vjetër e antikomunizmit të Ramës. Ndoshta promovimi i figurave veriore në grupin udhëheqës të PS mund të krijojë shtratin e nevojshëm për një punë më kapilare të saj në qarqet e veriut. Marrja dhe ruajtja e votës në veri, si dhe në enklavat me popullsi veriore të krijuara në Shqipërinë e Mesme pas vitit 1990, kërkon një strategji më pak moderne, të bazuar kryesisht në lidhje krahinore e fisnore. Një strategji kjo e aplikuar me shumë sukses deri më sot nga Berisha.

Dhe meqë ra fjala për Berishën, vlen të theksohet se ai e kuptoi mirë se sa e dëmshme ishte përçarja e votës së djathtë në vitin 2001. Si rezultat, ai e ribashkoi të djathtën në përmasat më të mëdha të mundshme në vitin 2005, e sidomos në 2009-ën. Përballë një Berishe të tillë, të përforcuar së fundmi edhe me Metën, Rama nuk do të ketë luksin të shkojë në zgjedhjet e ardhshme me një të majtë të përçarë. Dhe kjo s’vlen vetëm për veriun...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›