E Diel, 1 Nëntor 2026

Gallup: Shqiptarët të kënaqur, por ka korrupsion

TIRANE- Balkan Monitor di Gallup Europe publikon raportin "Insights and Percepton: Voices of the Balkans". Raporti jep një ide të përgjithshme mbi opinionin publik në vendet e Ballkanit 20 vjet nga rënia e Murit të Berlinit dhe 10 vjet nga lufta në Kosovë. Rezultatet e këtij raporti kanë ardhur pas intervistimit të 1000 qytetarëve në cdo vend të rajonit. Intervistat janë kryer gjatë muajit shtator 2009 dhe kanë zgjatur rreth një orë. Margji i gabimit është +/ - 3 %. Këtë vit ky raport u organizua në bashkëpunim me Fondin Europian për Ballkanin dhe u prezantua dje në Bruksel nga  presidenti i këshillit italian Xhuliano Amato.

Hulumtimi në Shqipëri ka qenë një suprizë për Gallzup: "Rezultatet janë pozitive në disa aspekte të jetesës së shqiptarëve, si në standardin e tyre të jetesës apo në identifikimin e tyrë me udhëheqësit politikë." - shkruhet në raportin 40 faqesh që është publikuar online. 

Pavarësisht krizës financiare shqiptarët, janë ndër qytetarët më të kënaqur me standardet e jetesës së tyre në rajon. Pyetjes A jeni të kënaqur me standardin e jetesës, me të gjithë gjërat që ju mund të bleni dhe të bëni? 54 % e të intervistuarve i janë përgjigjur të kënaqur, ndërsa 40 % janë të pakënaqur. Një vit më parë kjo shifër ishte 44 % ndërsa në 2006 ishte 47 % .

Hulumtimi vëren se mbështetja e shqiptarëve për hyrjen në BE është rritur në nivele të larta në krahasim me vitin e kaluar, 88 % e të intervistuarve janë pro anëtarësimit në BE. Së bashku me shqiptarët e Kosovës kjo është përqindja më e lartë në rajon.

Por zhvillimet që njerëzit presin pasi të hyjnë në BE nxjerrin në pah disa nga problemet akute që ka Shqipëria. Shqiptarët mendojnë se anëtarësimi në BE do t’i sjellë atyre liri udhëtimi, më shumë siguri dhe një zbatim më të fortë të ligjit.

"Cështja reflektohet dhe në shifrat e korrupsionit. 52 % e shqiptarëve i është dashur të paguajnë nën dorë vitin e kaluar. Kjo është shifra më e lartë në Ballkan. Në anën tjetër niveli i korrupsionit në botën e biznesit është vlerësuar ndër shifrat më të ulëta në rajon, dhe të intervistuarit mendojnë se janë më pak të prekur nga krimi i organizuar. "- thuhet në raport.

Një tendencë pozitive është identifikimi i opinionit publik me klasën politike. 63 % e të intervistuarve thonë se është një parti apo një politika që përfaqëson bindjen e tyre politik. Kjo është shifra më e lartë në rajon dhe është rritur në krahasim me vitin 2006, kur shifra ishte 34%

Sa i përket mbështetjes ndaj qeverisë rreth 40 % e të intervistuarve thonë se qeveria po bën një punë të mirë ose të shkëlqyer, ndërsa 30 % besojnë se puna e qeverisë është e varfër.

Pavarësisht këtyre shifrave, shqiptarët shikojnë se një perspektivë më e mirë do të ishte jashtë. Pyetjes nëse do të pëlqenin të vazhdonin të jetonin në Shqipëri apo të shkonin në një shtet tjetër 46 % e shqiptarë janë përgjigjur se do pëlqenin të jetonin në një vend tjetër, ndërsa 38 përqind thonë se pëlqejnë të jetojnë në Shqipëri. Në krahasim me një vit më parë kjo shifër është rritur me 4 %. Në vitin 2006 kjo shifër ishte 32 %. Katër nga 10 pjesëtarë të një familjeje kanë lënë vendin në këto 5 vitet e fundit. Ky është niveli më i lartë i emigracionit në rajon.
(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›