E Diel, 1 Nëntor 2026

Zv/ministrja e Brendshme greke: “Shtetësi emigrantëve shqiptarë”

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Athinë - Greqia konfirmon edhe një herë tjetër vullnetin e saj për dhënien e shtetësisë greke fëmijëve të emigrantëve të ligjshëm. Zëvendësministrja e Brendshme, Theodhora Xakri, në përgjigjen e saj në pyetjen e deputetit të partisë opozitare të Demokracisë së Re, Evangjelo Andonaro, gjatë një debati me këtë të fundit, sqaroi se shtetësia greke do tu jepet fëmijëve të emigrantëve të ligjshëm, të cilët lindin në Greqi - ashtu siç deklaroi kryeministri Jorgos Papandreu, në Forumin Botëror për Emigracionin. “Për ne, dhënia e shtetësisë emigrantëve të brezit të dytë, është një objektiv që duhet të arrijmë, prandaj do të përpiqemi ta zgjidhim në mënyrën më të mirë për vendin tonë”, - tha zonja Xakri. Por një argumentim i tillë, u hodh poshtë nga Andonaro, i cili vërejti se perspektiva e të drejtës së shtetësisë të atyre fëmijëve të emigrantëve, që lindin në Greqi, do të shtonte fluksin, gjithnjë në rritje të emigrantëve drejt vendit tonë. “Sipas mendimit tim, - shtoi ai,- fëmijët e emigrantëve të ligjshëm, duhet të marrin kartën “me afat të gjatë” dhe kur të mbushin moshën 18 vjeç, të kenë mundësi të vendosin nëse duan shtetësinë e prindërve apo shtetësinë greke.

Xakri

“Zgjidhja që ka vendosur qeveria, është njohja, tek fëmijët e emigrantëve të ligjshëm, e së drejtës së shtetësisë. “Për të mënjanuar rrezikun e shpërdorimit të ushtrimit të kësaj së drejte, sigurisht që do të vendoset një periudhë elementare për qëndrimin në Greqi, të prindërve ose të vetë fëmijve, nëse bëhet fjalë për jetimë apo për femijë të pashoqëruar. Me këtë mënyrë ne i përgjigjemi frikës, që disa si ju përpiqen të ngjallin në shoqërinë greke, se gjoja me këtë mënyrë vendi ynë do të bëhet një destinacion tërheqës për emigrantët e paligjshëm nga e gjithë bota”, - tha zv.ministrja dhe plotësoi: “Nevojën për rivendosjen e regjimit ligjor dhe personal të tyre, nuk e lëmë kryesisht në duart e emigrantëve, por në shoqërinë greke dhe kohezionin e saj. Pra, ose do të mbetemi në logjika dhe koncepte të vjetra, ose do të shkojmë përpara në çështjet e shtetësisë, me mënyrën që përmenda më sipër”, - përfundoi zv.ministrja e Brendshme.

Premtimi i Ragusis

Ndryshime të mëdha në politikën për emigracionin komunikoi përpara votëbesimit të qeverisë Papandreu, ministri i Brendshëm, Decentralizimit dhe Qeverisjes Elektronike, Janis Ragusis, gjatë fjalimit të tij në Parlament në kuadër të deklaratave programatike të qeverisë së re. Ministri grek u zotua se qeveria greke do të angazhohej në dhënien e së drejtës për të zgjedhur e për tu zgjedhur tek emigrantët në zgjedhjet e ardhshme dhe dhënien e shtetësisë greke fëmijëve që rriten në Greqi. Ministri Ragusis, midis të tjerash, parashikoi se qeveria greke do të angazhohej në dhënien e së drejtës për të zgjedhur e për tu zgjedhur tek emigrantët, në zgjedhjet e Pushtetit Vendor dhe dhënia e shtetësisë greke fëmijëve që rriten në Greqi. Siç deklaroi zoti Ragusis, shtetësinë greke do ta marrin fëmijët që lindin në Greqi dhe që prindërit e tyre jetojnë në këtë shtet për një periudhë të caktuar kohe, por edhe fëmijët që ndjekin shkollën greke për një kohë të arsyeshme. Në lidhje me të drejtën e votës, ajo do tu jepet emigrantëve të brezit të dytë dhe të gjithë atyre që kanë plotësuar 5 vjet qëndrimi në Greqi, në përputhje me ligjet që ndjekin vendet e tjera të Bashkimit Evropian. “Objektiv i qeverisë është që ata të votojnë në zgjedhjet e ardhshme të Pushtetit Vendor”, - tha ministri grek i Decentralizimit dhe Qeverisjes Elektronike, Janis Ragusis.
Ky lajm është publikuar: 18/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›