E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i ndërprerë i socialistëve, sms ngushëlluese për njohjet e vjetra kriminale, me të cilat nuk distancohet

Kryetari mandatmbaruar i Partisë Socialiste Edi Rama ka ngushëlluar familjarët e katër policëve të rënë në krye të detyrës në distancë. Që nga SHBA ku ai së bashku me të përzgjedhurin e tij të zemrës Erion Velinë po mundohen të garantojnë të ardhmen politike në kundërshtim me vullnetin e shqiptarëve, dërgoi me sms tek njerëzit e PS-së, tekstin përkatës ngushëllues.
Informacionet e besueshme afër Edi Ramës pohuan se gjatë kohës që ka mbërritur lajmi për masakrën që fatkeqësisht krimi arriti të bënte mbi efektivat e policisë ditën e premte, ai qetësisht e fort thjesht ka nxjerrë celularin dhe përmes tij ka shprehur “keqardhje, madje edhe indinjatë të thellë” për ngjarjen tragjike që u mori jetën katër policëve shqiptarë në krye të detyrës. Ngushëllimi i tij, kësaj radhe për së largu nuk u ngjan reagimeve elektorale për viktimat e rastit të Gërdecit, por është edhe më “i sinqertë”, sepse është bërë me gjithë zemër.
Duke mos lënë as këtë rast pa e shfrytëzuar për interesa të ngushta politike ai nuk harron të theksojë se fajin për ngjarjen e ka qeveria. Sipas tij faji nuk është i eksponentëve të trashëguar në policinë e shtetit apo gjykatat që i lirojnë ata që në kohën e qevrisjes së të majtëve të njohur për korrupsion nga të gjitha organizmat ndërkombëtare, por i qeveris Berisha që po godet dhe shkërmoq (me çdo lloj kostoje) krimin e organizuar të suportuar dhe lulëzuar nga filozofia që Rama mbron sot. Ai thotë se ngushëllon me zemër dhe shpreh solidaritetin e Partisë Socialiste me Policinë e Shtetit në këtë orë kaq të vështirë, por nuk bën asnjë premtim për bashkëpunim të plotë të opozitës për të çrrënjosur krimin e kriminelët nga Shqipëria.
Ai nuk dënon as lidhjet e segmenteve të partisë së tij të përfolura me krimin dhe as korrupsionin e kultivuar gjatë qeverisjes së partisë së tij dhe nuk ndjen asnjë përgjegjësi morale dhe politike për mosgoditjen efektive të krimit në kaq vite të qeverisjes së mbrapshtë socialiste. Ai nuk ka mundur të thotë ndojë sqarim se përse krimineli Dajti dhe shumë të tjerë nuk u gjurmuan dhe as u ndaluan gjatë mandatit socialist. Ai nuk sqaron se përse gjatë qeverisjes së partisë së tij personazhet e “Hakmarrjes për Drejtësi” apo të tjerë kriminelë u ndihmuan të azilohen jashtë shtetit. Ai nuk do të ndihmojë strukturat e policisë së shtetit për të larguar hijet dhe fantzmat e krimit të organizuar, por vetëm të shfrytëzojë rastin për interesa të ngushta politike e për të sulmuar familjen kryeministrore.
Por bilanci mes Sali Berishës që ndjek dhe lufton krimin në çdo skutë dhe Edi Ramën që u dërgon sms ngushëlluese viktimave të policëve të rënë në krye të detyrës është i qartë dhe i kthjellët për shqiptarët.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›