Gangsteri i Prishtinës ende në arrati

Personi i cili gjatë ditës së djeshme kishte shtënë me kallashnikov te Fakulteti i Filologjisë afër kafes “Kaos”, ku dhe u plagosën dy persona, tashmë për policinë e Kosovë është person i njohur.
Zyrtari për informim në Policinë e Kosovës, Agron Borovci, ka thënë se rasti i ditës së djeshme po vazhdon të hetohet, dhe se personi i cili shkaktoi plagosjen e dy personave po vazhdon të jetë në arrati.
“Po tashmë është bërë i ditur identiteti i personit i cili gjatë ditës së djeshme ka shtënë me Kallashnikov, megjithatë ai ende po vazhdon të jetë në arrati”, ka thënë Borovci për indeksonline.
Përleshja kishte filluar për shkak të mosmarrëveshje në lidhje me disa aparatë të lojërave të fatit.
Një prej të përfshirëve në përleshje, sipas burimeve të Indeksonline është Hasbi Sekiraça. Pronarët e lokalit të lojërave të fatit ku Sekiraça kishte hyrë duke i sulmuar, janë mbrojtur me armë. Aty është plagosur D.K.
Ndërkaq, njëri prej të plagosurve është kalimtar rasti i cili nuk ishte i përfshirë në përleshje./M.Mustafa/Indeksonline/