Qindra shqiptarë protestojnë para Ambasadës serbe
.jpg)
(E plotësuar) Disa qindra qytetarë kanë marrë pjesë në protestën e organizuar përpara Ambasadës së Serbisë në Shkup, prej ku është shprehur revolta për mënyrën e trajtimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga ana e institucioneve serbe.
Në ballë të protestuesve kanë qëndruar kryetari i SHVL-UÇK-së, Fazli Veliu, kryetari i OVL-UÇK-së, Besim Hoda, si dhe përfaqësuesit e Unionit Studentor të USHT-së.
Ambasada e Serbisë ka qenë e “blinduar” me policë, ndërsa kordoni ishte vënë në 300 metra largësi nga objekti.
Protestuesit kanë kërkuar rishikimin e vendimit për heqjen e lapidarit të UÇPMB-së, duke e quajtur antishqiptar dhe millosheviçian.
........................
Para ambasadës së Serbisë sot në Shkup do të mbahet protesta kundër diskriminimit dhe represionit serb ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe heqja e lapidarit të UÇPMB-së.
Protesta organizohet nga Shoqatat e veteranëve të luftës së UÇK-së dhe Unioni i Studentëve të USHT-së, ndërsa protesta është përkrahur edhe nga parti të ndryshme politike, shoqata, përfshirë edhe Lëvizjen “Vetëvendosje!”.
"Ne shqiptarët vendorë në IRJM, të indinjuar nga veprimet anti-UÇK-së dhe antishqiptare të institucioneve shtetërore e qeveritare të Serbisë, në Preshevë, duke hequr Emblemën e UÇPMB-së dhe duke tmerruar popullatën shqiptare atje, të organizuar dalim në mbrojtje të vlerave të UÇPMB-së dhe të popullatës së pambrojtur në viset stërgjyshore shqiptare", ka deklaruar kreu i SHVL-së së UÇK-së, Fazli Veliu.
Protesta vjen në shenjë solidariteti ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, pas heqjes me forcë të Memorialit për luftëtarët e UÇPMB-së në qendër të Preshevës si dhe pas arrestimeve të fundit të shqiptarëve dhe situatës së tensionuar të krijuar atje. Protesta fillon në ora 14.00, ndërsa organizatorët kanë ftuar qytetarët për masovizim./Indeksonline/