Tri rajone të Shtërpcës, prej një jave pa roja të rregullta pylli
.jpg)
Shkaku i skadimit të kontratave në vepër të mbikëqyrësve të pyllit, malet e Komunës së Shtërpcës janë pa mbikëqyrje.
Kështu pjesa më e madhe e pyjeve, sidomos ajo shqiptare, që përfshin territoret: Brod, Firajë, Kashtanjevë, prej një jave janë pa roja të rregullta pylli.
Ndërkaq mbikëqyrja e pyjeve të kësaj ane bëhet herë pas here dhe me zëvendësime nga roja të rajoneve të tjera, por jo rregullisht.
Kjo ka ardhur si pasojë e skadimit të kontratës në fillim të këtij muaji të 3 rojave, që punonin me kontratë në vepër, por edhe mospagesës prej 4 muajsh të tyre shkruan sot Koha Ditore.
Ramadan Ramadani, një nga rojat e pyllit që ka për detyrë ta kontrollojë terrenin malor të Brodit, ka thënë se prejse ka nisur punën, 4 muaj më parë, nuk ka marrë fare pagë.
“S’jemi paguar 4 muaj me radhë sa kemi pasur kontratë. Ndërkaq kontrata na ka skaduar në fillim të muajit shkurt dhe ka një javë që pyjet janë të paruajtura”, ka thënë ai. Mungesën e rojave të pyllit në këto territore e kanë konfirmuar edhe rojtarë të tjerë, por autoritetet përgjegjëse për pyje në Shtërpcë kanë thënë se terreni megjithatë po kontrollohet./Indeksoline/