E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara në PS, Rama e Lakrori shpalosin platformat në Korcë

Kandidatët për kryetar partie në PS, Rama e Lakrori janë ndalur në Korcë, ku kanë paraqitur platformat e tyre. Rama përsëriti qëndrimin e tij për bojkot të kuvendit, ndërsa Lakrori nënvizoi nevojën e bashkimit të së majtës. 

KORÇË- Gara për kreun e ri të Partisë Socialiste është ndalur në qytetin e Korcës. Kandidatët për kryetar Edi Rama dhe Maqo Lakrori shpalosën platformat e qëndrimet e tyre për drejtimin e PS.
Kreu aktual i Partisë Socialiste, Edi Rama përsëriti qëndrimin e tij se PS nuk mund të bëhet pjesë e Parlamentit pa u plotësuar kërkesat. Rama kërkoi të zbatohet ligji i Kodit Zgjedhor për hapjen e kutive të votimit, si garanci për një proces të rregullt .
"Opozita nuk po arrin t'a gjejë të drejtën e saj në gjykatë, sepse këtu ka rënë drejtësia që jep drejtësi. Në rast se ne i falim zgjedhjet e 28 Qershorit, kemi falur edhe zgjedhjet që do të vijnë pas tyre ", theksoi Rama.
Ndërsa kandidati tjetër, Maqo Lakrori e vuri theksin në ndryshimet, sipas tij të nevojshme në statusin e PS.

"Si kandidat për kryetar parashtroj ndryshime të thella në statusin e Partisë Socialiste, në mënyrë që të parandalohet çdo krijim i kultit të individit i një drejtuesi që pretendon se i di të gjitha, të futet në parti parimi i konkurimit të vlerave", u shpreh Lakrori.
Lakrori nënvizoi se PS duhet të synojë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohëshme dhe fitoren në zgjedhjet e ardhshme lokale nëpërmjet një të majte të bashkuar.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›