E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara për PD-në e Tiranës, nisin grupimet

Autori i Lajmit: red.
Gara për të fituar postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Tiranës ka filluar të krijojë dhe ndarjet e para në selinë blu. Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, njëkohësisht deputet i PD-së, Aleksandër Biberaj, ka shprehur dje publikisht mbështetjen e tij ndaj kandidaturës së Besnik Mustafaj për kreun e PD-së së Tiranës. Biberaj vlerëson vlerat dhe aktivitetin politik të Mustafajt duke e konsideruar atë si kandidaturë dinjitoze për këtë post. “Mustafaj është një kandidaturë dinjitoze, me autoritet dhe reputacion për drejtimin e demokratëve të Tiranës, me qëllim fitoren e një mandati të dytë qeverisës nga ana e PD-së dhe e së djathtës. Vetë formimi intelektual dhe qytetar i tij si dhe karriera e tij e suksesshme politike dhe diplomatike, janë garancia më e mirë për përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të demokratëve të Tiranës”, - vlerëson Biberaj. Pak ditë më parë ish-kreu i diplomacisë shqiptare, Besnik Mustafaj vetshpali kandidaturën për kreun e PD-së së kryeqytetit. Por pas kandidaturës së tij burime nga sesia blu siguruan se ai nuk do të jetë i vetëm në garë. Sekretari organizativ i demokratëve, Flamur Noka ka pohuar për “Ballkan” se do të ketë dhe emra të tjerë të cilat do të zgjidhen në bazë të procedurave normale të ndjekura nga kjo parti. Megjithatë sipas Nokës është krejt normale që një eksponent i PD-së shpall kandiaturën e tij edhe pse nuk ka nisur realisht procesi i propozimit dhe më pas përzgjedhjes së këtyre kandidatëve. Pritet që në ditët të vazhdim të nisë beteja e vërtetë mes demokratëve. Këtë periudhë shumë nga zërat e vjetër në PD kanë kritikuar selinë blu për mënyrat e përzgjedhjes së saj. Vetëm pak ditë më parë deputeti demorkat, Preç Zogaj këmbënguli në idenë e tij se përzgjedhjet për poste në parti apo në Ekzekutiv duhet të bëhen në bazë të kontributeve dhe vlerave dhe jo vendimeve individuale të njërit apo tjetrit.

Ky lajm është publikuar: 08/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›