Projekti i burgjeve, ushqimet e të burgosurve tani do të kalojnë në skaner
TIRANË - Për të parandaluar futjen e sendeve të ndaluara në burgje, një nga investimet e bëra nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është vendosja e skanerëve në hyrje të institucionit të vuajtjes së dënimit, meta-detektorët, gjithashtu edhe kamerat. Por jo vetëm kaq, burime nga Drejtoria e Burgjeve bënë të ditur se veç mjeteve teknologjike do të ketë edhe kontrolle të vazhdueshme në qelitë e burgjeve nga gardianët. Kështu, vetëm ditët e fundit, në institucionet e vuajtjeve të dënimit janë kryer rreth 300 kontrolle në qelitë e të dënuarve për të siguruar që në dhomat e tyre nuk është futur ndonjë celular apo edhe lëndë narkotike. Kështu, kontrolle, përveç familjarëve, avokatëve që takojnë të afërmit dhe klientët e tyre, kontrolle të rrepta ushtrohen edhe ndaj gardianëve që qëndrojnë në regjimet e brendshme të burgjeve duke marrë shkas edhe nga arrestimet që janë kryer kur gardianët kanë futur mjete të palejuara në qeli. Pritet që të vendosen në burgje edhe antena, të cilat do të ndalojnë valët e celularëve duke bërë të mundur që ata të mos të funksionojnë në burgje. Por duket se siguria në burgje do të jetë një prioritet i Drejtorisë së Burgjeve pasi burgjet do të monitorohen nga kamerat, dhe kjo do të implementohet në burgun e Durrësit. Në këtë sistem do të implementohet: akses kontroll, hapja e dyerve kryesore me karta, citofoni për çdo qeli e përqendruar në sallën operative, si dhe bashkëpunimi me radion dixhitale trank, i cili është në fazën e implementimit.
Aksidentohet autobusi, shpëtojnë mrekullisht 25 shqiptarë
ATHINË - Një autobus i linjës Shkodër-Tiranë-Athinë u aksidentua në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme në hyrje të Athinës. Sipas Policisë greke, autobusi i kompanisë shqiptare “Albania Interlines” doli nga rruga dhe u përplas me murin anësor të autostradës Athinë-Korinth, në kilometrin e 19-të të saj. Policia thotë se autobusi i kompanisë shqiptare ishte në gjendje jo të mirë teknike dhe në të ndodheshin 25 pasagjerë, të gjithë shqiptarë. Mësohet se në zonë në momentin e aksidentit binte shi dhe rruga ishte e rrëshqitshme. Ekspertët e Policisë Rrugore që kontrolluan mjetin konstatuan se vjetërsia e gomave, e koordinuar me shpejtësinë mbi normat e lejuara dhe terrenin e rrëshqitshëm mund të jenë shkaqet e këtij aksidenti. Burime policore thanë se në momentin e përplasjes autobusi kishte 25 persona në bord, por për fat askush prej tyre nuk pësoi dëmtime. Në aksident u përfshi edhe një autoveturë, drejtuesi i së cilës u plagos lehtë. Pasagjerët u dërguan në destinacionin e tyre përfundimtar me taksi dhe mjete të rastit. Ky është aksidenti i tretë i autobusëve të kësaj kompanie brenda një viti.
7 Qershor 2010