Pasaporta, emigrantët në Itali mund ta marrin në ambasadë
Artan CENA
ROMË - Tashmë vendimi i qeverisë shqiptare është marrë. Shqiptarëve të Italisë nuk do t’u duhet të shkojnë patjetër në Shqipëri për të aplikuar e për të tërhequr pasaportën e re biometrike. Këtë do të mund ta bëjnë pranë ambasadës apo konsullatave të përgjithshme. Këtë e thotë ambasadori ynë në Romë, Llesh Kola. Ende nuk dihet data e saktë; tani për tani kjo gjë është miratuar në parim. Pritet që shpejt të merret vendimi edhe për përcaktimin e çështjeve teknike, si për shembull datën e fillimit të procedurës, koston e dokumentit, kohën e pritjes për tërheqjen e tij. Është mëse e arsyeshme të thuhet se praktika do të nisë pas verës. Ambasadori bën të ditur se qysh në nëntor 2009 i ka përcjellë Ministrisë së Brendshme shqiptare shqetësimin e shumë bashkatdhetarëve që kërkonin t’u jepet mundësia të kërkojnë e të marrin pasaportën e re në Itali, ashtu siç bënin deri vjet për pasaportën tjetër.
Problemi
I njëjti problem duket se është ngritur edhe në vendet e tjera ku ndodhen shqiptarë. Dhe, siç shpresonte shumëkush, më në fund vendimi është marrë: do të aplikohet pranë ambasadës e konsullatave, qoftë në Itali, qoftë në Greqi, ku është përqendruar numri më i lartë i emigrantëve, mbi një milion shqiptarë. “Parimisht është vendosur gjithçka, ka mbetur vetëm zgjidhja e disa çështjeve teknike me firmën që prodhon praktikisht dokumentet e identifikimit”, – thotë ambasadori. “Është shumë e mundur që kjo procedurë të nisë nga shtatori, pasi të ketë mbaruar edhe fluksi i lartë i emigrantëve që kthehen në atdhe për pushimet e verës”. Sa për çmimin, me siguri do të paguhet fakti që shërbimi po ofrohet jashtë shtetit. “Flitet se do të kushtojë rreth 70 euro – thotë ambasadori, që saktëson – por ende nuk ka një vendim zyrtar mbi këtë pikë”.
Në Greqi
Merr fund sorollatja e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Tani aplikimi i pasaportave do të bëhet në ambasadë. Kjo procedurë e re do t’u sjellë emigrantëve mundësinë e shumëpritur, pajisjen me pasaportë në ambasadë. “Janë bërë të gjitha bisedimet midis ministrit të Jashtëm, zotit Meta, ministrit të Brendshëm Basha dhe kompanisë private që prodhon pasaportat, për të filluar procesi i pajisjes së emigrantëve me pasaportë në ambasadë”,- deklaroi zoti Minarolli disa javë më parë. Gjithashtu, ambasadori thekson se procesi nuk do të vonojë dhe vonesa është vetëm për disa probleme teknike. “Pritet nga dita në ditë që kompania private të rregullojë sistemin dhe të fillojë aplikimi”, - shtoi ai. Por si do të jetë procedura? Emigranti do të mund të aplikojë në ambasadë dhe të dhënat e tij do të dërgohen online në Tiranë. Më pas pasaporta do të vijë në Athinë, ku dhe do të paraqitet i interesuari për ta marrë, përfundon zoti Minarolli. Theksojmë se ky është një nga problemet më të mëdha të emigrantëve shqiptarë në Greqi, sidomos atyre që u humbiste pasaporta dhe ishin të detyruar të prisnin më shumë se një muaj në Shqipëri për ta marrë atë.
Procedurat për marrjen e pasaportës nga ambasada
Por, si do të jetë procedura që një emigrant shqiptar duhet të ndjekë për të bërë aplikimin për dokumentin e identifikimit? Emigranti do të mund të aplikojë në ambasadë dhe të dhënat e tij do të dërgohen online në Tiranë. Sipas zotit Minarolli, “më pas pasaporta do të vijë në Athinë, ku do të paraqitet i interesuari për ta marrë”. Pajisja me pasaportat biometrike ka qenë një nga problemet më të mëdha të emigrantëve shqiptarë në Greqi, sidomos atyre që u humbiste pasaporta dhe ishin të detyruar të prisnin më shumë se një muaj në Shqipëri për ta marrë atë. Por ardhja e tyre në Shqipëri shkaktonte probleme në punë dhe shpenzime. Duke qenë se një pasaportë biometrike në Shqipëri vonon më shumë se 45 ditë, kjo për emigrantët ishte një humbje e madhe, pasi kostoja e shpenzimeve shkonte deri në 1500 euro. Në këtë mënyrë shpenzimet dhe sorollatjet shtoheshin për emigrantët pasi ai duhej që të shkonte në ambasadë dhe ministri për t’i përkthyer.
Nisin hetimet
Greqi, shqiptari vdes në burg pasi i mungoi mjekimi
ATHINË - Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e djeshme në burgun Malandrinos të sigurisë së lartë në Greqi, ku një i burgosur shqiptar nga Vlora nuk ka marrë ndihmën e duhur mjekësore duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Viktima Dashamir Doku, i cili vuante prej pesë vitesh dënimin, kishte shfaqur shqetësime prej një muaji. Doku vuante nga zemra dhe mjekimet e duhura nuk i merrte, pasi në farmacinë e burgut nuk posedonin ilaçe. Të burgosurit janë hedhur në grevë urie, duke kërkuar të drejtat e tyre, pasi nuk është rasti i parë. Para një viti një person tjetër i ka dhënë fund jetës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Të burgosurit kërkojnë ndihmë nga Ministria e Drejtësisë. Të burgosurit denoncuan duke informuar se katër të burgosur të tjerë i kanë dhënë fund jetës, ndërsa nga autoritetet greke nuk ka reagime. Të burgosurit kërkojnë plotësimin e kushteve më minimale të jetesës. I burgosuri që ka ndërruar jetë punonte në kuzhinë dhe kohë më parë kishte treguar shenja sëmundjeje. Në orën 10:30, Dashamir Doku kishte shfaqur shqetësime në kraharor. E ndërsa autoambulanca ka ardhur në orën 12:00, ku Doku mund të ketë vdekur gjatë rrugës ose në spital për shkak të ndonjë infarkti. Ky është rasti i parë që të burgosurit ankohen për kushtet më minimale, ndërsa ka pasur raste dhe ankesa për gjykim të shkurtuar ose dënim maksimal.
7 Qershor 2010