E Diel, 1 Nëntor 2026

Gara për ideologji të djathta-si lojë në një portëNga Milazim KrasniqiJoserioziteti me të cilin Ramush Haradinaj e shpalli veten lider të së djathtës, është tregues i joseriozitetit me të cilin farkohet politika prej tij, sepse vetëm një ditë pas dek

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Gara për ideologji të djathta-si lojë në një portëNga Milazim Krasniqi

Joserioziteti me të cilin Ramush Haradinaj e shpalli veten lider të së djathtës, është tregues i joseriozitetit me të cilin farkohet politika prej tij, sepse vetëm një ditë pas deklaratës pompoze që dha, ai u demantua nga LDK-ja, e cila që nga krijimi i saj në vitin 1989, perceptohet si parti djathtiste.

LDK në fakt ka lindur si opozicion legal politik ndaj regjimit represiv komunist serbo-jugosllav dhe nga ky aspekt ka qenë partia e parë legale jokomuniste në Kosovë. Edhe lideri i saj, Dr. Ibrahim Rugova, me të kaluarën familjare dhe me formimin intelektual e politik, minimalisht mund të thuhet se ka qenë jokomunist.

“Rugovizmi” nuk është domosdoshmërisht djathtizëm

Natyrisht, nuk ka qenë e tërë LDK-ja antikomuniste/jokomuniste, sepse duke qenë një lëvizje masive politike, ajo ka pasur në gjirin e vet edhe kontigjente majtistësh, madje deri dhe majtistë ekstremë, që kanë përshëndetur me grushte.

Por, meqë lideri i saj dhe një grup intelektualësh rreth tij, e bartnin një frymë nacionalizmi kulturor, ajo u identifikua si antikomuniste, edhe pse, grupimet majtiste të futura brenda saj, në periudha të caktuara ia kanë deformuar doktrinën iniciale, e shpesh ia kanë zënë edhe frymën. As sot LDK nuk është e liruar plotësisht nga përqafimi i majtistëve të infiltruar brenda saj, të cilët të yshtur nga pushteti, janë akomoduar brenda saj dhe i kanë nxjerrë vetes namin edhe se janë bërë “antikomunistë”.

Ndërsa, sa i përket LDD-së, ka ndodhur një situatë e kundërt me LDK-në e fillimit: në LDD ekziston një kontigjent aktivistësh që e mendojnë veten me ideologji të djathtë, por lideri dhe rrethi i tij i ngushtë kanë më shumë koncepte majtiste. Shkumbëzimi retorik i disa prej figurave kryesore të kësaj partie, që gjithmonë duken se janë në panik revolucionar dhe gjithmonë e kërkojnë dikund armikun e fshehur, është sjellje tipike e majtistëve. Në këso situate, profilizimi i të dyja këtyre partive ende nuk ka ndodhur tamam.

Perceptimi se janë djathtiste, nuk i bënë me automatizëm që të jenë ëvrtet të atilla, me programe dhe me politika qeverisëse.

Të dyja këto parti, në konfuzionin e tyre ideologjik, e mbajnë si emblemë të djathtizmit të proklamuar “rugovizmin”, por kurrë nuk e kanë qartësuar se cilat elemente të atij rugovizmi i kanë para sysh, meqë as trashëgimia e Rugovës nuk është e tëra e djathtë dhe as nuk është për t’u kultivuar pa një vlerësim kritik. Duke u munduar të zhvatin sa më shumë nga miti për Rugovën, të dyja partitë e kanë lënë mënjanë trashëgiminë reale politike të Rugovës. Por, kjo punë edhe është bërë me të drejtë, pasi që në realitetet e sotme, një pjesë e madhe e trashëgimisë politike të Rugovës, as që mund të zbatohet. Fjala vjen, rezistenca paqësore, e cila paraqet bazamentin e tërë të ashtuquajturës “filozofi politike” e Rugovës, sot është thjesht jashtë përdorimit, sepse nuk ka nevojë për të. Ndërsa, në esencën e saj, “rezistenca paqësore” nuk është as element i ideologjisë së djathtë e as të majtë.

AAK ka emërtim dhe strukturë të partisë progresiste

Pikërisht konfuzionin e LDK-së dhe të LDD-së, lidhur me “rugovizmin” dhe me pozicionimet e veta ideologjike në realitetet e reja sociale e shtetërore të Kosovës, po përpiqet ta shfrytëzojë Ramush Haradinaj, për ta promovuar veten si “lider të së djathtës”. Marrjen me spektakle mediatike të figurave politike të LDK-së, defilimet e shpeshta te varri i Rugovës e madje edhe te një lis në fshatin e tij të lindjes(!), Ramush Haradinaj po i shfrytëzon, për ta prezentuar veten si këndi i tretë i një trekëndëshi të rugovizmit. Pra, kanë qenë dy parti rugoviste, ndërsa tash po bëhen tri të tilla, me synimin e qartë të vetë Haradinajt, që të trija këto parti t’i bashkojë nën hyqymetin e vet si rugovist i ri.

Por, Ramush Haradinaj si edhe kushdo tjetër, do të ketë probleme serioze në këtë ndërmarrje. E para, vetë emri i partisë së tij, me nocionet “aleancë” dhe veçmas “ardhmëri”, janë të karakterit progresist, pra të majtë.

Ardhmëria nuk është emërtim i një partie me koncepte konservatore. Në fakt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është formësuar nga grupime majtiste, nga Partia Parlamentare e Kosovës, nga LKÇK , nga UNIKOMBI dhe nga disa ish luftëtarë, në krye me Ramush Haradinajn, që kanë qenë të identifikuar si luftëtarë që kanë përshëndetur me grushte edhe para kamerave të teelvizioneve të huaja në vitin 1998. Për njëfarë kohe, eksponent i saj ka qenë madje edhe lideri komunist i Kosovës, në vitet shtatëdhjetë, i ndjeri Mahmut Bakalli. Pas themelimit të AAK-së si një aleancë, LKÇK-ja ka dalë nga ai organizim, ndërsa PPK-ja dhe UNIKOMBI janë shkrirë brenda saj. Mirëpo, shkrirja formale nuk do të thotë se ajo frymë majtiste e tyre është eliminuar tërësisht. Herët a vonë ajo do të shfaqet, ose si opozitë brenda, ose si grupim që do të largohet nga AAK. Sidoqoftë, tregimi me elementet majtiste brenda AAK-së, nuk ka përfunduar. Do të thotë se as profilizimi i saj ideologjik që do ta vendoste këtë parti si parti të djathtë, ende nuk ka ndodhur.

Në fund të fundit, mënyra e strukturimit të AAK-së tregon qartë se ajo udhëhiqet nga metoda tipike të majta: kryetari zgjidhet pa kundërkandidat, kryetari ka të drejtën ta zgjedhë kryesinë dhe këshillin e përgjithshëm me një autoritarizëm tipik majtist. Kjo praktikë është brenda praktikave që kanë pasur partitë e majta në demokracitë popullore. Pra, minimalisht pa i korrigjuar këto aspekte të Statutit dhe të metodave autoritare të veprimit, AAK nuk ka gjasa të shndërrohet në një parti me ideologji të djathtë, e as Haradinaj në një lider gjithëpërfshirës. Në këtë mes, ai nuk duhet të mashtrohet nga metodat e veprimit të Sali Berishës, sepse metodat e Berishës më shumë janë të majta se sa të djathta.

Uniteti i hekurt të cilin e ka vendosur Berisha në partinë e vet, është karakteristikë e partive të majta, e jo e partive të djathta. Mirëpo, Ramush Haradinaj është inkurajuar nga një protokoll bashkëpunimi që e ka nënshkruar me Sali Berishën dhe menjëherë ka lancuar idenë se ai është shefi i partive të djathta në Kosovë, meqë ai e paskësh marrë vulën nga “kryedjathtisti” shqiptar. Por, akte të tilla të nëshkrimeve të protokolleve të bashkëpunimit mund të nënshkruhen pafundësisht, djathtas e majtas, por ato nuk e bëjnë një transformim të një partie nga parti e majtë në parti të djathtë.

Nuk ka ambient për ndryshime të mëdha ideologjike

Kalimi nga një ideologji partiake në një tjetër është një proces i mundimshëm dhe i gjatë, i cili nuk vjen si rezultat i ambicieve të një lideri, sado agresive që të jenë ato ambicie. Ai transformim mund të vjen si rezultat i ndryshimeve të statusit social dhe ideologjik të anëtarësisë dhe të elektoratit dhe i ndryshimit të pritshmërisë së tyre, përkatësisht i mundësive që ato pritshmëri të realizohen me një ideologji tjetër partiake.

LDK në fillimet e veta, e ka kapur këtë pritshmëri dhe ka pasur sukses. LDD nuk ka mundur ta kapte, sepse nuk ka ndryshuar asgjë në pritshmërinë e elektoratit. As AAK nuk ka ku kapet, sepse nuk ka ndryshuar pritshmëria e elektoratit. E vetmja mundësi për ndryshimin e pritshmërisë së elektoratit do të ishte nëse do të hapej çështja shqiptare si çështje e bashkimti të të gjithë shqiptarëve në një shtet (republikë ose monarki) dhe nëse pritshmria e elektoratit do të ishte e madhe nga kjo çështje. Në atë rast, nacionalizmi agresiv do të kërkonte një ideologji të re mbështetëse. Prej andej do të hapej mundësia e një strukturimi të ri edhe të tërë skenës politike. Por, gjërat në skenën politike mbarëshqiptare dhe në rajon nuk po shkojnë në ata drejtim. Bile, Sali Berisha, firmosësi i protokollit të bashkëpunimit me AAK, as që përzihet, madje as me fjalë, në punët e brendshme të Maqedonisë e as të Serbisë, për punën e shqiptarëve të diskriminuar në ato shtete.

Prioriteti absolut i politikave të tij partiake e qeveritare është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, e jo loja me nacionalizmin “djathtist”. Përderi sa është ky trend europeist, i cili me siguri se të jetë aftagjatë, nuk ka gjasa të ndryshimet të pritshmërisë së shqiptarëve e kjo do të thotë as të ndryshimeve të mëdha ideologjike. Ideologjitë dhe praktikat e partive politike shqiptare në Shqipëri, në Kosovë dhe në Mqedoni, do t’i përcaktojnë kriteret e Brukselit.

Ndërsa, pa një tërmet të madh politik e ideologjik, është iluzore që AAK të pretendojë ta fusë nën sqetull LDK-në, sikundër e ka futur një fraksion të Ballit Kombëtar, i cili ka anëtarë sa për të mbushur spic një autobus të ish Kosovatransit.

AKR dhe PDK me gjasa më të mëdha se AAK që të zënë qendrën e djathtë

Për t’i kuptuar edhe më mirë shanset e pakta të Haradinajt në skenën politike, veçmas në qendrën e djathtë, duhet të shikohet edhe pozicionimi i AKR-së dhe i PDK-së. Edhe pse e formuar dhe e udhëhequr nga një pasanik, AKR më shumë koketon me varfanjakët, duke u premtuar se do t’u japë punë e mirëqenie. Pra, në vend vend se të mblidhte rreth vetes pasanikët e rinj e të vjetër dhe të krijonte bazat e një partie tipike konservatore, ajo anon drejt një partie të tipit socialdemokrat. Për shkak të këtij devijimi ideologjik, aktualisht ajo nuk është e besueshme fort as nga të varfërit e as nga të pasurit. Por, Pacolli ka treguar afinitet të bëjë edhe lëvizje të forta, prandaj ai edhe mund të lëvizë lehtësisht drejt të djathtës, ku do të ishte më autentik dhe më i besueshëm.

Përfundimisht, partia që do të vendos rregullat e lojës në skenën politike të Kosovës, edhe sa i përket konfigurimit ideologjik të kësaj skene politike, gjithsesi mbetet PDK. Edhe PDK ka një përbërje heterogjene si LDK-ja e dikurshme, pra me një lidership dhe qeverisje, që po annon nga e djathta dhe me një pjesë të aktivistëve e deputetëve që janë majtistë e të cilët, po të ishte për qejf e tyre, do të vazhdonin ende të përshëndesnin me grushte dhe Enver Hoxhën do ta mbanin si hajmali.

Por, po qe se shikohen me vëmendje disa gjeste të liderit të saj, Hashim Thaçit, fitohet përshtypja se ai vetë gradualisht po lëvizë djathtas. Fjala vjen, organizimi nën patronatin e tij i një Akademie përkujtimore për Shaban Pollluzhën, nuk mund të jetë pa një mesazh të tillë brenda vetes. Edhe programi ekonomik i partisë së tij ku parashihet privatizimi masiv dhe zbatimi i tij në praktikë nga qeveria që ai e drejton, lënë të kuptohet se ai e ka lëvizur partinë pakthyeshëm drejt një partie të qendrës së djathtë. Megjithëse një pjesë e aktivistëve të tij ende nuk u besojnë syve të tyre për këtë lëvizje trullosëse djathtas. Ata që tashmë po e kuptojnë këtë lëvizje, kanë filluar të grupohen te Partia Socialiste e Emrush Xhemajlit, e cila me siguri do të bëhet streha kryesore e nostalgjikëve të së majtës, që ende vegjetojnë në gjirin e PDK-së. Se cilat do të jenë konsekuencat e këtij procesi ideologjikisht dekontaminues në gjirin e PDK, tash për tash nuk mund të dihet. Por, kjo do të thotë se as profilizimi i ideologjisë politike te PDK-ja ende nuk është bërë.

Brenda zhvillimeve të tilla jo të natyrshme, përpjekjet e Ramush Haradinajt janë të parakohshme dhe jorealiste. Shpallja prej tij se do të kryesojë një “qeveri Haradinaj”, në koalicion me LDK e LDD, është një llogari pa hanxhiun. Si edhe pretendimi për t’u bërë lider i të djathtës, e cila në kuptimin e vërtetë të fjalës, në Kosovë ende nuk ekziston. Një “qeveri Berisha” nuk do ta ketë as frymëzuesi i Haradinajt, Sali Berisha, sepse edhe ai tash e tutje do të ketë një qeveri të kombinuar djathtiste-majtiste, që mund të quhet “qeveria Berisha-Meta”. Vota e elektoratit e ka prodhuar këtë gjendje dhe nuk ndihmon kurrfarë retorike për ta ndryshuar atë. As në Kosovë votat më nuk do të fitohen me retorikë boshe, qoftë djathtiste, qoftë majtiste.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›