E Diel, 1 Nëntor 2026

Dërgesat e emigrantëve kanë rënë me 6.6% në 6 muajNga Fitim ZekthiDërgesat në para të emigrantëve shqiptarë gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti janë prekur në mënyrë të ndjeshme nga kriza ekonomike, megjithatë ato nuk kanë rënë aq sa ishin par

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Dërgesat e emigrantëve kanë rënë me 6.6% në 6 muajNga Fitim Zekthi

Dërgesat në para të emigrantëve shqiptarë gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti janë prekur në mënyrë të ndjeshme nga kriza ekonomike, megjithatë ato nuk kanë rënë aq sa ishin parashikimet fillestare. Të dhëna zyrtare të Bankës së Shqipërisë bëjnë të ditur se dërgesat e emigrantëve kanë rënë me rreth 6.6 për qind në këta gjashtë muaj dhe kjo për shkak të krizës ekonomike që ka kapluar vendet ku jetojnë dhe punojnë emigrantët. Fakti që dërgesat e emigrantëve nuk kanë rënë në një vlerë shumë më të madhe, aq sa pritej në fakt, është një lajm i mirë për ekonominë shqiptare, por më anë tjetër kjo e dhënë dëshmon se ekonomia shqiptare është dëmtuar më shumë nga vetë ecuria e brendshme se sa nga elementë si dërgesat. Dërgesat e emigrantëve llogaritet se janë një prej stimuluesve kryesorë të konsumit në vend, ç’ka bën që shitjet të jenë në një nivel të mirë dhe për më tepër në kah rritës. Rënia e konsumit dhe sidomos rënia e madhe e shitjeve gjatë pjesës së parë të këtij viti në ekonominë tonë u mendua se kishte lidhje të drejtpërdrejtë me rënien e dërgesave të emigrantëve. Fillimisht dërgesat e emigrantëve llogaritej se do të binin me rreth 20 për qind dhe kjo llogari çoi në vlerësimin se rënia e konsumit dhe e shitjeve ishte më së tepërmi pasojë e uljes së dërgesave. Në të vërtetë ekonomia shqiptare i ka ulur shitjet për shkak të ngadalësimit të ekonomisë, mungesës së likuiditetit në treg, i cili ka vënë në vështirësi biznesin, uljes së eksporteve, por edhe të importeve, dhe pastaj edhe të dërgesave të emigrantëve. Ekonomia shqiptare është një ekonomi e strukturuar keq dhe është gjithnjë e gatshme të sulmohet në treguesit e saj bazë nga çdo ndryshim në tregun e huaj për shkak të nivelit shumë të lartë të importeve. Veç kësaj, ekonomia shqiptare ende ka një shkallë të vogël të shfrytëzimit të kapaciteteve, ç’ka e bën atë të dobët, ndonëse kriza e këtij viti për shkak të natyrës së saj, që goditi fillimisht sistemin financiar botëror, e ruajti Shqipërinë. Ekonomia shqiptare u shfaq elastike përballë kësaj krize për shkak të nivelit të ulët të pranisë së produkteve bankare në të dhe për shkak të izolimit të saj. Shqipëria, me gjithë ngadalësimin e madh, nuk ra në recesion dhe gjasat janë që ajo të mos bjerë.

Dërgesat e emigrantëve me rënien e tyre, ndonëse jo aq e ashpër, kanë ndikuar në ekonomi dhe më e pakta që ato kanë bërë është se nuk mundën të ndryshonin kahen e monedhës europiane euro. U mendua se gjatë verës, duke qenë se emigrantët vijnë në Shqipëri dhe sjellin valutë, euro do të dobësohej. Kjo nuk ka ndodhur dhe duket se do të vijojë të mos ndodhë edhe në muajt në vijim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›