Shkëmbim territoresh në Ballkan nuk lejon bashkësia ndërkombëtareNga Augustin PalokajShteti i Kosovës është krijuar në regji të bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa rolet kryesore në këtë ngjarje i luajnë liderët politikë kosovarë. Gjithçka rreth shtetit
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Shkëmbim territoresh në Ballkan nuk lejon bashkësia ndërkombëtareNga Augustin PalokajShteti i Kosovës është krijuar në regji të bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa rolet kryesore në këtë ngjarje i luajnë liderët politikë kosovarë. Gjithçka rreth shtetit të Kosovës vazhdon të shkojë sipas skenarit ndërkombëtar, ndërsa aktorët kryesorë, pas luajtjes së shkëlqyeshme të roleve deri tash, kanë filluar të kenë performanca pak më të dobëta sesa në fillim, sidomos në disa komente kur harrojnë se kush është regjisori kryesor dhe dëshirojnë krye më vete të improvizojnë në luajtjen e roleve sipas qejfit të tyre.
Ka arsye të mjaftueshme që dëshmojnë se gjithçka është sipas skenarit ndërkombëtar në Kosovë, prej njohjeve nga shtetet e tjera e deri tek emërimi i ambasadorëve të Kosovës. Sa u përket njohjeve të pavarësisë së Kosovës, proces që shkon dukshëm më ngadalë sesa që kishte pritur Kosova, përderisa në Kosovë vazhdojnë garat se “kush ka merita për cilën njohje”, diplomatët nga shtetet që e kanë njohur Kosovën nuk ngurrojnë të thonë se e kanë bërë këtë për shkak të raporteve që kanë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo me disa shtete kryesore të Bashkimit Evropian.
Kosova është projekt ndërkombëtar dhe këtë duhet ta kenë parasysh edhe ata që sot vazhdojnë të bëjnë analiza rreth ndarjes së Kosovës apo shkëmbimit të territorit. Kjo ndarje apo shkëmbim territori, pra, mund të ndodhë vetëm me lejen e bashkësisë ndërkombëtare. Një leje e tillë nuk do të jepet dhe një skenar i tillë nuk do të ndodhë. Kjo për shkak se bashkësia ndërkombëtare, e cila ka bërë aq shumë dështime në Ballkan, nuk guxon të lejojë një gjë të tillë, sepse çmimi do të jetë i rëndë për tërë Ballkanin. Edhe pse në Kosovë, edhe në Serbi, mund të ketë politikanë që janë të gatshëm të pranojnë ndarjen si një lloj pazari në një të ardhme, kjo në vend që të mbyllë problemet në Ballkan, do t’i rihapte shumë prej tyre. Nëse shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte “realitet” pse të mos jetë shkëmbimi mes Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë (Sanxhaku me Republikën Serbe) dhe shumë raste të tjera.
Serbia dhe Beogradi janë munduar shpesh ta parandalojnë pavarësinë e Kosovës duke e paraqitur si “ndarje të territorit të Serbisë”, por bashkësia ndërkombëtare që në fillim të procesit të pavarësimit të Kosovës ka bërë të ditur se Kosova duhet të pavarësohet në kufijtë që i ka pasur si njësi e Federatës jugosllave.
Sot kur pas tërë këtij procesi të përgjakshëm të shpërbërjes së ish- Jugosllavisë të gjitha njësitë federale janë pavarësuar në kufijtë që i kanë pasur si elemente konstitutive të ish-Jugosllavisë, me përjashtim të Vojvodinës, e cila nuk ka kërkuar pavarësi, do të ishte rrezik tepër i madh që të hiqet dorë nga ky parim. Kjo do ta hapte kutinë e pandorës dhe bashkësia ndërkombëtare është e vetëdijshme për këtë, prandaj është vështirë të besohet se mund të ndodhë një skenar i tillë.
Disa diplomatë evropianë shpesh kanë thënë se “populli do të habitej sikur ta dinte se sa liderë do të pranonin ndarjen e Kosovës”. Ndarja në baza etnike ka ndodhur tashmë, por nuk do të ketë shkëmbim territoresh e as njohje de jure të ndarjes për shkak se në Kosovë dhe rreth saj vendosin ndërkombëtarët e jo shqiptarët apo serbët. E çmimi i lartë i opsionit të shkëmbimit të territoreve e bën këtë mundësi vetëm monedhë për kusuritje.
Në vend të debateve të kota për shkëmbim territori, liderët politikë në vendet e ish- Jugosllavisë do të ishte më mirë të përqendroheshin në zhvillimin e vendeve të tyre dhe në procesin e integrimeve evropiane. Bashkësia ndërkombëtare edhe ashtu e konsideron të kryer procesin e krijimit të shteteve në territorin e ish- Jugosllavisë (edhe pse jo edhe procesin e ndërtimit të shteteve, sepse Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina nuk i përmbushin ende kriteret elementare për t’u konsideruar si shtete të ndërtuara).
Në këtë debat që përsëri hapet, sa herë që u intereson politikanëve për të tërhequr vëmendjen nga diçka më e rëndësishme, siç është krimi i organizuar, korrupsioni apo problemet sociale, pasojat më të mëdha janë për serbët në Kosovë dhe shqiptarët në Luginën e Preshevës. Të dyja këto komunitete në dy shtete duhet të merren parasysh para se të bëhen debate teorike me pasoja praktike për ta.
Por nëse bashkësia ndërkombëtare vërtet dëshiron ta parandalojë një skenar aq negativ, siç është shkëmbimi i territorit, që si pasojë do të kenë përsëri eksoduse etnike, atëherë duhet t’i japë fund tentimeve të Serbisë për ndarjen e Kosovës. Në atë rast edhe në mesin e shqiptarëve do të zvogëlohet dëshira për shkëmbim territori dhe mund të fillohen bisedime për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Kjo do të ishte një zgjidhje praktike në të mirë të qytetarëve. Gjithçka tjetër është vetëm politizim pa mbulesë.