Gara presidenciale në SHBA, sondazhet favorizojnë Obamën
Presidenti amerikan Barack Obama, gjithashtu kandidat i demokratëve për një tjetër mandat në krye të Shtëpisë së Bardhë, gëzon mbështetjen e nevojshme të amerikanëve për të mposhtur rivalin e tij republikan, që me shumë gjasa do të jetë Mitt Romney.
Në dy sondazhe të veçanta, i pari i organizuar nga Washington Post dhe i dyti nga televizioni amerikan ABC, janë përftuar të dhëna thuajse të njëjta; presidenti Obama që siguron 51 për qind të mbështetjes së amerikanëve ndërsa Romney 44 për qind të tyre. 5 për qind e të anketuarve janë shprehur të pavendosur.
Përplasja mes Romney-t dhe Obama-s është përqendruar në dy tema, që janë pasqyruar edhe në programet elektorale të secilës palë, ekonomia dhe punësimi. Në këto dy çështje Obama, ashtu si edhe në planin për reduktimin e borxhit publik, humb ndjeshëm epërsinë e tij. Sipas sondazhe amerikanët shohin si më të përshtatshëm për rimëkëmbjen ekonomike, punësimin dhe reduktimin e borxhit publik planin e republikanëve.
Por pikët e humbura në fushën ekonomike, presidenti Obama i rikuperon me paketën e reformimit të sistemit shëndetësor dhe sistemit të taksave, dy sektorë ku demokratët dhe republikanët kanë kundërshti të mëdha mes tyre.
Megjithatë, sondazhet mbeten sondazhe dhe përveç marzhit të gabimit në ndryshimin e balancave në favor apo kundër njërit prej kandidatëve, do të ndikojë, sipas analistëve, edhe periudha e gjatë deri në mbajtjen e zgjedhjeve më 6 nëntor, koha e nevojshme për secilin kandidat për të rikuperuar apo humbur terren.