E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara, sot zgjidhet kryetari i ri i PS-së

82 mijë socialistë pritet të votojnë sot përmes parimit "Një anëtar një votë" për kryetarin e ri të PS-së. Në garë janë kryetari në detyrë, Edi Rama dhe Maqo Lakrori.


TIRANË - Socialistët pritet të zgjedhin sot përmes parimit "Një anëtar një votë", kreun e ri të Partisë Socialiste. Procesi i votimit do të hapet sot në orën 8.00 të mëngjesit dhe do të mbyllet në orën 16.00 të pasdites.


Bëhet fjalë për 400 qendra votimi në gjithë Shqipërinë, ku janë ftuar në votime rreth 82 mijë socialistë, të cilët sot do të hedhin votën për kryetarin e ri të PS-së. Në garën për postin e kryetarit të partisë janë kryetari në detyrë, Edi Rama dhe Maqo Lakrori. Rezultati pritet të dalë po sot nga Komisioni i Zgjedhjeve në parti.


Garantimi i një procesi votimi të lirë dhe të qetë për zgjedhjen e kreut të ri të Partisë Socialiste, ishte edhe qëllimi i takimit, që deputetët socialistë zhvilluan dy ditë më parë me krerët më të lartë të kësaj force, Edi Ramën dhe Gramoz Ruçin. Ndërsa dje, sekretari organizativ në PS, Blendi Klosi, ka ftuar në votime të gjithë socialistët, për të zgjedhur liderin e ri.


"Të shtunën, 26 shtator, është një ditë e shënuar për Partinë Socialiste, që kurorëzon me votimin në të gjithë anëtarësinë e vet fushatën e zhvilluar gjatë këtij muaji për zgjedhjen e kryetarit të partisë.


Zgjedhjet e së shtunës, 26 shtator, janë një moment që e dallon qartësisht Partinë Socialiste nga të gjitha forcat e tjera politike në vend dhe që përbën një shprehje të padiskutueshme të demokracisë së saj të brendshme, si një realitet i prekshëm nga të gjithë",- tha dje Klosi.


Ai ka ftuar të gjithë socialistët, që sot të shkojnë të votojnë në qendrën e bashkisë apo të komunës së tyre, për të shprehur me votë mendimin për rrugën ku duhet të ecë Partia Socialiste në 4 vitet e ardhshme.


"Më 26 shtator, të gjithë socialistët duhet të votojnë për cilindo nga kandidatët në garë, duke garantuar një proces të lirë e të ndershëm, dhe duke i dhënë një shtysë të fortë përpara Partisë Socialiste në këtë moment kur politika po rrokulliset mbrapa, duke u dhënë shqiptarëve përditë shembuj të këqij të imoralitetit e të moskokëçarjes së plotë për hallet e për shpresat e tyre.


Për një parti të fortë dhe fituese, për një opozitë të fortë dhe besnike ndaj njerëzve të thjeshtë, për një forcë politike që lufton për parime e vlera, që politika në Shqipëri po i harron e shkel dita-ditës, socialistët më 26 shtator do të tregojnë me këto zgjedhje të përgjithshme brenda partisë, se janë në lartësinë e sfidave të mëdha të kohës së vështirë që kalon sot vendi",- tha Klosi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›