E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leku rimerr veten në krahasim me euron

Pas rënies drastike të dy ditëve më parë, leku dje ka rimarrë veten kundrejt euros duke u vlerësuar me 136.5 lekëve


TIRANË- Pas një dite të "çmendur" si e enjtja e kësaj jave ku humbi gjashtë pikë brenda pak orësh kundrejt euros, leku ka filluar ta marrë veten duke rifituar terren. Vlerësimi i tij ndaj euros ka filluar që në orët e para të mëngjesit të djeshëm.


Në pika të ndryshme të këmbimit valutor një euro nuk blihej më me 142.5 lekë shifra maksimale që u arrit dy ditë më parë, por me rreth 138 lekë. Me kalimin e orëve, situata do të përmirësohej edhe më tej, ku gjatë mesditës ai do të fitonte edhe 1.5 pikë te tjera ndaj euros duke arritur në nivelin e 136.5 lekëve.


Në raport me ecurinë e deri tanishme të tij, këta tregues janë përsëri në nivele, shumë të larta por në krahasim atë çka ndodhi dy ditë më parë, janë një premisë e mirë për përmirësimin e mëtejshëm të situatës.


Lekut i duhet që të fitojë edhe rreth 3.5 pikë të tjera ndaj euros, në mënyrë që të arrijë në nivelet e ditëve të para të shtatorit, të cilat konsiderohen normale për atë periudhë.


Gjatë vëzhgimit të djeshëm në pikat e këmbimit valutor, nisur edhe nga nivelet e larta të kursit të këmbimit më shumë se për të blerë qytetarët ishin të prirur për të shitur euro.
Ndryshe nga pikat e këmbimit valutor, të cilat dje në tabelat e tyre elektronike e pasqyruan menjëherë vlerësimin e monedhës vendase, bankat e nivelit të dytë u treguan më të kursyera në këtë aspekt.


Nëse dy ditë më parë kur ishte edhe kulmi, një euro nga ato shitej mesatarisht me 142 lekë, gjatë ditës së djeshme vlerësimi i lekut ishte pasqyruar në mënyrë modeste me 1 deri në 1.5 lekë.


Gjatë ditës së enjte, zhvlerësimi i lekut arriti një rekord historik, i cili nuk shënohej që nga futja në qarkullim e euros si monedhë zyrtare e bashkimit evropian, duke shkaktuar frikë tek agjentet e ndryshëm tregtare por edhe tek qytetarët, të cilët janë të prekur direkt nga këto zhvillime.


Një zhvlerësim i monedhës vendase ndaj valutave përkthehet ne çmime më të larta të mallrave të importit dhe në këste kredie më të shtrenjta për ata që të ardhurat i kanë në lekë, ndërsa kredinë e kanë marrë në valutë, në rastin konkret, euro.


Zhvlerësimi i beftë i lekut erdhi disa ditë pas deklaratave të kryeministrit të vendit, Sali Berisha, se monedhat e vendeve të rajonit nuk mund t'i bëjnë ballë euros dhe duhet të fillohen procedurat për adoptimin e euros si monedhë zyrtare.


Deklaratë kjo, e cila e kombinuar me efektet e stinës, uljen e të ardhurave nga emigrantët, dhe me spekulimet në tregun e këmbimit valutor shkaktoi ankth dhe frikë tek qytetarët.


Shkaqe të tjera për zhvlerësimin janë mungesa e besimit tek politika, mohimi i krizës për muaj me radhë, rënia drastike e parave që dërgojnë emigrantët etj.


Ata që janë prekur menjëherë nga kriza janë qytetarët dhe biznesmenët që kishin për të paguar kreditë e tyre në euro. Ata kanë nisur të kryejnë shkëmbimet e parave dhe kanë konstatuar se kreditë e tyre rriteshin në vlera të konsiderueshme, sipas nivelit të këstit.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›