Heroina nga Maqedonia paketohej në Elbasan për në Greqi
Prokuroria
Mbyllet hetimi për dy të akuzuar për trafikimin e 10 kg heroinë në linjën Maqedoni- Shqipëri- Greqi
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, përfundoi fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dy të pandehurit Artur Hasalla dhe Renato Shopi, të akuzuar për kryerjen e veprës penale të "trafikut të lëndëve narkotike" në bashkëpunim, pasi në shkurt të këtij viti, tentuan të trafikonin në Greqi 10 kg heroinë.
Sipas kërkesës për gjykim, i pandehuri Hasalla u arrestua në shkurt të këtij viti në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Në autoveturën e tij të markës "Nissan" me targa greke NZK 2977, me të cilën po udhëtonte drejt Greqisë u gjet e fshehur 10 kg heroinë.
I riu u arrestua në flagrancë nga policia në momentin e kalimit të kufirit, gjatë dëshmisë së tij për hetuesit, refuzoi të kishte dijeni për këtë sasi droge, e cila u gjet në gomën rezervë të automjetit të tij.
Ndërkohë, nga ekspertimi i gjurmëve të gjetura në pakot e mbështjella me letër natribani, rezultoi se ato ishin gjurmë gishtërinj që i përkisnin Renato Shopit që dyshohet se ka qenë paketuesi i mallit.
Ky i fundit u vetëdorëzua në polici mëngjesin e 23 shtatorit të këtij viti, pas negociatave mes avokatit të tij mbrojtës dhe prokurorit. Sipas akuzës, droga e sekuestruar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës më 20 shkurt 2009 ka ardhur nga Maqedonia dhe është përzier dhe paketuar në Elbasan, dhe më pas i është dhënë korrierit Hasalla ta transportonte atë për në Greqi kundrejt një pagese.
I pandehuri Shopi, sipas hetuesve, ka qenë edhe herë tjetër i skeduar nga prokuroria e policia për të njëjtën vepër penale. Gjykata e Pogradecit, në një proces gjyqësor me një të pandehur tjetër e ka dënuar atë me 8 vite burg për "prodhim, mbajtje dhe shitje të lëndëve narkotike" në bashkëpunim.
Për kundër këtij vendimi, ai është deklaruar i pafajshëm nga Gjykata e Apelit Korçë, edhe pse kishte në 12 pakot e hashashit të sekuestruar gjurmë të gishtave Në kohën që çështja në ngarkim të tij ndodhej pranë Gjykatës së Lartë, pasi prokuroria e Apelit të Korçë ka bërë rekurs, të pandehurit i dalin gjurmët e gishtave në një trafik tjetër droge, atë të 10 kg heroinë të nisura drejt Greqisë. Drogë, kjo e zbuluar nga qeni i kufirit në operacionin e koduar të policisë "Goma rezervë".