E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gara treshe e Elbasanit (llogarisni dhe FRD-në)

berisha topi ramaNga Eduard Zaloshnja

Lul Basha është një fushatist tejet efiçient, më tha Valentina Leskaj, drejtuesja e fushatës së 2009-ës në Elbasan për PS-në, kur e pyeta pas atyre zgjedhjeve sesi mund ta shpjegonte që dy koalicionet kishin dalë barazim me mandate në atë qark. Dhe në këtë fjali të Leskajt, ndoshta fshihet edhe kyçi i prishjes së atij barazimi në 23 qershor

Nga informacionet që kam mbledhur pas zgjedhjeve të 2009-ës, më rezulton se Basha zbatoi ne qarkun e Elbasanit strategjinë e mikro-shënjestrimit, të hartuar e zbatuar me aq efikasitet nga Carl Rove, strategjisti elektoral i Bushit të Ri. Pasi Basha evidentoi me një punë të palodhshme të njerëzve të shtabit të tij prirjet e votimit të çdo qendre banimi, sado të vogël, ai i shënjestroi mesazhet dhe premtimet sipas nevojave që kishte secila prej tyre. Basha spërtoi të shkonte edhe në lagjen më të largët të fshatit më të largët, për tu premtuar edhe një grushti votuesish diçka për të cilën kishin nevojë. Si rezultat, mandatet në Elbasan u ndanë 7-7, duke siguruar kështu barazimin 70-70 mes koalicioneve të majta e të djathta në rang vendi.

Por vjen një kohë që premtimet e bëra duhen mbajtur Nga informacionet që kam nga qarku i Elbasanit, më rezulton se shumë prej mikro-premtimeve që Basha u bëri votuesve të mikro-qendrave të banimit, nuk i ka mbajtur. Dhe kjo e vështirëson shumë punën e drejtuesit të fushatës aktuale të PD-së në qarkun e Elbasanit, Arben Imamit (një fushatist i palodhur edhe ky), për tu marrë votën të njëjtave mikro-qendrave të banimit.

Por ajo që e vështirëson edhe më tej punën e Imamit në qarkun e Elbasanit është fakti se 7750 votuesit e koalicionit të LSI-së, në 23 qershor, do ti bashkojnë votat me koalicionin e madh të majtë, ndërkohë që vetëm 3000 votues të koalicionit LZHK-PDK-etj mund ti bashkohen koalicionit të madh të djathtë. Duke i futur në llogari këto lëvizje, rezulton se për mandatin e 8-të në qarkun e Elbasanit, koalicionit të madh të majtë i duhet një shtesë prej vetëm 0.2 pikë përqindje në krahasim me 2009-ën (ose rreth 320 vota shtesë neto), PAVARËSISHT SESI NDAHEN VOTAT DHE MANDATET JASHTË KËTIJ KOALICIONI, MES PD-SË, FRD-SË, AK-SË DHE PARTIVE TË TJERA. Dhe kjo do të thotë se koalicioni i majtë siguron mandatin qeverisës për 4 vjetët e ardhshme, edhe sikur ASGJË të mos ndryshojë në qarqet e tjera.

Sidoqoftë, historia nuk mbaron me kaq në Elbasan…

Ndërkohë që koalicioni i majtë është vetëm 0.2 pikë përqindje afër marrjes së mandatit të 8-të në qarkun e Elbasanit, koalicioni i djathtë nuk ka të sigurt edhe mandatin e 6-të. Premtimet e pambajtura të Bashës dhe zhgënjimi me Berishën në përgjithësi në shtresën e të shpronësuarve dhe të përndjekurve nga regjimi komunist, kanë bërë që jo pak votues të djathtë ti hedhin sytë nga FRD-ja.

Unë shkova vetë në Pallatin e Sportit të Elbasanit, kur FRD-ja zhvilloi mitingun e parë atje dhe u befasova nga pjesëmarrja e entuziazmi, i cili më kujtoi një miting të atjeshëm të vitit 1991, kur u inaugurua dega lokale e PD-së. Nga Tirana kishte ardhur vetëm një autobus me aktivistët e qendrës së FRD-së, ndërsa Pallati i Sportit ishte mbushur plot e përplot me 2400 elbasanas entuziastë.

Ndoshta në këtë sukses të FRD-së në Elbasan ka ndikuar edhe qenia në krye të saj atje e Artin Kovaçit, pinjoll i një familje të vjetër tregtarësh të Elbasanit dhe sportist e trajner i njohur i futbollit elbasanas. Kovaçi dhe drejtuesit e tjerë të djathtë të FRD-së, në qoftë se tregojnë të njëjtat aftësi për mbledhjen e votave, siç treguan për mbledhjen e përkrahësve të FRD-së në Pallatin e Sportit të Elbasanit, mund ta bëjnë FRD-në një konkurrente serioze për mandatin e 6-të të së djathtës në atë qark.

Pa dashje, në ndihmë FRD-së mund ti vijë edhe Artur Dojaka, i cili do të drejtojë fushatën e Aleancës Popullore të Lëvizjes Çame në Elbasan. Duke marrë vota të komunitetit çam, i cili ka votuar tradicionalisht djathtas në qarkun e Elbasanit, Dojaka, së pari, do të ndihmojë partinë e tij për të marrë një mandat në qark, së dyti, do të ndihmojë koalicionin e majtë në tërësi për mandatin e 8-të, dhe së treti, do të dobësojë edhe numrat e koalicionit të Berishës në garën me FRD-në për mandatin e 6-të të së djathtës.

Sidoqoftë, mund të thuhet se, sa e lehtë është për koalicionin e majtë që të marrë mandatin e 8-të të saj në qarkun e Elbasanit, aq e vështirë do të jetë për FRD-në marrja e mandatit të 6-të të së djathtës. Por gara është garë dhe ajo mund të ketë edhe të papriturat e saj

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›