E Shtunë, 31 Tetor 2026

Garancia e SHBA zbret në Prishtinë

Autori i Lajmit: red.
Garancitë e Presidentit Bush për tërësinë territoriale të Kosovës janë shumë të rëndësishme për stabilitetin e rajonit. Kështu u shprehën Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi, menjëherë pas mbërritjes nga vizita historike në Uashington, për të cilët ishte rezervuar një pritje madhështore në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
"Kemi marrë një përgjigje shumë të rëndësishme nga vet goja e presidentit Bush, në ditën e takimit tonë, se SHBA-të janë të angazhuara thellësisht në garantimin e integritetit territorial të Kosovës dhe që është tepër, tepër e rëndësishme, në kohën kur mund të dëgjohen, ndonjëherë zëra ogurë, apo të këqinj, që dëshirojnë të hedhin karta të reja në kuptimin e trazimit të rajonit", shprehet Fatmir Sejdiu, President i Kosovës.
"Presidenti Bush ka qenë shumë i qartë, integriteti territorial i shtetit të Kosovës është i paprekshëm, është i garantuar dhe është i njohur ndërkombëtarisht. E potencoj shumë qartë, dhe do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë se për Kosovën do të ketë njohje të reja dhe asnjëherë ndarje, dhe se stabiliteti në Kosovë reflekton paqe dhe stabilitet në tërë rajonin dhe bashkëpunim rajonal dhe perspektivë evropiane, perëndimore", deklaroi Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës.
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi janë shprehur se ndjehen të inkurajuar nga bisedat që kanë zhvilluar në Uashington, ndërsa kanë falënderuar qeverinë amerikane për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës në dy dekadat e fundit.
Ky lajm është publikuar: 24/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›