E Shtunë, 31 Tetor 2026

Garancia e zgjedhjeve, Rama ankohet te Lajçak

Kreu i PS ka shprehur angazhimin e Partisë Socialiste dhe opozitës së bashkuar, për të bërë gjithçka ka në dorë në drejtim të një procesi të ardhshëm zgjedhor të standardeve

Zgjedhjet e 8 majit dhe procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ishin në qendër të bashkëbisedimit të djeshëm mes Miroslav Lajçak dhe Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Gjatë këtij takimi, zoti Rama theksoi edhe njëherë nevojën për të pasur një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor, që ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2009, do të plotësojë të gjitha standardet e nevojshme. Sipas njoftimit zyrtar, të bërë publik nga Partia Socialiste, në bashkëbisedimin me Drejtorin Ekzekutiv të Shërbimit të Jashtëm të BE-së, Edi Rama nënvizoi disa prej masave që duhen ndërmarrë për të rikthyer besimin e shqiptarëve, tek e drejta e votës dhe zgjedhjet e lira, si dhe njëkohësisht e siguroi të dërguarin e znj. Ashton për gatishmërinë dhe angazhimin e Partisë Socialiste dhe opozitës së bashkuar, për të bërë gjithçka ka në dorë, në drejtim të një procesi të ardhshëm zgjedhor të standardeve të plotësuara. Kreu i opozitës mësohet gjithashtu se ka shprehur përpara zyrtarit të Brukselit të gjitha rezervat, në lidhje me përgatitjen e zgjedhjeve të 8 majit. Një element jo pak i debatuar ditët e fundit prej opozitës është çështja e listave të zgjedhësve dhe abuzimeve, që siç pretendon Partia Socialiste, po kryhen me qëllim përgatitjen e vjedhjes së zgjedhjeve. Opozita ka kërkuar me insistim që të ketë akses në listën e zgjedhësve dhe gjendjen e saj, deri në datën 8 mars kur dhe ishte afati përfundimtar për të ndërhyrë në të përpara zgjedhjeve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›