E Diel, 1 Nëntor 2026

Incidenti në Kombinat, kandidati i PS dhe një aktivist, 5 orë në polici

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 24-03-2011 16:50

Tiranë- Incidenti në minibashkinë nr.6 në Tiranë, ku deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri, ka lidhur me zinxhirë portën kryesore, ka sjellë ndalimin për 5 orë në polici të kandidatit socialist, Krenar Cenollari. Bashkë me të, policia ka shoqëruar edhe aktivistin e PS-së, Besim Kocaqi, pas kallëzimit për shkatërrim prone nga kryetarja e minibashkisë, Luzhiana Abazi. Në të vërtetë, situata e tensionuar e mesditës së djeshme është përsëritur edhe në mbrëmje, ku rreth 70 simpatizantë të Partisë Socialiste kanë protestuar për disa orë përpara ambienteve të komisariatit nr.6 në Tiranë, duke kërkuar lirimin nga qelia të kandidatit për kryetar minibashkie. Incidenti ka nisur kur deputeti i Partisë Socialiste, Saimir Tahiri, është drejtuar në zyrat e kësaj minibashkie për të kërkuar listat e votuesve, por është ndeshur në refuzimin e kryetares Abazi. Në këto rrethana, Tahiri së bashku me disa persona të tjerë kanë mbyllur derën e jashtme të minibashkisë me zinxhirë, për të mos lejuar daljen e kryetares Abazi. Pas disa debatesh mes dy palëve, drejtuesit e minibashkisë nr. 6 depozituan në polici një kallëzim kundër kandidatit të PS-së për këtë minibashki, Krenar Cenollari, dhe një mbështetës tjetër të kësaj partie, Besim Kacoqin. Kanë qenë efektivët e komisariatit nr.6, ata që bënë të mundur ndalimin e këtyre personave dhe shoqërimin e tyre për në ambientet e komisariatit, ku janë marrë në pyetje për disa orë. Por duket se shoqërimi i tyre nuk u prit mirë nga përkrahësit e PS-së, të cilët menjëherë u mblodhën përpara ambienteve të komisariatit nr.6 dhe qëndruan aty, duke lëshuar parulla për lirimin e dy të ndaluarve. Rreth orës 18:45 minuta, në ambientet e komisariatit ka mbërritur edhe shefi i tij Dritan Lamaj, i cili ka pritur në zyrë deputetët Saimir Tahiri dhe Eduard Shalsi. Takimi mes tyre ka zgjatur rreth 30 minuta, por siç u kuptua më vonë nuk kishte shërbyer për ç’tensionimin e situatës. “Pushteti korruptiv i Berishës dhe Bashës po synon të ushtrojë terror mbi strukturat e Partisë Socialiste edhe këtu në Kombinat, mbi vetë kandidatin. Por ata nuk do arrijnë kurrë të manipulojnë procesin zgjedhor, as me dhunë, as me manipulim të listave të votimit” – u shpreh deputeti Tahiri, menjëherë pas daljes nga takimi me shefin e komisariatit. Tahiri është shprehur se shefi i komisariatit i ka paraqitur pretendimet se dy të shoqëruarit kanë vendosur zinxhirin në derën e minibashkisë, por Tahiri e ka kundërshtuar këtë akuzë. “Shefi deklaroi se ata janë ndaluar për faktin se kanë lidhur me zinxhirë derën e minibashkisë, por derën e kam lidhur unë. Kjo gjë është e filmuar nga të gjitha kamerat. Ata nuk kanë bërë asgjë tjetër, vetëm se kanë qenë të pranishëm bashkë me mua në ato momente. Por edhe në këtë rast, nuk mora asnjë shpjegim nga ana e drejtuesit të komisariatit” – bëri të ditur Tahiri. Nga ana tjetër, Policia e Tiranës ka sqaruar se kandidati i PS-së për kryetar të minibashkisë së Kombinatit, Krenar Cenollari, dhe aktivisti Besim Kocaqi janë shoqëruar pas kallëzimit të bërë në emër të tyre nga kryetarja Luzhiana Abazi. “Dy të shoqëruarit janë marrë në pyetje nga ana e efektivëve të policisë, por edhe nga prokurori i gatshëm në lidhje me ngjarjen e ndodhur gjatë paradites së djeshme. Pas këtyre procedurave, ku ata do të sqarojnë pozicionin e tyre, do të lihen të lirë”, - pohuan zyrtarë të policisë së Tiranës. Dy të ndaluarit janë lënë të lirë rreth orës 22:10 minuta, duke i dhënë fund edhe protestës së simpatizantëve të PS-së para komisariatit nr.6 të Policisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›