Takimi me të rinjtë, Berisha: S’humbët asnjë ditë në diktaturë
TIRANË Kryeministri Sali Berisha priti dje në zyrën e tij 24 të rinj dhe të reja nga qytete të ndryshme të vendit, që kanë lindur më 22 mars të vitit 1992. Gjatë takimit, Berisha tha se 22 marsi është një ditë nderimi për të rinjtë. “Sot vendosa të festoj me ju dhe t’ju uroj gëzuar këtë ditë. Secili prej jush lindi në një ditë fatlume dhe ju jeni fatlumë. Jeni të tillë, sepse lindët në ditën e lirisë së madhe, të lirisë së vërtetë dhe u rritet të lirë. Sigurisht, keni pasur vështirësi, por jeni fatlumë sepse nuk keni humbur asnjë ditë në diktaturë. Kjo është një ditë e shumë e veçantë dhe në radhë të parë është një ditë nderimi për të rinjtë. Po t’i rikthehemi asaj dite, ajo ka qenë një ditë gëzimi e papërshkruar, por para saj prindërit tuaj, vëllezërit dhe motrat tuaja më të mëdhenj, kanë jetuar një realitet tërësisht tjetër nga ky që jetojmë sot. Ndoshta ky nuk është ai realitet që do ta donim të gjithë, por është një mijë herë më ndryshe dhe është një Shqipëri krejt tjerët kjo, nga dita që keni lindur ju”, - tha Berisha gjatë takimit.