E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet lokale, ja si ndahet fondi 650 mln lekë mes 6 partive

SHKRUAN: Fejzi Braushi 24-03-2011 14:29

Qeveria u akordon 6 partive parlamentare plot 650 milionë lekë për zgjedhjet e ardhshme vendore. Nga kjo shumë, PD dhe PS do të marrin pjesën e “luanit”, pasi të dyjave këto forca, në bazë të ligjit zgjedhor u takon afërsisht 610 milionë lekë të vjetra dhe të gjitha forcave të tjera u takon mbetja. Bëhet fjalë për të ardhurat që u takojnë forcave politike parlamentare nga shpërndarja e fondeve publike për zgjedhjet e ardhshme vendore të 8 majit.

Vendimi

Me propozim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kuvendi i Shqipërisë ka bërë gati projektvendimin për shpërndarjen e fondit publik, për subjektet politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet për pushtetin lokal. Por para se të hartonte këtë akt, Kuvendi ka kryer një korrespondencë të detajuar me Ministrinë e Financave, për të përcaktuar shumën që do të dalë nga Buxheti i Shtetit, si mbështetje për fushatën elektorale të subjekteve politike. Duke pasur parasysh se ky fond duhet të jetë më i madh, sesa fondi i përdorur në zgjedhjet pararendëse, pra ato të qershorit 2009, Ministria e Financave ka shprehur dakortësinë e saj për një shumë prej 650 milionë lekësh. Në korrespondencën e zhvilluar me Kuvendin, Ministria e Financave ka paraqitur dhe formulën e ndarjes së kësaj shume, por duke iu referuar ligjit “Për partitë politike” dhe jo Kodit Zgjedhor, siç duhet të jetë në realitet.

Ndarja

Duke iu referuar Kodit Zgjedhor dhe më konkretisht nenit 87, shuma në fjalë do të ndahet në pjesë të veçanta, sipas dy formulave të ndryshme. Kështu, 50 për qind e shumës ndahet ndërmjet partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore dhe që kanë mandate në Kuvend, e përcaktuar kjo sipas vendimit të KQZ-së, për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve pararendëse, mbi bazën e numrit të mandateve të fituara në zgjedhjet për Kuvendin. 50 për qindëshi tjetër i shumës së përgjithshme ndahet midis partive politike të regjistruara si subjekt zgjedhor dhe që në zgjedhjet pararendëse për Kuvendin kanë marrë jo më pak se 2 vende në Kuvend, në raport me votat e marra prej tyre në shkallë kombëtare. Nga përllogaritja e të dyja këtyre formulave, rezulton se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste marrin shuma gati të përafërta me njëra-tjetrën. Më konkretisht, PD pritet të marrë afërsisht 306 milionë të vjetra, ndërsa PS, 304 milionë. Lëvizja Socialiste për Integrim është forca e tretë që arrin të sigurojë fonde nga zbatimi i të dyjave formulave, duke marrë afërsisht 29 milionë lekë të vjetra. Tre forcat e tjera, PR, PBDNJ dhe PDIU arrijnë të marrim më pak se 3 milionë lekë. Por para se kjo ndarje të bëhet nga KQZ, duhet që lëvrimi i fondit të bëhet më parë me vendim të Kuvendit.

Rezultatet zyrtare të shpallura nga KQZ

Koalicioni "Aleanca e Ndryshimit" 70 mandate, përkatësisht:

Partia Demokratike 68 mandate

Partia "Për Drejtësi dhe Integrim" 1 mandat

Partia Republikane Shqiptare 1 mandat

Koalicioni "Aleanca Socialiste për Integrim" 4 mandate, përkatësisht:

Partia "Lëvizja Socialiste për Integrim" 4 mandate

Koalicioni "Bashkimi për Ndryshim" 66 mandate, përkatësisht:

Partia "Bashkimi për të Drejtat e Njeriut" 1 mandat

Partia Socialiste e Shqipërisë 65 mandate

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›