E Shtunë, 31 Tetor 2026

Garant i ligjit dhe jo mjet dhune*

I nderuar zoti President!

Si kreu më i lartë i shtetit shqiptar po ju shkruaj, duke ju vënë në dijeni mbi marrëdhëniet e shtrëmbëruara që kanë lindur dhe po vështirësohen mes dy institucionesh të pavarura siç është ai i prokurorisë dhe KKRT-së.

Prej disa kohësh tashmë njihen komplikacionet e lindura mes nesh, qysh prej kohës kur KKRT–në e drejtonte z. Ledi Bianku, aktualisht gjykatës në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Më duhet t’ju kujtoj se qysh prej asaj kohe, prokuroria e cila hetonte mbi procesin e garës së frekuencës në Malin e Dajtit, abuzoi në mënyrë të turpshme me pushtetin e dikurshëm.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm z. Theodhori Sollaku, emëroi një prokuror të krimeve të rënda pranë prokurorisë së Tiranës për të ndjekur çështjen. Prokurori në fjalë, aktualisht kryeprokuror i krimeve të rënda, Olsjan Çela, i thërriste anëtarët e KKRT-së në zyrat e prokurorisë së krimeve të renda për t’i dhënë çështjes ngjyrimet e një krimi të rëndë që po konsumohej nga ana e KKRT-së. Përpos kësaj, në mënyrë tejet të pabesueshme, anëtarët viheshin përballë me median, që, në çdo moment, dinte kohët, minutat deri edhe vonesat e pritshme të antarëve që do thirreshin. Kjo ngjarje shënoi pikën e saj më të shëmtuar me dëshmitë e të pyeturve mbi ngjarjen, të cilat zbardheshin në media të caktuara të nesërmen e dhënies së dëshmisë. Për këtë ngjarje prokurori në fjalë u padit nga mediat dhe nga personat e përfshirë, për nxjerrje të sekretit hetimor dhe më duhet të kujtoj se ende nuk ka patur një deklarim zyrtar lidhur me përfundimin e kësaj çështjeje që ka të bëjë me një çështje të rëndë siç është ai i abuzimit dhe shkeljes së ligjit nga ana e vetë garantëve të ligjit, siç teorikisht na duhet të besojmë se është organi i prokurorisë.

Personalisht jam prononcuar publikisht ndaj akteve të tilla apo dhe emërimeve të cilat bartin në vetvete kanosje ndaj zhvillimit të lirë të mediave në vend, rrëzimit të monopolit të frekuencave dhe abuzimit me pushtetin e veshur me ligj. Më duhet t’ju bëj me dije se ky prononcim i imi u bë zyrtarisht dhe pranë organizmave të huaja, siç është OSBE-ja, tek të cilat shpreha personalisht ankesën zyrtare se në këtë mënyrë po i jepej pushtet njerëzve që njiheshin si persekutorë ndaj entit rregullator te mediave audiovizive dhe me këtë rast kërkova mbrojtje për gjithë procesin e madh që po ndërmerr KKRT-ja në këto momente dhe që ka të bëjë me fillimin e garave për frekuencat kombëtare të transmetimit numerik.

Parashikimi im se ky organ do mundohej të godiste në mënyrë të përsëritur dhe pse pa asnjë argument, KKRT-në, per fat të keq u vërtetua pak ditë më vonë. Rreth pesë ditë pas deklaratës sime në shtyp, mbërrin një fletëthirrje në adresën time, ku kërkohet të jap shpjegime lidhur me mosdeklarimin e pasurisë së njërit prej anëtarëve të KKRT-së, z. Detar Hysi. Është e kuptueshme që kryetarja e KKRT-së nuk ka asnjë lidhje dhe asnjë argument ligjor që të mund ta detyrojë të depozitojë në prokurori dijet e saj mbi çështjen. Ajo që më shqetëson në këtë rast dhe ku kërkoj ndërhyrjen tuaj si kreu i shtetit dhe i Këshillit të Lartë të Drejtësisë është abuzimi i paprinciptë dhe i përsëritur i këtij institucioni me një tjetër institucion të pavarur siç është KKRT-ja.

Fakti që krerët e institucionit ndryshojnë nuk prek aspak thelbin e funksionimit të këtij institucioni, i cili e sheh veten në mënyrë të vazhdueshme si mjet dhune dhe jo si garant i ligjit. Bëhet fjalë për ligjin në konceptin e të cilit të gjithë kemi flijuar një pjesë të lirisë sonë individuale dhe për këtë shkak duhet të behet garant i sigurisë së jetës dhe dinjitetit tim. Them dhe përsëris dinjitetit, sepse në mënyrë të përsëritur ky institucion po luan me thelbin e natyrës njerëzore duke e vënë nën kureshtjen dhe hamendësimet mediatike, duke mbjell farën e dyshimit mbi krimet e mundshme që individi “edhe mund të ketë kryer”, duke e tërhequr zvarrë nëpër institucionet e shtetit që janë ngritur jo për t’i goditur qytetarët, por për t’i mbrojtur ata nga forca e së padrejtës.

I nderuar zoti President!

Unë nuk kam frikë nga prokuroria! Nuk kam frikë as nga ata që kërcasin dhëmbët apo që premtojnë se kanë goditur në të shkuarën e kaluar a të afërt apo se do të godasin në të ardhmen. Kjo lloj frike ka heshtur brenda meje qysh prej rrëzimit të diktaturës. Droja ime është se ne po vazhdojmë të godasim dinjitetin, si një nga simbolet njerëzore!

Unë kam frikë se po kontribuojmë t’i japim jetë një pushteti i cili po tenton të kontrollojë frymëmarrjen e gjithë shoqërisë dhe nëse ndonjë prej nesh nuk merr frymë me ritmin e kohës bëhet objekt i humorit mjeran dhe meskin të kujtdo prokurori të vockël a të madh. Kjo është prekje e thelbit të demokracisë dhe ndaj kësaj nuk mund të heshtë asnjë prej hallkave jetësorë të shtetit shqiptar. Kontrolli i pushteteve në mënyrë të ndërsjelltë është ligjësi qysh prej krijimit të demokracisë dhe prokuroria nuk është idhull për t’u adhuruar por element i shtetit shqiptar që ka nevojë për t’u kontrolluar.

Ky është thelbi i shqetësimit tim. Ju lutem kontribuoni që jo vetëm KKRT-ja dhe unë si kreu i institucionit të ndihem qytetar i pavarur dhe i lirë në atdheun tim, por që çdo qytetar të ndihet i mbrojtur përballë abuzimeve personale e institucionale me pushtetin.

*Letra e kryetares së KKRT-së, znj.Mesila Doda, drejtuar Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi, mbi disa veprime të përsëritura të organit të prokurorisë

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›