E Diel, 1 Nëntor 2026

Noli, një bandist Kryeministër, i binte flautit

Historia e bandave të orkestrave frymore në Shqipëri nga viti 1878, krijuar nga italiani Xhani Canale në Shkodër, vazhdon në vitet 1924, kur Noli, Kryeministër, i binte flautit në Bandën e Tiranës, dhe në vitin 1932 Dom Mikel Koliqi pranë "Scuola Cantorium" (shkollë françeskane), krijon orkestrën frymore të shkollës. Historia e ngurtësuar në 50 vite duke i shërbyer paradave të diktatorit - sot pas 19 vitesh zymtësi, nga tradita e një shekulli organizohet festivali i orkestrave frymore në Sarandë

Noli, një bandist Kryeministër, i binte flautit

Historia dhe ironia në kulturën tonë njeh kulme nga më paradoksalet. Tradita gjithmonë zihet ngushtë kur kujtohet në Shqipëri për një arsye të vetme: duke marrë si të mirëqenë kohën e diktaturës, ku gjithçka në mungesë lirie, nisi nga e para, apo duke sjellë në një kujtesë krejtësisht të dobët, zanafillat.

Sigurisht, për brezat e sotëm, demagogjia komuniste e ka bërë mirë shërbimin duke u ngulitur një kulturë të ngurtë, dhe sa për vitet përpara ‘45-s, emblemat e kulturës shihen si kuriozitet. Në mungesë të një historiografie të sinqertë, janë disa nisma private në vend që na kujtojnë

çfarë ka ndodhur para një shekulli me kulturën muzikore, e veçanërisht duke u ndalur në një histori të shkurtër të bandave të para të orkestrave frymore.

Një mbrëmje më parë, në Sarandë ka nisur edicioni i tretë i festivalit të orkestrave frymore, duke riorganizuar një traditë të munguar në këto 18 vjet demokraci.

Nuk bëhet fjalë për ndonjë festival të ripërtërirë nga diktatura, por për një nismë për të organizuar bandat e orkestrave frymore, të themeluara në këto vite të demokracisë.

Në kohën e diktaturës bandat e orkestrave frymore, ashtu si gjithë artet e tjera, i bënin fresk diktatorit, duke humbur çdo gjurmë të trashëguar, emra që sot të çudisin dhe të lënë të kuptosh terrenin e zhvillimin kulturor që kishte nisur në këtë vend.

Kështu kujtohet në 1878 italiani Xhani Canale, që krijoi orkestrën e parë frymore (bandë muzikore) në Shkodër. Tre vjet më vonë e drejton këtë orkestër i shquari Palok Kurti, e për më shumë se gjysmë shekulli, trashëgimtarë të familjes Kurti drejtojnë orkestra frymore në Shkodër. Jo shumë kohë nga kjo nismë kulturore, po në Shkodër, merr frymë një tjetër orkestër. Në 1898 Frano Ndoja krijon të dytën orkestër frymore. Kjo kulturë nga pak zë e shtrihet më në thellësi të Shqipërisë, duke nxitur në 1907 krijimin e orkestrave frymore "Afërdita" në Elbasan, instrumentet muzikore të së cilës blihen nga vetë qytetarët në Austri. Në Shkodër vazhdon të zgjerohet kultura e orkestrave frymore, duke u organizuara tani në shoqata kulturore. Në vitin 1918 themelohet shoqëria kulturore "Rozafat" e në 1919 "Vllaznia", ku pranë këtyre dy shoqatave fillojnë të organizohen disa orkestra frymore.

Në Korçë kemi Jovan Cico Kosturin e në 1920 vjen nga Amerika Thoma Nasi me të mirënjohurën banda "Vatra".

Në 1924 Fan Noli Kryeministër, i bie flautit në Bandën e Tiranës, e cila më vonë shndërrohet në Bandë Mbretërore, e përbërë kryesisht nga muzikantë të Vatrës të ardhur nga Amerika e të tjerë që kishin studiuar kryesisht në Itali.

Në 1932 Dom Mikel Koliqi pranë "Scuola Cantorium" (shkolle françeskane), krijon orkestrën frymore të shkollës e po në Shkodër krijohen të tjera orkestra frymore, si: ajo e Artizanëve, e Bashkisë, e Ushtrisë, e lagjes “Paruce” etj.

Në 1944 krijohet Orkestra Frymore e Ushtrisë (Banda e ushtrisë), e gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX krijohen e funksionojnë pothuaj në çdo qytet orkestra frymore (banda muzikore).

Në gjithë këtë histori të orkestrave muzikore, dirigjenti Edmond Doko, që është dhe organizatori i festivalit që po organizohet në Sarandë deri më 13 korrik, thotë se “nuk mundej që tradita e Orkestrave Frymore, e cila i kalon kufijtë e një shekulli, të humbiste në zymtësinë e viteve të turbullta ‘90-të mileniumit që lamë pas. Ndër qytete të ndryshme, kolegë të apasionuar si edhe në Tiranë, profesionistë të fushës, instrumentistë e pedagogë të zëshëm, këtë traditë nëpërmjet KOF-it e ruajtën duke e rigjallëruar atë. Kjo kulmon me organizimin e Festivalit të Orkestrave Frymore, që këtë vit rrok edicionin e tij të tretë”. Ndërsa sot funksionojnë orkestra muzikore pranë bashkive: Durrës, Elbasan, Korçë, Shkodër, Fier, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Sarandë, përgjithësisht në gjendje të vështirë, të mbështetura pa mjaftueshmërisht nga pushteti lokal apo donatorë.

Në tetor 2004, është rikrijuar Orkestra Frymore e Bashkisë Tiranë me iniciativën e dirigjentit Edmond Doko, të instrumentistëve Fatos Jaho, Sokol Saraçi, Xhemali Murraj, Bashkim Barbullushi, Gazmor Halilaj etj., dhe po këtë vit krijohet KOF (Klubi Kombëtar i Orkestrave Frymore), i cili u ngrit për të rizgjuar e zhvilluar traditën e orkestrave frymore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›