E Shtunë, 31 Tetor 2026

Garantët e Ramës

Gëzim Podgorica 

Ishte një ngjarje e dhimbshme me deputetin e Roskovecit, ajo që sfumoi jo pak scoop-in mediatik të javës së
shkuar lëshuar nga Rama, se “do të iki po humba zgjedhjet”. Në çdo rast tjetër ajo do të bëhej temë debati dhe diskutimi
e do të vazhdonte të merrte vëmendjen publike, pasi gazetarë të ndryshëm kanë këmbëngulur ta çojnë Ramën në atë shteg, por ai ka ikur gjithnjë pa dhënë asnjë shpjegim. Do të jenë vërtet arsye të forta ato që e kanë shtrënguar deri në këtë pikë sa të pranojë të tërhiqet nga një kolltuk të cilën ia falën korridoret e njohura të intrigës në PS. Ndonëse e thënë me shumë sforcim, tani ajo është kthyer edhe në një sfidë për të, që në fakt e bën të besueshëm aksionin e tij politik dhe rrit kredencialet përpara publikut në prag të fushatës elektorale, pavarësisht se ajo nuk erdhi si rezultat i mendësisë e imponimit të kulturës demokratike. Duke qenë pra në thelb përsëri jo shumë e vërtetë dhe demagogjike e pjesë e taktikës elektorale, ka fare pak gjasa që Rama ta bëjë vërtet ashtu siç pohoi. Megjithatë pa i hyrë shumë paragjykimit le të merret e mirëqenë deklarata. Ndonëse ai gjendet edhe përballë dilemës së vështirë të kryebashkiakut apo kryesimit të listës, gjë që siç duket e ka zgjidhur në favor të interesave të tij, duke e mbajtur si rezervë garancie mundësinë e fitores në zgjedhjet e ardhshme, u detyrua së fundi të lëshojë në një lloj kuptimi partinë. Pra të tërhiqet dhe të pranojë humbjen dhe përgjegjësinë direkte që vjen pas humbjes së zgjedhjeve. Meqë është fjala tek një opsion që është më i mundshmi dhe më pranë realitetit, tek pamundësia që koalicioni që kryeson PS me G99 vetëm të fitojë vetëm zgjedhjet, çfarë do të bëhet me garantët e Ramës, të cilët në këto ditë përpara 17 majit (afati i fundit i dorëzimit të listave) po shkëlqejnë siç thotë ai në debatet televizive. Në fakt vetë nuk e beson thellë–thellë këtë, por i duhet ta thotë dhe ne po e marrim  si të sinqertë. Garantët e sotëm me një tekst dukshëm servil dhe me argumente që nuk bindin njeri kërkojnë të imponohen në publik për modelin Rama, duke vijuar pasi dalin nga studiot televizive me  fjalorin prej dobiçësh politikë dhe pohuar të vërtetën që e dinë edhe ata, por nuk mund ta thonë dot”. E di mo e di, po s’kemi ç’bëjmë tani”, pohonte kofidencialisht njëri nga avokatët e tij të sotëm në publik. Nejse punë karakteri kjo, por ajo që është e rëndësishme është se nëse Rama në fund të fundit bëri një pohim publik që do të japë dorëheqjen nëse humbet, nuk tha asnjë fjalë për garantët e sotëm të tij. Sepse një pjesë e atyre që janë thirrur në rreshtimin aktual politik në PS kanë qenë aty edhe në 2005, kur kjo parti humbi zgjedhjet dhe doli në opozitë. Dhe ata, siç thotë Blushi, janë të gjithë aty përveç Nanos, duke u sjellë njëlloj, duke intriguar e komplotuar njëlloj, duke u lodhur po njëlloj. Duke u mbrojtur me sloganin. “Këtë herë është ndryshe”, ata nuk bëjnë asgjë tjetër vetëm se siç e përcakton Warren Bufet, përdorin katër fjalët më të rrezikshme në botën e investimit, pasi kanë përpunuar strategjinë e radhës për të mashtruar publikun. Sigurisht që është shumë e rëndësishme që në rast të një humbjeje të mundshme, apo dështimi të një projekti politik, jo vetëm lideri, por edhe estabilishmenti politik të mbajë përgjegjësi dhe kjo deontologji absolutisht ka nevojë të jetësohet. Këtu nuk është fjala për të pritur apo fërkuar duart në mënyrë perverse për humbjen në rast se ndodh të PS-së në zgjedhje, por për kërkesën e domosdoshme për kultivimin e një kulture dhe aplikimin e një standardi që mungon tërësisht në përvojën tonë të 18 viteve pluralizëm. Edhe në rastin e referuar e gjithë vëmendja drejtohet tek Rama apo edhe Berisha në rastin tjetër, se çfarë do bëjnë ata, kur dhe si do e japin dorëheqjen, çfarë përgjegjësish do të marrin mbi shpinë, deri edhe cila do të jetë jeta private e tyre, duke lënë të anashkaluar tërësisht garantët e tyre. Ne kemi modelin Rama, prandaj jemi të bindur se do i fitojmë zgjedhjet - po thonë në mënyrë të përsëritur njëri pas tjetrit këto ditë mjaft nga figurat protagoniste në PS kudo ku i jepet rasti dhe rendisin një varg argumentesh. Nuk po hy në analizën e tyre, se mund edhe të qëndrojnë. Por ajo që të tërheq vëmendjen është fakti se përmes këtij modeli dhe analizës që i bëhet, të cilën para së gjithash këto personazhe duhet ta besojnë vetë, ata i injektojnë publikut një garanci për t’i marrë votën. Rregullat e lojës elektorale deri këtu nuk shkelen dhe çdo gjë është e rregullt, por nëse e gjithë kjo përgjegjësi për t’iu imponuar me modelin Rama nuk ecën, ose edhe më keq se kaq, dështon nesër, me garantët çfarë bëhet? Deri tani historia na ka treguar se ata kanë qëndruar aty ku kanë qenë, duke ndryshuar sjelljen në përputhje me shijet e liderit të ri, kanë duruar njëlloj, në mos më shumë injorimin dhe fyerjen që u është bërë, kanë përpunuar servilizmin dhe kanë rezistuar.
Pikërisht këtu qëndron ajo çfarë Rama nuk e tha, ose ajo që Nano la pa bërë. Nuk mundet dot të shpëtojnë pa u lagur intrigantët e vegjël, që janë në fakt arkitektët e fshehur të dështimit. Ata mund të qëndrojnë përsëri të zhytur në kolltuqet parlamentar, duke mos prodhuar asnjë gram politikë, por vetëm skema asgjësuese, por do qëndrojnë në mënyrën më të pamerituar të mundshme. Përgjegjësi i humbjes kurrsesi nuk mund të jetë një, sado i fuqishëm dhe me ndikim të jetë në parti. Estabilishmenti i ndërtuar prej tij dhe që e ndjek  bile edhe pa kurrfarë debati, mban pa diskutim shumë përgjegjësi. Duke i kërkuar një lideri se çfarë do bëhet me të në rast të dështimit të projektit politik, duhet kërkuar në fakt se çfarë do të bëhet me gjithë estabilishmentin e tij, me gjithë ekipin, pasi në rast fitoreje sulen ku e ku tek copa më e madhe e pushtetit, kurse humbjes i largohen si djalli temjanit. Askush nuk bëzajti kur Nano dha dorëheqjen dhe mori i vetëm përgjegjësinë e humbjes, të gjithë u fshehën, u maskuan, bile gradualisht më pas filluan të na tregonin edhe kofidencialitete që sesi i kishin thënë e sugjeruar Fatosit të bënte këtë e atë lëvizje, këtë e atë skemë, po ai s’kish dëgjuar dhe ja ku humbëm. Duartrokitësit e djeshëm dhe duartrokitësit e sotëm janë po ata dhe po aty dhe nuk ka kurrfarë morali që shumica prej tyre t’i shtrëngojnë lakun Ramës për ta larguar, kur ata ia kanë dhënë gjithë këtë pushtet e fuqi politike. Nëse PS humbet, nuk duhet të ketë asnjë iluzion se Rama është humbësi i madh. Por humbës dhe përgjegjës bashkë me të janë edhe garantët e sotëm të tij, ata që  po sfilojnë çdo ditë me modelin Rama, që flasin e sillen si ai, që thonë të njëjtat gjëra, që shajnë në mbledhje pas krahësh Fatosin e lëvdojnë në sy kryetarin e radhës. Përsëritja e këtij rituali nuk do të sjellë asgjë, bile më shumë se kaq, ajo do të zvogëlojë çdo shpresë për t’i dhënë profilin e duhur një formacioni politik, i cili kur humbet zgjedhjet ka nevojë  realisht për një ndryshim radikal. Ata që sot e tejkalojnë me garancinë që kërkojnë t’i japin publikut për Ramën apo Berishën, domosdo që nesër në rast humbjeje duhet të ikin bashkë me ta, pavarësisht moshës. Le ta fillojnë edhe një herë sprintin politik, në një pistë të re, por jo duke vjedhur metra e metra të tërë siç kanë bërë deri tani, duke qenë jo pak përgjegjës për kultivimin e ndjenjave të pushtetit dhe shtimit të oreksit që iu kanë bërë liderëve të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›