Muzeu i Shkencave, Rama: Vendimi i gjykatës absurd
Pas vendimit të Gjykatës së Lartë për kthimin tek pronarët të tokës mbi të cilën është ndërtuar Muzeu i Shkencave të Naty-rës ka reaguar PS. Kreu i saj Edi Rama, së bashku me përfaqësues të tjerë nga selia rozë ishte dje para godinës së muzeut dhe i ka bërë apel presidentit Topi të ndërhyjë. Ai nga ana tjetër kërkoi prej institucioneve përgjegjëse rishqyrtim me imtësi të fakteve, të cilat sipas tij çuan në marrjen e këtij vendimi absurd. “Është e domosdoshme marrja e menjëhershme e iniciativës nga Presidenti i Republikës për ta mbrojtur këtë pasuri dhe nga ana tjetër shqyrtimi me imtësi i të gjitha fakteve, që kanë çuar në këtë vendim absurd. Pasi pa pasur asgjë kundër pronarëve ne nuk mund të jemi qorr dhe shurdhë karshi kësaj pasurie dhe karshi kërkesës së brezit që do vijë, pasi jua kemi borxh atdheun dhe të gjitha pasuritë e tij”- u shpreh kryesocialisti Rama. Ai e cilësoi Muzeun e Shkencave si një pasuri kombëtare, që nuk duhet humbur kurrsesi. “Pas 28 qershorit do ta trajtojmë edhe problemin e këtij koleksioni me shumë përparësi dhe jam i bindur, dhe në mënyrë konkrete, që secili të marrë atë që i takon. Tradita kulturore dhe shkencore shqiptare të marrë atë që i takon, pronarët të marrin atë që u takon”, tha Rama. Ndërkaq, drejtori i Muzeut të Shkencave deklaroi se në gjithë këtë hark kohor për muzeun nuk ka pasur asnjë lloj investimi nga qeveria. “Muzeut nuk i është dhënë asnjë lloj leku qoftë edhe për të mirëmbajtur, jo për të konsultuar, por për të mirëmbajtur këto vende, as edhe një lek për të bërë hidro-izolimin, as edhe një lek për të mbajtur nga poshtë tavanet që po bien. Me gjithë protestat e studentëve dhe gjithë personaliteteve të shkencës për të mos i rikthyer truallin e muzeut ish-pronarëve, Gjykata e Lartë vendosi të kundërtën. Këtë vendim shumë përfaqësues të shoqërisë civile, por edhe kahe të ndryshme politike e quajtën cenim serioz të vlerave kulturore. Pjesa qendrore e godinës është ndërtuar në vitet ‘30. Pas pushtimit italian, në vitin 1940, godina u mor nga shteti dhe u ndërtuan prej tij edhe pjesët e tjera, krahët anësorë dhe sallat e mëdha.