E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri shtete nuk sjellin letërporositë, mbyllet dosja e biznesmenit Fazlliç

 

TIRANE – Hetimi i bujshëm i nisur në tetorin e vitit të kaluar kundër biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç mbyllet në heshtje nga prokuroria shqiptare. Prokuroria e Tiranës ka vendosur dje të pushojë hetimet për “pastrim parash” ndaj biznesmenit 34-vjeçar. Vendimi për mbylljen e dosjes, megjithatë duket i ndikuar nga tejkalimi i afateve hetimore në dispozicion të çështjes. Më 6 prill 2009, prokuroria shtyu me një muaj afatin e hetimeve. Ky afat mbetej në fuqi deri ditën e djeshme më 7 maj në ora 12:00. Në këtë kohë ka marrë fund edhe afati i prokurorisë shqiptare për të zhvilluar hetime në adresë të biznesmenit boshnjak. Burimet zyrtare nuk japin asnjë konfirmim institucional për çështjen ndërsa vetë biznesmeni përmes avokatëve të tij, menjëherë pas 6 prillit 2009 u ankua në Gjykatën e Tiranës kundër zgjatjes së afatit të hetimeve nga prokuroria. Për mesë gjashtë muaj me radhë, që në tetor 2008 kur nisën hetimet ndaj tij, në adresë të biznesmenit u hodhën dyshime se ai kishte pastruar para me shitjen e kompanisë së tij “Croën Acquisitions” me qendër në Tiranë. Kjo kompani u shit në vitin 2007 për 1.7 milionë euro tek një subjekt tjetër me qendër në Qipro. Të dhënat e para supozonin se kompania e shitur nga Fazlliç për 1.7 milionë euro, kishte vetëm 1 mijë euro kapital fillestar ndërsa nuk kishte deklaruar xhiro apo fitim në Shqipëri. Në këtë mënyrë, rritja “artificiale” e vlerës së subjektit në fjalë u bë objekt dyshimesh. Gjatë hetimit të saj, Prokuroria e Tiranës kërkoi me anë të letërporosive të dhëna për aktivitetin e Fazlliç në Qipro, Bosnje, Kroaci, Zvicër dhe Angli. Pikërisht mungesa e përgjigjeve për këto letërporosi është bërë shkak për zvarritjen e hetimeve, derisa dje afati zyrtar në dispozicion të tyre ka përfunduar. Biznesmeni boshnjak i ka hedhur poshtë akuzat e bëra ndaj tij ndërsa prokurorët thonë se provuan parregullsi në aktivitetin e të dyshuarit në Shqipëri porse dispozita “pastrim i produkteve të ardhura nga krimi” për të cilën u bënë hetime, kërkon marrjen e provave nga jashtë vendit.            tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›