E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakrohet me 4 thika i riu në mes të Tiranës

 

TIRANE - Një konflikt mes tre të rinjve në gjendje të dehur, në një lokal me muzikë live në Tiranë, është kthyer në përleshje me thika. Ngjarja ka ndodhur dje rreth orës 01:00, në qendër të kryeqytetit, mbrapa Pallatit të Kulturës, ku ndodhet edhe lokali ku të rinjtë po kalonin mbrëmjen me muzikë dhe alkool. Bilanci i ngjarjes ka qenë, një i plagosur dhe 2 persona të arrestuar për vrasje me dashje të mbetur në tentativë. Në pranga kanë përfunduar 20-vjeçari, Saba Kovaçi, nga Kukësi dhe banues në Tiranë dhe Nezir Mustafaj, 26 vjeç nga Elbasani. Ndërkohë është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak, i plagosuri, Danjel Agolli, 24-vjeç, i cili edhe pse ka marrë 4 plagë të rënda me thikë, ka arritur të mbijetojë dhe tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërhyrja në kohë e policisë së Komisariatit Nr.1 dhe Patrullës së Përgjithshme, ka arritur të shmangë një ngjarje akoma më të rëndë, pasi në konflikt ishin përfshirë edhe dhjetëra të rinj të tjerë, të gjithë në gjendje të dehur, pasi kishin konsumuar shumë alkool. Gjithashtu ndërhyrja e shpejtë kirurgjikale, i ka shpëtuar jetën edhe 24-vjeçarit të masakruar me thika nga dy të rinjtë. Të gjithë personat e përfshirë në konflikt, i cili është zhvendosur deri në afërsi të Sheshit “Skënderbej”, janë shoqëruar përgjatë gjithë natës në polici, ku janë marrë në pyetje për ngjarjen, ndërsa Saba Kovaçi dhe Nezir Mustafaj janë arrestuar në flagrancë me akuzën e vrasjes me dashje, të mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim.
NDËRHYRJA E POLICISË
Ngjarja që ndodhi dje në mes të Tiranës, mund të kishte përmasa edhe më të mëdha nëse patrullat e policisë nuk do të ndodheshin në vendin e duhur dhe të ndërhynin në kohën e duhur. Të favorizuar edhe nga vendi ku ndodhi plagosja, ku vazhdimisht ndodhen shërbimet e policisë, inspektorët e Komisariatit Nr.1, kanë mundur që të ndërhyjnë shumë shpejt për të qetësuar situatën, për të kapur në flagrancë autorët, por edhe për t’i shpëtuar jetën të plagosurit. Sipas burimeve nga policia, ndërhyrja ka qenë e menjëhershme, sapo janë dëgjuar zhurma dhe është parë një djalë i shtrirë në tokë i gjakosur, si dhe dhjetëra të tjerë që e rrethonin. Policia ka sekuestruar dy thika në vendin e ngjarjes, me të cilat dyshohet se është qëlluar Danjel Agolli. Sipas deklarimeve që kanë dhënë në polici dëshmitarët e ngjarjes, bëhet fjalë për një konflikt të momentit që është iniciuar nga gjendja e dehur e tre të rinjve, fillimisht brenda në lokal, e më pas jashtë tij ku mbeti i plagosur 24-vjeçari. Ndërkohë, sipas policisë, oficerët e Seksionit të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, po hetojnë rrethanat se si ka ndodhur ngjarja dhe për të zbuluar motivin e vërtetë të saj.                              e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›