“Na tradhtoi, të japë dorëheqjen”

Edvini në telashe, aleatët e PS kërkojnë kokën e tij
Aleatët e Partisë Socialiste kanë mbetur të zhgënjyer nga akti mashtrues që kryesocialisti në detyrë Edi Rama, zbatoi ndaj tyre. Pas zemërimit të bërë publik nga Spartak Ngjela dhe Erjon Veliaj edhe një tjetër aleat i kryesocialistit në detyrë Edi Rama, kreu i PDS-së, Paskal Milo, ka shprehur pakënaqësi dhe ka kërkuar nga kryesocialisti shpjegime për lëvizjen e fundit të tij.
Milo tha se gjatë këtyre 7 muajve Rama keqpërdori aleatët për interesat e tij, pavarësisht se u kishte premtuar besnikëri për të mos pranuar asnjë lloj marrëveshje me mazhorancën për çështjen e zgjedhjeve.
“PS shkeli mbi interesat e elektoratit socialist. Shkeli kauzën që vetë Rama e mbështeti deri në fund, për çështjen e zgjedhjeve. Kjo është një tradhti e pastër, në radhë të parë ndaj të gjithë socialistëve dhe vetë kauzës së mbrojtur”, tha Milo, i cili domosdo pranoi se kryesocialisti shfrytëzoi atë dhe të tjerë aleatë për interesat e tij, por edhe këto pa asnjë objektiv konkret të prekshëm. “është në traditën e partive politike shqiptare, të cilat në momentin që kanë nevojë, sigurisht që ofrojnë bashkëpunim dhe në momentet që ato mendojnë se vendimet mund t’i marrin vetë ashtu sikurse edhe ndodhi, nuk pyesin për të tjerë. Nëse PS do të këmbëngulë për transparencën e zgjedhjeve edhe në Kuvend, kjo nuk e dëmton procesin dhe objektivin e opozitës por në rast se gradualisht pranon procesin zgjedhor, atëherë do të kemi të bëjmë me një të ashtuquajtur tradhti në radhë të parë për interesat e elektoratit socialist dhe kauzën socialiste”, u shpreh Milo.
Pas mbledhjes së dy ditëve më parë të grupit parlamentar socialist, i cili zyrtarizoi hyrjen në parlament, të parët reaguan Spartak Ngjela, Skënder Gjinushi, Erion Veliaj dhe Nard Ndoka, të cilët, të njohur për cinizmin e theksuar të tyre, besonin vërtet se Edvini do i’a dilte të sfidonte shtetin ligjor dhe të kthente mbrapsht ligjet kushtetuese.
Por, ajo që parashikohej dhe dihej, ndodhi. Kryesocialisti në detyrë, në prag të dorëheqjes, kapitulloi përballë marrëzisë për hapjen e kutive.
Por, megjithëse shpëtoi nga kjo çmenduri, të tjera probleme i janë hapur me aleatët, të cilët kërkojnë kokën e tij, pas tradhëtisë që u bëri me hyrjen në parlament.
Kërcënimi është dhënë tashmë, Milo, Gjinushi, Ngjela, Veliaj dhe Ndoka, nuk do t’ia falin Edvinit keqpërdorimin e tyre për kapital politik, por që rezultoi gjithçka e dështuar dhe ata tashmë kërkojnë nga kryesocialisti subvencionimin e kostove të harxhuara gjatë këtyre 7 muajve.