Prag-eksodi në PS, shpërbërja po bëhet gjithnjë e më e afërt
Shpërfillen deputetët e LMN-së, nuk lejohen të komentojnë projektligjet e depozituara në Kuvend
Po shfaqen sinjalet e para të përjashtimit të 5 deputetëve opozitarë nga radhët e Partisë Socialiste. Nisur nga plot 6 muaj bojkot të plotë të parlamentit, 5 deputetë të Lëvizjes për Mendim Ndryshe si Ben Blushi, Andis Harasani, Kastriot Islami, Marko Bello dhe Arben Malaj, kanë kritikuar rigorozisht drejtimin e ndjekur nga Edi Rama, i cili me qëndrimet e tij tendencioze dhe jashtë kontekstit politik shqiptar, po sfidonte ligjet dhe kushtetutën e vendit. Por, kjo nuk mbaron këtu. Edhe pas thyerjes formale të bojkotit, Edi Rama nuk parashikohet të ndalë politikën e agresionit ndaj kundërshtarëve të tij. Në siluretën e radhës të eksodit nga PS pritet të jenë 5 deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe, të cilët po përballen me një indiferencë të përshkallëzuar në kryesinë e selisë rozë, teksa askush nuk u jep më të drejtë të diskutojnë me deputetët e tjerë për projektvendime që PS propozon në Kuvendin e Shqipërisë apo qofshin këto edhe nisma të tjera të aspektit legjislativ.
Këtë fakt e ka konfirmuar dje deputeti socialist dhe njëherazi përfaqësues i LMN-së, Andis Harasani, i cili u shpreh gjatë një prononcimi për mediat, se ai dhe kolegë të tij as nuk janë njohur me draftin e depozituar në Kuvend për çështjen e zgjedhjeve dhe as janë lejuar që të komentojnë për nismën në fjalë.
“Nuk jemi njohur me draftin. E çuditshme por as nuk e kam parë atë. Askush s’na ka kërkuar që të diskutojmë dhe të japim sugjerimet tona si përfaqësues të PS-së”- u shpreh deputeti Andis Harasani.
Lidhur me hyrjen e deputetëve të opozitës në Kuvend dhe daljen vetëm pas disa minutash, Harasani tha se PS iu drejtua sallës vetëm për të shpëtuar mandatet dhe duke i dhënë një tjetër hapësirë kohore prej 6 muajsh një tjetër bojkoti të mundshëm.
“PS u fut në parlament për të shpëtuar mandatet, pra i dha edhe 6 muaj kohë një tjetër sjellje siç është bërë deri më tani”- tha ai.
Lidhur me hyrjen në parlament seancën e ardhshme, Harasani thekson se mund të ketë një vendim tjetër për këtë.
Partia Socialiste ndodhet vërtetë në prag të shpërbërjes. Dhimbjet e kokës të Edvin Ramës, po kushtëzojnë karrierën politike në PS të disa deputetëve, që për 7 muaj me radhë kanë shprehur qëndrimet e tyre kundër bojkotimin të parlamentit dhe i kanë bërë thirrje forumeve drejtuese të partisë, për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve, pasi siç argumentonin ata, zgjedhjet i humbi Rama dhe jo Partia Socialiste.