Garat sportive per personat me aftesi te kufizuar

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ishte i pranishëm sot, në ndeshjen e basketbollit të personave me aftësi të kufizuara, zhvilluar në kuadër të 100 vjetorit të Pavarësisë mes ekipit “Eagles” nga Shqipëria dhe përfaqësueses së Kosovës. Z. Basha ka përshëndetur këtë veprimtari të veçantë, e cila siç theksoi z. Basha jep shpresë dhe motivon shumë qytetarë anembanë Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve shqiptare.
“Ky është padyshim një akt kurajoje, përkushtimi dhe nga kjo pikëpamje do të thosha se mbështetja jo vetëm që s’do të mungojë por do të jetë e veçantë, për të gjithë personat e kategorisë tuaj të cilët flakin përtej paragjykimet ndaj vetes dhe ndaj të tjerëve dhe angazhohen me mish e me shpirt në këtë aktivitet fisnikërues, siç është sporti” – u shpreh Kreu i Bashkisë.
Kryebashkiaku Basha ka shprehur gatishmërinë e Bashkisë së Tiranës, për të mbështetur aktivitete sportive të personave me aftësi të kufizuara, duke i kthyer garat sportive të këtyre personave, në traditë për qytetin e Tiranës.
“Pamë gjatë maratonës së Tiranës, kur një numër personash me aftësi të kufizuar jo vetëm që garuan me sukses por garuan edhe më mirë se të tjerët dhe nga kjo pikëpamje, dua t’ju siguroj se jo vetëm përkushtimi, jo vetëm dashamirësia por edhe mjetet financiare nuk do të mungojnë, për ta bërë këtë aktivitet një risi të përhershme në qytetin e Tiranës”, u shpreh kryebashkiaku Basha.
Ndeshja u fitua nga përfaqësuesja e Kosovës që mori dhe kupën “Pavarësia” por për z. Basha, kjo ndeshje ka vetëm të fituar.
“Duke qenë se sot ndeshemi dy ekipet përfaqësuese të Shqipërisë, të Kosovës, megjithëse nominalisht quhemi dy kombëtare, në fakt jemi një kombëtare e në këtë pikëpamje për mua, besoj edhe për tifozët e tjerë të pranishëm do të jetë një ndeshje ku do të shohim me kënaqësi lojën tuaj. Unë nuk do të hyj në aleancë se kush do të fitojë, se kushdo që fiton, fitojmë të gjithë”, deklaroi ai.