E Diel, 1 Nëntor 2026

Garcia, në shqip me “Unë nuk kam shtëpi”

Poeti Carlos Ernesto Garcia vjen në shqip me librin e tij më të ri “Unë nuk kam shtëpi”. Nën përkthimin e Ina Zhupës, antologjia ku përmblidhen plot 80 poezi të autorit nga Salvadori vjen në versionin dygjuhësh, shqip e spanjisht, nga shtëpia botuese “Dita2000”. Vetë poeti do të vijë në Shqipëri për të prezantuar vëllimin e tij poetik nga data 22 deri 26 mars, ku do të prezantojë librin në qytetet e Shkodrës, Elbasanit, Fierit, Tiranës dhe Durrësit.

Ai do të vizitojë universitete dhe qendra të ndryshme kulturore, ku do të lexojë poezitë e tij. Antologjia “Unë nuk kam shtëpi” do të ketë shpërndarje edhe në Kosovë e Maqedoni. Poezia e Carlos Ernestos e reflekton në origjinalitetin e vet madhështinë e paraardhësve, duke sjellë risitë e papërsëritshme të kohës që jetojmë. Poezia e tij bashkon përvojën e të jetuarit të autorit si poet me faktin e të qenit poet i lindur dhe i përgatitur për të lexuar kombinimet e reja të metaforës në kohën tonë, të mjeteve të komunikimit dhe të perëndimit të një mënyre të caktuar të menduari dhe të jetuari.

Në një studim të sajin, kritikja dhe pedagogia e letërsisë në Universitetin e Granadës, Ana Gallego Cuinas, shprehet se Carlos Ernesto Garcia shkruan për të kujtuar, për të fiksuar (si një imazh, si një fotograf) një ndjesi, në një mënyrë të atillë që arrin të transformojë poezinë e çasteve të eksperiencës, në çaste të absolutes. Vazhdimësia e poetikës të këtij poeti, bëjnë thirrje me transparencën e formës, ashpërsisë gjuhësore, shkurtësinë, densitetin e gjuhës dhe paralelizmin si për të thënë amen dhe fiksimin me saktësi të imazhit që do të shkëpusë. “Poezi e imazh.

Një e shtënë, një ndjenjë përfshirëse dhe një grusht vargjesh”, shkruan ajo. Carlos Ernesto García, rezident në Barcelonë që nga fundi i viteve 1980, është autor i librave me poezi: “Derisa kolera të kalbet” (Barcelonë, 1994), “Një pikënisje për dashurinë” (Barcelonë 1996), “Valixhja në papafingo” (Jaen 2009) dhe antologjia me titullin “Kartolina nga diaspora” (El Salvador në 2009), ashtu si dhe i kronikave të udhëtimit me anë të novelave në librin “Ëndrra e dragoit” (Barcelona 2003) dhe “Nën hijen e Sandinos”, i cili bazohet në intervistat e marra me ish-komandantët të Frontit të Sandistëve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›