E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arti flet

Ne si individ jemi të lirë të paktën të reagojmë për probleme me të cilat preokupohemi si shoqëri. Një formë shumë e veçantë për t’iu qasur një problemi, e ndoshta për ta vënë në pah është arti vizual.

Këtë e bënë dy artistë të brezit të ri, Jeton Muja dhe Artan Hajrullahu, krijues të artit pamor kosovar, me hapjen e ekspozitës së tyre personale, të ënjtën mbrëma, në Galerinë e Arteve të Kosovës.

“Tek të dy artistët dominon qasja e materializimit të një vepre urbane dhe bashkëkohore, që lidhet me të sotmen dhe ndoshta edhe të nesërmen”, u shpreh, në hapje të ekspozitës, kuratori i saj, Ismet Jonuzi. “Koncepti im ka qenë ‘Udhëtim i lirë’ dhe tjetra ‘Playboy’, në këtë rast udhëtim i lirë ka të bëjë më preokupimin tonë për liberalizimin e vizave. Në radhë të parë ne si artistë që dëshirojmë të ekspozojmë jashtë shtetit, por ky problem është preokupim i gjithë shoqërisë sonë. Pa liberalizimin e vizave ne jemi shumë të kufizuar”, tha Artan Hajrullahu.

Sipas Jonuzit, qëllimi i Artanit është që përmes karikimit të figuracionit të flasë për përjetimet jetësore. Ai nuk ka qëllim t’i ngjasojë ndonjë artisti por tendenca e tij është materializmi i rrëfimit individual.

Një tezë jo pak e dëgjuar prej së cilës Jetoni bënë art është “Hetimet vazhdojnë”.

“’Hetimet vazhdojn녒 fillon që nga viti 2004, është një slogan kritik gjithashtu global, që ky slogan është përdor si mekanizëm mbrojtës nga njerëzit kompetent, ka të bëjë me personat e zhdukur që sot ende nuk bëhen të ditur dhe çdo herë ngushëllohemi me “Hetimet vazhdojnë”, e në fakt nuk vazhdojnë. Por gjithashtu hetimet vazhdojnë flet për gjetjen e personalitetit tim sa i përket çështjes artistike. Kam edhe një koncept tjetër të pjesës së punimeve me peshore ‘Matu’, tha ai.

Ndërsa jo pak i veçantë është Jetoni me artin e tij. Sipas Jonuzit, arti i Jetonit flet përmes vizualizimit të objekteve dhe instalacionit me një qasje urbane dhe bashkëkohore, e cila konfrontohet me një plastikë sociale.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 30 mars.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›