Filmi shqiptar, një pavijon në Kanë
Në mbledhjen e tij të parë, në datën 18 mars, bordi i këshillit miratues të projekteve ka diskutuar dhe marrë disa vendime mbi politikat që Qendra Kombëtare e Kinematografisë do të ndjekë kundrejt prodhimeve filmike. Së pari, Teodor Laço është zgjedhur kryetari i bordit të filmit artistik, i cili përbëhet nga Esat Mysliu, Bujar Lako, Agron Tufa dhe Durim Neziri si anëtarë. Një nga pikat e rëndësishme që është diskutuar në këtë mbledhje ka qenë projekti për hapjen e pavijonit të filmit shqiptar në Kanë. Ky projekt, tashmë i miratuar, parashikon që gjatë 10 ditëve të festivalit më të rëndësishëm kinematografik që mbahet në Kanë, Shqipëria të ketë një hapësirë ekspozuese. Drejtori i QKK-së, Artan Minarolli, shpjegon se bëhet fjalë për një hapësirë me 8 seksione të shfrytëzuara nga vendet e Europës Juglindore e kryesisht të Ballkanit, ku një seksion i takon tashmë Shqipërisë. Kjo hapësirë që kurohet nga një kroat do të përdoret për ekspozim posterash të prodhimeve kinematografike shqiptare dhe si një vendtakim mes producentëve për të ndihmuar në distribucionin e filmit shqiptar. Sipas Minarollit, pavijoni i Kanës do të shërbejë si një hapësirë reklamuese dhe njohëse për kinematografinë tonë. Pas “Eurimages”, që stimulon zhvillimin e projekteve, ky është një hap tjetër drejt shpërndarjes së krijimtarisë filmike shqiptare. Për këtë hapësirë, Qendra Kombëtare Kinematografike do të paguajë një tarifë vjetore, sipas Minarollit e përballueshme. Sipas tij, ende nuk është vendosur se si do të menaxhohet pavijoni i Kanës. “Gjithçka do të vendoset në një mbledhje me shoqatat. Ndoshta në këtë pavijon do të ekspozojmë prodhime kinematografike pas ’97-s, ndoshta edhe pas 2000-shit. Gjithçka mbetet për t’u vendosur”, ka thënë Minarolli.
Mbledhja e para dy ditëve ka aprovuar po ashtu pjesëmarrjen në Europian Film Promotion, një tjetër strukturë, e cila ndihmon dhe garanton përfaqësimin në festivale të rëndësishme. Edhe për këtë anëtarësim Qendra Kinematografike duhet të paguajë një taksë rreth 2000 euro. Përfaqësuesit e shoqatave kanë diskutuar në vazhdim për mbledhjet e ardhshme, si dhe rreth mënyrës se si do të votohen projektet filmike që konkurrojnë në qendër.
#