E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimi sistemit, gjimnazistët e vitit të parë që mbesin në vjeshtë, një vit stazh



Jonida Tashi

Gjimnazistët e vitit të parë që nuk marrin provimet e vjeshtës do të qëndrojnë një vit në stazh për të pritur nxënësit që mbarojnë klasën e nëntë. Ministria e Arsimit bën të ditur se nxënësit e vitit të parë të arsimit të mesëm të përgjithshëm, që do të rezultojnë mbetës pas provimeve të vjeshtës, do të kalojnë në stazh për një vit. Sipas këtij dikasteri, për këtë kategori nxënësish viti shkollor 2008-2009 nuk do të nisë nga viti i parë gjimnaz, por nga i dyti, në pritje të brezit të parë që përfundon klasat e nënta. Por për të mos humbur të drejtën për arsim të mesëm, Ministria ka vendosur t’ju ofrojë disa alternativa shkollimi nxënësve që kalojnë në stazh. Kështu, nxënësit që kërkojnë të kalojnë në shkollat profesionale apo të natës, duhet të kryejnë ekuivalentimin e provimeve, duke kaluar automatikisht në vitin e dytë të shkollës së mesme. Të gjitha këto ndryshime po bëhen në bazë të reformës në arsimin parauniversitar si rrjedhojë e kalimit nga arsimi tetë vjeçar në nëntë vjeçar dhe kalimit të arsimit të mesëm në sistem 3 vjeçar.
Struktura
Struktura e arsimit të përgjithshëm me ndarje të profilit shoqëror dhe natyror, do të shpërbëhet, sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, e cila ka përgatitur plan-veprimin, ku është vlerësuar se ndarja e profileve në arsimin e mesëm të përgjithshëm ka rezultuar joefikase, pasi ndan subjektivisht prirjet e nxënësve. Drejtori i Kurrikulës në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Ndriçim Mehmeti sqaron: “Struktura e tanishme e arsimit të mesëm të përgjithshëm, është e ngushtë kundrejt larmisë së interesave të nxënësve, pasi i ndan ato në planin shoqëror dhe natyror, një fakt që krijon mospërputhje në mes të procesit të arsimimit të përgjithshëm dhe aktit të fundit të Maturës Shtetërore, që ofron një larmi më të madhe të interesave të nxënësve”. Ndërkohë që sipas tij, struktura e re do të përmbajë kurrikulën bërthamë (e përbashkët) dhe atë opsionale (përzgjedhëse). Mehmeti sqaron se kjo reformë sjell të renë e lëndëve opsionale, pasi vetë nxënësi do të ketë mundësinë e përzgjedhjes së lëndëve sipas interesave të tij. Sipas këtij ndryshimi, edhe Matura Shtetërore do të përbëhet nga lëndët e provimeve bërthamë dhe lëndëve me zgjedhje, ku nxënësi jep provim dy lëndë përzgjedhëse.
Mësuesit
Mësimdhënia në klasat e nënta në arsimin e parauniversitar pritet të kryhet nga mësuesit e gjimnazeve. Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Drejtoritë Arsimore Rajonale (DRA), po sheh mundësinë që mësuesit e gjimnazeve të japin mësim në klasën IX-të, përmes disa kritereve që do të vendosen nga DAR-të, me synim që kalimi nga arsimi bazë në atë të mesëm të jetë sa më i thjeshtë për nxënësit e shkollave 9-vjeçare. Ndryshimi i sistemit arsimor parauniversitar nga 4+4+4 në 5+4+3, ka bërë të nevojshme që në klasën e IX-të mësimdhënia të kryhet nga mësues të gjimnazeve. Si rrjedhojë, për këta nxënës nuk do të ketë më vit të parë shkollor në gjimnaz. Ndërkaq për sistemin arsimor parauniversitar, që përbëhet nga 376 shkolla të mesme dhe 1749 shkolla 9-vjeçare, MASH-i ka vendosur që fondet e planifikimit dhe shpërndarjes së mjeteve mësimore në arsimin parauniversitar do të shpenzohen përmes formulës “buxhet për nxënës”, për çdo shkollë, e cila ka si kriter kryesor numrin e përfituesve (nxënësve).

17 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›