Sot, provimi i Matematikës, rregullat për 30 mijë maturantë që të mos penalizohen
Ora 10.00 e ditës së sotme do të jetë për të gjithë maturantët fillimi i ekuacionit më të vështirë për tu zgjidhur. Ndërkohë që secili prej tyre do të ketë vetëm 2 orë e 30 minuta kohë në dispozicion për të zgjidhur ushtrimet e provimit të Matematikës. Një provim i detyruar ky, që shihet me më shumë frikë nga maturantët për shkak të vështirësisë që ka kjo lëndë. Sot, në të gjitha shkollat e mesme, do të zhvillohet provimi i dytë i detyruar i Maturës Shterëore, Matematika. Kutitë e vulosura, të cilat do të përmbajnë testet për të gjithë nxënësit pjesëmarrës në provimin e Matematikës, bashkë me listat e tyre, bar-kodet dhe me të gjitha elementët e nevojshme për zhvillimin e provimit do të mbërrijnë në të gjitha shkollat e mesem pak kohë para fillimit të provimit. Ndërkohë që shpërndarja e testeve të Matematikës nga Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve (AVA) në drejtim të Drejtorive Arsimore Rajonale (DAR) filloi në orën 22:00 të mbrëmjes së djeshme. Ajo është realizuar sipas një grafiku të caktuar, ku zonat më të thella të vendit tërhoqën të parat testet e provimit. Në të gjithë vendin provimit të Matematikës do t’i nënshtrohen 33.400 maturantë. Sipas përcaktimit të MASH-it, lloji i testit me të cilin do të testohet nxënësi, varet nga lloji i programit lëndor që ai ka punuar në shkollën e mesme dhe në përputhje me këto kritere, këtë vit do të hartohen 7 lloje testesh, në varësi të profilit të arsimit. Pikët maksimale edhe për testin e Matematikës do të jenë 50. Ky provim do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje me përgjigje alternative(13 pikë) dhe 12 pyetje me zhvillim (37 pikë). Kohëzgjatja e dhënies së përgjigjes me shkrim për secilin nga testet e provimeve të detyruara do të jetë 2 orë e 30 minuta. Pas përfundimit të provimit, testet e plotësuara me masa të rrepta sigurie do të nisen në drejtim të shkollës “Sabaudin Gabrani” në Tiranë, nga ku do të shpërndahen për t’u korrigjuar në katër qendra vlerësimi në Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Fier.
17 Qershor 2008